Parullat - 11. I kemi konsideruar gjithmonë parullat si një shpikje e regjimit komunist, por në fakt ato janë shpikje e shekullit të ideologjive, shekullit XX. Megjithë elementet e para të tyre, të ndeshura në Shqipëri që në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, vetëm në vitet e diktaturës së mbretit Zog ato kthehen në një element propagante i përdorur gjerësisht.
Por edhe Zogu në fakt nuk i shpiku vetë por u ndikua nga fqinji i përtej Adriatikut, Italia, e cila prej disa vjetësh i ishte futur rrugës së një diktature ideologjike e cila ishte e ngarkuar fort me citate e thënie që publikoheshin e shkruheshin ngado ndër vende publike. Që prej Italisë, si çdo modë tjetër e asaj kohe dhe e mëvonshme moda e parrullave kaloi në bregun tonë, duke u bërë pjesë përbërëse e kultit personal që po ngrinte Ahmet Zogu.
Fotografia e parë është e vitit 1927. Shqipëria është ende republikë dhe Ahmet Zogu Kryetar i saj. Megjithatë shenjat e kultit të personit kishin filluar të shfaqeshin dukshëm. Në këtë rast jemi gjatë një parade ushtarake të zhvilluar në Tiranë ku veç të tjerëve parakaluan edhe grupe nxënësish të shkollave. Në një moment të parakalimit ata prishën kuadratin, u shpërndanë sipas një skeme të caktuar dhe u shtrinë përtokë duke krijuar një gërmë “Z” të madhe, monogramin e Zogut.
Fotografia e dytë është diku rreth vitit 1931. Në një prej kodrave mbi qytetin e Korcës është shkruar me gurë të zbardhur me gëlqere parrulla: “RR. Z. I”, domethënë “Rroftë Zogu I”.
Fotografia e tretë është e vitit 1938. Në shtator të atij viti u zhvilluan disa ceremoni dhe festime për të përkujtuar 10 vjetorin e shpalljes së monarkisë dhe të Ahmet Zogut mbret. Në këtë rast kemi ndërtimin e një obelisku në mes të bulevardit të madh në zonën midis Ministrisë në Punëve publike dhe Ministrisë së Bujqësisë. Obelisku kishte në bazë të shkruar vitet 1928-1938 dhe shifrën romake “X” Në shtyllën e obeliskut shkruhet “RROFTE MBRETI”. Tashmë kulti i personit përreth mbretit ka arritur në kulmet e veta dhe për këtë mjafton të shfletosh një çfarëdo gazetë të atyre viteve .