Plaka me veshjen e modifikuar të Mirditës e përshkon si frikazi udhën. Jeleku i leshtë gurkali duket sikur e shtrëngon edhe më të ngrirë sesa duket. Kur makina me targë italiane qëmoti e me imazhin e Berishës pas lë një shtjellë tymi në ajri, e shtyn edhe ajo karrocën e dorës. Hedh një vështrim të fundit sikur do të kontrollojë që i luajturi të mos kthehet sërish dhe çapitet drejt. Kur sigurohet tamam, atëherë i rrok dorëzat e karrocës dhe e përshkruan udhën me ngut...
...
As që mund të mendohej vite më parë, që ngjyrat e partive që s’kishin të bënin me Partinë Demokratike të shpaloseshin lartësive të shtyllave të Kamzës. Madje, edhe flamurit kombëtar i duhej ‘të mendohej’ mirë para flamujve të PD-së! I vetmi, ai i stërmadhi në hyrje të qytetit satelit të Tiranës, ekuilibronte disi zallamahinë kamziote, ku çdo gjë ishte blu. E megjithatë, Berisha të shfaqet kudo. I përpunuar deri në fund me photoshop nga mjeshtrat e rinj shqiptarë të botës elektronike.
Kryebashkiaku ‘patriark’ i Kamzës gjithçka e koncepton blu, derisa në zgjedhjet e fundit, një biznesmen i fuqishëm vendas vendosi ta sfidonte dhe ta zbyrdhlte pak. I paparti, por nën logon e socialistëve, edhe pse nuk arriti të fitonte e shtroi i pari udhëzën për ndryshim. Ky ishte hapi i parë. U vra frika. Ai nuk fitoi, por bashkëvendasit e vet erdhën në arsye. Tashmë kërkonin ndryshimin. Askurrë më parë Kamza, një nga bashkitë më të mëdha të vendit, nuk ka qenë ndonjëherë e konsideruar për zgjedhjet. Ishte qershia mbi tortën e Berishës. Për ta votimi ndryshe ishte njësoj me kthimin pas, aty nga ku ishin dikur në varfërinë e gërxheve e maleve dhe jo në urbanizim. Bash kjo ka ndryshuar. Banorët janë zgjuar. E dinë se nuk ecet më me premtime. “Kjo shkolla e re që inauguroi Berisha, më thonë të bijtë e një banori që do takojmë pas pak orësh, nuk ka banjë. Vinë fëmijët me vrap dhe kryejnë nevojat në shtëpi. Mësuesit i ke në kafe të gjithë ditën”...Por, tragjedia e këtij vendi tashmë është harresa ndaj tij dhe trajtimi si njerëz thesi. Një qyqar pak ditë më parë u kap që kishte falsifikuar një dokument që të udhëtonte falas me autobus. Drejtësia vendosi “të drejtën” në vend. E dënoi me muaj burg. E kur mendon që drejtësisë në Shqipëri i kanë shpëtuar hajdutë të përmasave të jashtëzakonshme të miliona dollarëve, atëherë kjo të bën të vesh buzën në gaz. Më e dhimbshme pak muaj më parë do ishte historia e një nëne diagnostikuar me kancer. Nëna 45-vjeçare tentoi të helmonte të bijën 18 vjeçe, duke i dhënë fotoksinë, të cilin më parë e kishte konsumuar edhe vetë. Me origjinë nga një fshat i Pukës dhe banuese prej vitesh në Bathore të Kamzës, nënë e bijë u transportuan në spital nga familjarët, të cilët i gjetën pa ndjenja, në dhomën ku qëndronte e shtrirë prej vitesh vajza e tyre më e vogël, lindur me sindromën doën.
Doda
Por, këtu doën është i gjithë vendi dhe ata dhjetëra- mijëra njerëz që kanë pritur deri më tash ndryshimin. Bathore është tashmë jo vetëm emri i një lagjeje në veri të qytetit të Tiranës, sipër lumit Tirana, por edhe simboli i të keqes në kryeqytet. Mundohemi të gjejmë një lidhje dhe makinën e ndalojmë në njërën nga qendrat mavi të Partisë Socialiste. Nuk ka asnjë njeri. Shkojmë diku më larg dhe aty thellë Bulevardit Blu, gjejmë dy njerëz. Një i ngarkuar nga PS-ja dhe të zotin e ambientit që e ka dhënë me qira. Të ngratit sapo e ka dhënë me qira, duke iu gëzuar parave, i kanë mësyrë me gjobë. Është i pirë që në mëngjes. 60 e kusur vjeçari po gjerb nga një shishe 1.5 litroshe lëngun e Fantas dhe nuk di ku ta zbrazë mllefin. Shan Berishën, por ia përplas edhe socialistëve. Me këta të fundit e ka hallin sepse gjithë ditën blejnë pak gjëra në lokalin e tij! Bën një rrëfim që i shkon jermit, por që me një zë të hollë, të bëhet tejet i padurueshëm. Është nga Lekbibaj dhe ka njohje me familjen e Berishës. E shan që nuk ka shkuar në shtëpi. E përflet. Por, më duket se më shumë nxin për ata që duan të marrin vesh ndonjë gjë për socialistët. Një burrë që është aty na merr për FIKSIN. Ky emision është deri më tashmë fytyra e rezistencës ndaj Berishës. Për fat, pak minuta më vonë nga shtabi i socialistëve ia behin dy aktivistë. Një burrë, që na nguc të shkojmë atje ku janë dhënë para te për votat dhe djali që do të na përcjellë te disa familje. Zgjedhim të dytin. Pak minuta më pas jemi në shtëpinë e ndërtuar bukur të një mirditori. Dod Lala në Lagjen 5 të Bathores është 69 vjeç. Na pret në krye të një shtëpie, që e ka ngritur bajagi mirë. Truplidhur dhe me sytë e kaltër, ka qenë dikur ekonomist në Fan. Ka duart e vrarë dhe gishtërinjtë e këputur në falangat e para dhe është i bindur se kështu nuk mund të vazhdohet. Burri heton vazhdimisht por është i hapur. Di të ruajë ekuilibra, kurse një moment me shumë takt më kërkon adresën, në mënyrë që vajza ta kontrollojë në internet shkrimin. Ka pak drojë nga gënjeshtarët bajagi të shumë në këto kohë. Rrëfimin e ka të njëtrajtshëm. “Këta që kanë ardhur në Bathore tash e kanë ndryshu mendimin. Konceptin Urra për Berishën për 20 vjet me radhë e kanë lënë. U nisën me potere se do rregullonin legalizimin, ujin, e 1001 e angazhime që nuk i kanë bërë ende. Tani ka vetëm shtrim rrugësh në sipërfaqe. E të mendosh të gjitha janë krejt jashtë standardit. Mburret me ato që rrugica që ka bërë. Njerëzit janë tërhequr dhe një pakicë e përkrah”. E adhuron Ramën duke u nisur te vizioni i tij dhe premtimet. Një moment ndalon. Hedh një vështrim të paqartë...si njeriu që nuk dëgjon mirë. Këtë e kuptoj nga zëri im. Vërtetë nuk më dëgjon mirë. Po pse e votojnë atëherë?-i them. “Ata, të varfër që e votojnë janë malësorë të pagdhëndur. Edhe unë jam malësor. Edhe ti-,më drejtohet (Kemi folur shumë për familjet). Kanë një lloj edukate, që e ka mbjellë Sali Berisha dhe që thuhet se janë veriorë. Nuk paguaj se jam verior. Edhe në autobus nuk paguan një i tillë, askund..”. Qetësohemi pak dhe biseda kap rrafshe të tjera. Ka fëmijët në emigracion por duket se ka edhe pak kamje. Si të gjithë ka shpuar një pus me sondë për të cilin ka paguar mbi 2.5 milion lekë. Pasi, këtu uji mungon, ashtu si shumë e shumë gjëra. Çfarë beson se do ndryshojë? “Kam shumë shpresë që PS do të ndryshojë në radhë të parë në zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe përmirësimin e cilësisë në shkolla dhe në arsim. Do të bëjë një reformë në sistemin e shëndetësisë që për ne është një grabitqar i madh dhe them se do ndryshojë shumë gjëra. Dhe, vetë programit nëse do ecet me këtë linjë, shumë shpejt do ndryshojë zhvillimi ekonomik dhe përmirësohet gjendja. Shpejt do marri formën e një shteti ligjor”.
...Plaka ka ardhur nga ana tjetër e udhës, por tani me karrocën plot me gjethe. E lë Dodën dhe iki nga pas duke fotografuar plakën. Ndalon për fat sërish në buzë të Udhës, por në kahun e kundërt. E këqyr më mirë tani. Gjela, siç ma thotë emrin, është 84 vjeçare. E admiroj. Ka disa duar të forta mashkullore, që moshatarët e vet as mund t’i imagjinojnë. Ka ardhur nga një fshat i Fanit. E mban të veshur jelekun blu sërish, por tashmë e ka plot dhe karrocën. E shtyjmë bashkë deri sa të kalojmë rrugën, i them. Jo, ma pret shkurt. Flasim pak. Është pak e ngatërruar dhe nuk jeton fare në këtë kohë. E admiroj sërish. Do doja të isha në botën e saj. E qetë. Ka një kryq të thjeshtë varur në qafë. Çfarë shenjti keni në fshat?- i them. Po ju, ma pret. Shën Nikollën, i them. “Të gjithë i kena ne”. Po t’i kishit, pse erdhe këtu i shpëton nënvetëdijes sime një fjali cinike. Me plakën miqësohemi. Gjejmë dhe një hije. Flasim. “Kam një hall,- më thotë. A mund me ma zgjidh?”. Po i marr atribute bashkiakut Mziu, më duket. “Do vajza më kujtojnë për shtrigë. Më ngacmojnë. A mund t’u thuash gjë!” Tund kokën. Jemi në të njëjtën botë. Po i dëgjova do t’u them,- ia pres. Po kur të vinë sa ty, nuk do dëgjojnë fare i them. Si po të duket kjo kohë, futem në punën time unë. “Dreqi e merr vesh. Shumë po ngatërrohen në televizor. Shumë shajnë”, më thotë. Nuk pranon ta ndihmojë. Mbetem pak duke e admiruar nga pas. Këtyre njerëzve duhet t’u ngresh apoteozë dhe jo bjerraditësve apo pleqve që mburren me gjëra hipotetike...
Doda nuk është habitur shumë nga ikja ime. Të paktën kolegu Ymer do më ketë justifikuar për çmendurinë, teksa iu vura pas plakës. Me Dodën, fillojmë atje ku ishim. Çfarë mban mënd gjë të mirë para ’90?- e pyes. “Po, ja. Mbaj mënd sigurinë e njerëzve, mbaj mënd që robt atëherë nuk grindeshin me njëri-tjetrin, kishte pak aksidente. Njerëzit ishin të inkuadruar deri në familje. Përgjigjej gjithkush”. Po të këqijat? “Keq janë bërë shumë gjëra, por më e keqja ishte kolektivizimi i kooperativave malore duke ndjekur një shembull si Rusia, ku u fut kolektivizimi që e prishi shumë popullsinë e fshatit. Dhe çështja e luftës së klasave vend e pa vend. Aty ku duhej mirë u bë, por u bë gjithkund...”.
Lagjja e BATHORES
Në prag të viteve 90, Kamza ishte një zonë periferike me jo më shumë se 7000 banorë. Sapo mbaroi efekti i grevës së Valiasit nga fillimi i vitit 1991,u vu re një proces i ethshëm ndërtimesh të paligjshme. Pjesa më e madhe që e kanë mësyrë zonën janë nga pjesa veri-lindore e Shqipërisë (Tropojë, Dibër, Kukës, Mat ,Mirditë, Puke etj), një vend që ka mbetur tmerr i varfër dhe i prapambetur ekonomikisht për shkak të izolimit nga terreni malor dhe mungesës totale të infrastrukturës së nevojshme rrugore dhe asaj të telekomunikacionit. Sqarojmë se varfëria e tyre është ushqyer edhe nga presioni politik, por më shumë akoma prej të ashtuquajturës mungesë totale të vizionit dhe kontrollit për të disiplinuar të ardhurit, veçanërisht afër Tiranës, për të bërë një jetë më të mirë. Në ditët që flasim popullsia e bashkisë së Kamzës ku futet Bathorja, ka një shifër prej 12 herë më shumë banorësh sesa në vitin ’90. Dhe kanë okupuar një hapësirë prej 400 ha, ku të ardhurit janë të gjithë me status të paligjshëm. Shumë u është premtuar por deri më tani, pak është bërë. Të politizuara frikshëm, autoritetet lokale me kopetenca jo shumë të mëdha e kanë pasur të vështirë ta menaxhojnë zonën.
Xhaviti
Dodën e kemi lenë tutje dhe drejtohemi kah një shtëpie tjetër. Xhaviti eshtak dhe me një familje që e ka të mbledhur rreth vetes ka ‘pak’ kohë që ka ardhur nga Dibra. Ka zbritur prej tetë vitesh, por nga atje ku ishin toka, që nuk jepte shumë prodhime. Një ditë të bukur, të gjithë bashkë vendosën që të vinin në Tiranë. Blenë tokën. Kujt ia bletë? Ja blemë një njeriu, më thotë. Një tjetër, problem i Bathores dhe lloj-lloj mashtruesve të kësaj zone. Burri është i shtruar dhe flet qartë: “E përgjithshmja është që ne shumica nuk kemi përfituar. Unë mund të them se zbrita nga dikund dhe erdha, por nuk e krahasoj dot me atë që gjeta dhe si e krijova këtë që sheh sot. E kam filluar nga zero dhe të gjithën vetëm me emigracion, pa as edhe një lloj ndihme. Atje kam lënë pak tokë më pak se këtu. Nuk na mjaftonte me mbijetu. I ka pasur të mirat e veta ndryshimi, por edhe vështirësitë. Ja kam ble dikujt, por asnjë gjë tjetër nuk është bërë. Dhe asnjë lëvizje me tapinë. Për ato kemi nevojë. Duam që të njihemi”. Të njihesh ligjërisht-i thotë Ymeri. “Dua kredi por duhen disa kushte, duhet gjendje leku por ato nuk i kemi...Urbanizimi duhet. Nuk them se jemi krejt, por ka mundësi të bëhen më mirë”. E Punësimi?” Është i domosdoshëm. Vetëm me emigracion çfarë do bëhet, e mbushën tashti moshën 40 vjeç”.
Për Xhavitin shumë nga politikanët s’janë të besueshëm, por derisa krahu i majtë në logjikën e tij përkrah të varfrit dhe të mesmit ka shpresë që të bëhet diçka, nëse i venë gishtin kokës. Ne kemi shumë e shumë probleme…Po Mziut pse i besojnë edhe pse nuk ka mbajtur shumë premtime, pyes. “Ata që kanë përfituar prej tij, i besojnë. Duhej bërë një gjë më e ndërgjegjshme. “E përgjithshmja është përkrahja ekonomike në zonën tonë…Ndaj duhet parë më thellë problemi. Shërbimi shëndetësor, arsimi. Ja p.sh shkolla ‘Ahmet Zogu’. Është e mirë por s’ka fare kushte. Për shembull, s’ka ujë dhe banjë, s’ka mësues të vërtetë, pasi ata që janë i sheh në lokal duke pirë kafe”. “Ujë s’ka dhe banjat janë si më ‘44”, më thotë me mllef djali i vet, që sapo ka ardhur nga emigracioni.
...
Djali që na ka shoqëruar mundohet të më drejtojë në kthim. Xhaviti, sipas zakonit vendas, na përcjell deri tutje në udhë. Duhet të sigurohet që kemi dalë mirë. “Ka ardh koha 100% me e ndryshu. Ka mashtrime nga shumë njerëz. Ka shumë demokratë por në fakt, Bathore ka shumë socialistë. Koha e ndryshimit kërkon që të lirojnë vend...Shpresojmë që të ndryshojë gjithçka, punësimi, shëndetësia dhe gjërat e tjera...Kam nënën e sëmurë dhe në spital më duhet të paguaj 10.000 lek”. Djali është në emigracion dhe ka ardhur vetëm për votime. Pret me ngut të ndryshojë. A do t’i zhgënjejë ndryshimi vallë, pasi e duan atë që të jetë i menjëhershëm?! Kjo do shihet pas pak muajsh. Plaka ka dalë sërish dhe pret sa të kalojë një makinë zhurma e të cilës dëgjohet nga sipër. Shqisat e saj se kanë më mprehjen e dikurshme, por e orientojnë gjithsesi dhe i mjaftojnë ta orientojnë në këtë jetë. Po ajo vallë për kë do të votojë?! Nuk e di. E kujtoj se është një nga personazhet e 300 reportazheve me “MAPO” dhe “JAVA”. Ikim dhe humbasim në tunelin me flamurë që vesh Bathoren dhe Kamzën. Nuk është më çudi edhe Bathorja nuk është më krejt blu. Verë përcëlluese e qershorit të vitit 2013.