Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Shqipni e Harrume

Nga 
Artan Lame

Parullat – 12. Vlorë, prill 1939.

Më në fund edhe Zogut me gjithë parullat e lavdet që i kishin bërë shqiptarët I erdhi fundi. Natyrisht diktatura e tij nuk mori fund si pasojë e revoltës së brendshme, por si pasojë e një diktature tjetër, asaj fashiste italiane. Në 7 prill 1939 italianët zbarkuan në 4 portet shqiptare duke gjetur një rezistencë të papërfillshme dhe Brenda disa ditësh okupuan të gjithë vendin. Papritur zogizmi u zhduk sikur të mos kishte ekzistuar kurrë dhe të gjithë shqiptarët që I kishin thurur lavde mbretit të ikur u derdhën ti këndonin lavdet mbretit të sapombërritur. Por përpara se të bënin këtë sefte u morën me zhdukjen e gjurmëve apo më mirë të themi me një lloj ikonoklastie të përsëritur shpesh në Shqipëri sa here ndërrohen regjimet.

Në fotografinë e parë jemi në Vlorë rreth datës 8-9 prill 1939. Populli është mbledhur në shesh dhe, midis haresë së përgjithshme, po djeg pirgjet me portretet e mbretit Zog që vetëm disa ditë më pare zbukuronin zyrat, shkollat dhe dyqanet anekënd. Ngjarja zhvillohet në sheshin e Flamurit ndërsa prapa njerëzve dallohet godina e familjes Shara e prishur në vitet ‘70.

Tiranë, maj 1941. Vdiq mbreti, rroftë mbreti! Është i njohur fakti, që diktaturat janë të mbushura me megallomani ideologjike dhe me gjëra që denatyrojnë dhe deformojnë realitetin. Në këtë kuadër, fashizmi jo vetëm që nuk bënte përjashtim, por ishte në avangardë. Ca më keq kur, pasi i ishte imponuar popullit të vet, i imponohej më tej një populli tjetër nëpërmjet pushtimit, kjo megallomani arrin në absurd. E gjithë kjo, e fermentuar në një ambient si ai shqiptar, plot kontraste jete dhe oportunizëm qindravjeçar, bënte që natyrshëm i gjithë imazhi të kthehet në surreal dhe grotesk.

Në foton e dytë, jemi në Tiranë gjatë një demonstrate me rastin e vizitës së mbretit Viktor-Emanueli III në Shqipëri në maj 1941. Në foto shihet një grup të rinjsh shqiptarë me uniformat e Rinisë Fashiste Shqiptare. Mes parullave lexohet: “RROFTE MBRETNESHA PERANDORESHE”. E ka fjalën për Helenën, bashkëshorten e Mbretit Viktor-Emanueli III, që dreqi e di pse i kishte mbetur kaq në zemër atij shqiptarit sa e ka shkruar edhe në këtë parullë. Parulla tjetër shkruan: “E PAVDEKSHME QOFTE MBI JU KUNORA E SHQIPNIS SE MADHE”. Jemi në çastin kur, pas ndërhyrjes gjermane, Greqia dhe Jugosllavia janë thyer rëndë dhe shpërbërë, duke i bashkuar Shqipërisë një pjesë të madhe të Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni. Krijesa e dalë nga këto lëvizje kufijsh, u quajt Shqipnia e Madhe, por mbijetesa e saj ishte e lidhur ngushtë me fatet e luftës në tërësi. Në momentin që fuqitë e Boshtit morën të tatëpjetën, u pa qartë që edhe kjo krijesë do t’i kish ditët e numëruara.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura