Mero Baze: “Rama të heqë plehrat e Berishës, jo papastërtitë”
Si e komentoni betejën e "mobiljeve" mes Ramës dhe Berishës? Përtej tentativës për të dëshmuar hendekun kulturor mes dy liderëve politikë, a nuk po rrezikon ky debat ta banalizojë atë që është në fakt një përplasje shumë serioze mes dy rreshtimeve të mëdha, në lidhje me tema të tilla si ekonomia, integrimi, korrupsioni etj?
E kam vlerësuar fillimisht një revansh estetik të Ramës ndaj Berishës, i cili nuk duhet të mbisundojë betejën reale mes dy modeleve të qeverisjes. Është një revansh që shqoëria ja pranon Ramës në një farë mase. Po vjen një administratë më e larë, më e veshur, më e shkolluar..por pritshmëria reale është për një adminitsratë më të ndershme, më punëtore, më vizionare dhe mbi të gjitha më të përgjegjshme.
Do të isha kurjoz më shumë për gropat e buxhetit që do gjejë Edi Rama, se sa për gropën e banjës së Berishës, allafrënga apo allaturka. Do të isha më shumë kurjoz për monopolet dhe bizneset që janë në duart e klientëve të Berishës, që gjen në zyrat e shtetit Edi Rama, sesa për mobiljet e papërdoruara të Viktor Emanuelit, për cilësinë e të cilave nuk dyshoj fare. Do të isha kurjoz për duart e lidhura të qeverisë së re për të zgjidhur kontrata të paligjshme apo klienteliste, sesa për sanitaret që janë angazhuar në punë vullentare të pastrojnë zyrat. Do të isha kurjoz sesi do të veprojnë me dosjet që gjejnë në syrtaret e Berishës dhe jo me pluhurin sipër tyre. Nuk është se nuk ka rëndësi si betejë, por ka një raport që duhet ruajtur mes thelbit dhe sipërfaqes. Gjërat e lehta notojnë në sipërfaqe. Rama ka mandat të zhytet thellë në errësirën e pushtetit që u ndëshkua. Ai duhet të heqë plehrat e Berishës, jo papastërtitë.
Ilir Meta u shpreh se ceshtja e SHQUP nuk është në prioritetin e maxhorancës. Ndërkohë numri dy i qeverisë ishte shprehur ndryshe pak ditë më parë. Si e komentoni këtë fakt?
Mendoj se ka qasje të ndryshme mes Ramës dhe Metës në raport me qëndrimin ndaj PD. Por çështja e SHQUP nuk është çështje politike, por ligjore, dhe Rama duhet t’i drejtohet ligjit, jo konsesusit për zbatimin e ligjit. Konsesusi duhet për çështje politike, fjala vjen a do ndryshojmë Kushtetutën, a do ndryshojmë sistemin e zgjedhjeve, a do ndryshojmë sistemin e drejtësisë, a do bëjmë referendum për plehrat etj. Kurse për zbatimin e ligjit nuk duhet t’i drejtohemi konsesusit poltik, pasi kështu rrezikojmë të bëjmë një shtet komisarësh, të cilët kapen lehtë.
Jozefina Topalli ka tashmë zyrën e saj në Kuvend. Si e shihni këtë lajm, kur njihet sjellja e saj shumëvjecare ndaj opozitës në parlament?
T’i japësh një zyrë Jozefina Topallit është një dënim për të. Zyra i vlen dikujt që ka një plan pune, një axhendë dhe një ide konkrete se çfarë përfaqëson. T’i japësh zyrë Topallit si ish-kryetare, është ta trishtosh duke i kujtuar çfarë ka humbur. Përvec kësaj, ajo nuk di ç’të bëjë më në zyrë. Kompjuterin nuk di ta përdorë, shkresa nuk di të bëjë, axhendë politike nuk ka më...thjeshtë mund të ftojë ndonjë shoqe të frustruar dhe të pijnë bashkë cigare dhe kafe, e të kujtojnë kohën kur kishin pushtet. Është dënim i pamëshirshëm për dikë që i ka rënë më qafë zyrave të këtij shteti.
Prej dy muajsh Lulzim Basha është kryetar formal i PD. A mund t'i bëhet një bilanc sado i shkurtër këtij mandati?
Kjo është historia e dhimbshme e një njeriu që gjithë jetën është thirrur në pushtet. Ai është gjithnjë në listë i pari, për t’i dhënë dicka, ngaqë konsiderohet i lehtë për t’u pasur nën kontroll. Për dy muaj rresht ai nuk ka asnjë tezë të tij politike, asnjë ide opozitare dhe asnjë kontroll mbi idetë që kanë lindur nga vetë opozita. Fjala vjen, Berisha ka sulmuar amabasadorin Arvizu dhe ka nxitur dhe Topallin dhe Pollon ta bëjë këtë. Basha ka heshtur dhe ka pirë kafe me Arvizunë. Berisha ka bojkotuar Kuvendin dhe ka marrë zvarrë gjithë grupin, Basha ka heshtur.
Ndryshe nga profili që pretendon, ai ka emëruar kryetar grupi dikë që nuk përfaqëson vizionin e pretenduar të tij, një deputet që vjen nga historia e parapavijës së PD, vetëm nga frika se nuk kontrollon dot grupin dhe nuk mban dot qetësi kur flet. Basha është në makth çdo orë se çfarë mendon Berisha dhe jo çfarë ai mendon ai vetë për zhvillimet. Ai nuk flet se ka frikë se nuk është dakord Berisha, nuk mendon dot se nuk di ç’mendon Berisha dhe duket i lumtur kur për ndonjë gjë është në një gjatësi vale me Berishën, pasi janë konsultuar. Ai nuk mund të udhëheqë opozitën duke pasur më frikë ish-kryeministrin, sesa kryeminsitrin aktual. Është thjeshtë një humbje kohe që do thellojë humbjen dhe tkurrjen e PD.
Së dyti, Basha ka një qasje më të keqe se vetë Berisha ndaj kritikëve në PD. Patozi, i cili ka bërë deri më sot një kritikë realiste dhe të sinqertë për atë çfarë PD po tenton të bëjë pas zgjedhjeve, është anashkluar dhe izoluar deri në linçim. Olldashi i cili vuri shishen e qumështit në rradhë për kryetar, është thjeshtë një armik të cilit nuk i flasin më as rojet e godinës. Kjo frymë armiqësie dhe paniku që ai përhap ndaj kritikëve të vet, do ta ngushtojë PD dhe do vrasë çdo shpresë për bashkim dhe ringjallje. Thjesht do kthehet në një klub imuniteti për klientët e Familjes Berisha.
Sokol Olldashi reagoi sërish së fundi për emërimin e Palokës në krye të grupit parlamentar. Ndërkohë Patozi, zyrtari tjetër i lartë i PD që ju kundërvu linjës zyrtare, duket se është tërhequr. A ka ende hapësirë për të parë një fraksion brenda PD në të ardhmen e afërt?
Patozi duhet ndarë nga Olldashi në këtë histori. Patozi ka folur si ish-nënkryetar, si njeriu më i rëndësishëm formalisht i PD, ditën që Basha është kurorëzuar kryetar i emëruar. Dhe kur i pari i shtëpisë nuk ha gjellën që gatuan e zonja e shtëpisë (nuk e kam fjalën për Argitën) atëhere ajo gjellë nuk mund t’i serviret publikut si gjellë e festës. Patozi ka bërë një radiografi realiste të situatës në PD dhe e bëri nga pozita të ndershme si njeri që ka qenë një menaxher politik, por jo njeri i pushtetit ekzekutiv. Lulëzim Basha që po tenton t’i bëjë gjyqin atij, e bën këtë nga pozitat e një njeriu që ka tetë vjet nga një karrige në tjetrën, duke lënë pas vetes gropa finaciare dhe morale.
Olldashi nga ana e vet ka një problem që duhet ta sqarojë me veten. A e besoi vërtet Berishën kur hyri në garë, se do ta linte në lirë, apo e bëri me vetëdije këtë gjest, që t’i zbukuronte fitoren Bashës?! Në rast se është e para e vërtetë, pra në rast se ai nuk e ka njohur Berishën edhe tani që ka kaluar të dyzetat, atëhere kemi para një produkt skarco. Nëse e ka bërë me vetëdije, atëhere kemi një takticien që meriton të jetë vërdallë në politikë, por jo në krye. Është pa diskutim vite larg më i aftë se Basha, por liderët lindin nga betejat, jo nga taktikat. Kur të ndeshet me Berishën dhe trashëgiminë e tij, atëhere ka për të kuptuar nëse ka fuqi të jetë lider apo jo. Në raport me Bashën, dhe Patozi dhe Olldashi janë superiorë, por të padobishëm . Ata nuk i duhen më PD për asgjë. PD nuk është as parti e njerëzve me kontribute, as parti e njerëzve të stukturave. PD është parti e shokëve dhe shokëve të fëmijëve të Berishës. Basha është më i besuari mes tyre. Të tjerët janë klientë të tyre. Mund të quhen delijordhër, ulaj, mulaj, teqja, e çfarëdo mbiemri tjetër. Nuk kanë lidhje me politikën, por me paratë dhe bizneset. Nuk ka lidhje nëse janë të majtë apo të djathtë. Kunati i Lulit është një familje enveriste në Kuervelesh, por është në zemër të pushtetit të një partie që quhet e djathtë. Kjo vërteon atë që thashë, se PD nuk ka më punë me historinë e saj, ka punë vetëm me të ardhmen e fëmijëve të Berishës. Është një ndërtesë ku ata shpresojnë të mbrohen nga e ardhmja kërcënuese, për atë që kanë bërë. Patozi dhe Olldashi shumë shpejt s’do kenë të drejtë as të kalojnë para godinës.
Afrim Krasniqi: “Maxhoranca s'e shfrytëzoi verën për t’u përgatitur”
Cili është bilanci i deritanishëm i opozitës parlamentare, sipas jush?
Opozita dukshëm duket se ende nuk është mësuar me realitetin e ri, nuk e ka kapërdirë humbjen dhe as nuk ka qënë e përgatitur për këtë rezultat. Ajo ka kryer disa veprime gjysmake, dy hapa para dhe një pas, sic ishte aplikimi 1 anëtar – 1 votë si zhvillim pozitiv, gara formale për kreun e ri, emërimi në krye të grupit të figurave politike pa mesazh dhe domethënie në politikë, dhe retorika e ashpër elektorale në një realitet krejt të ri, postelektoral. Një parti moderne kur kalon në opozitë bën disa akte: zgjedh lidershipin, ndryshon programin, prezanton një strategji të re politike dhe nis një project të ri politik të përbërë nga sjellje e re, qasje e re publike, emra dhe imazh të ri. PD ende nuk i ka kaluar asnjëren prej këtyre fazave, ndaj kështu sic është duket e turbullt, e vjetër, monotone, démodé. Aktet e saj kryesore parlamentare, - qëndrimi ndaj programit qeverisës duke bojkotuar prezantimin e tij, apo nisma e deklaruar për padi kushtetuese lidhur me foton e Presidentit, janë pasojë e kësaj gjendje kaotike dhe paralajmërim i një opozite shumë më të dobët, më pak cilësore dhe më pak frymëzuese sesa 3-4 opozitat e fundit politike në Shqipëri.
Dualizmi Berisha-Basha duket se po kushtëzon maturimin e lidershipit të kryetarit të ri të partisë demokratike. Si e shihni të ardhmen e kësaj marrëdhënieje.
Është përjashtim në raport me modelet bashkëkohore, por referuar modelit tonë unik, është e pritshme dhe e paevitueshme. Në asnjë vend nuk ka ndodhur që lideri historik edhe të dorëhiqet dhe edhe të vijojë të funksionojë si një anëtar I thjeshtë. Kudo ata kanë dhënë dorëheqje dhe kanë liruar rrugën për pasardhësin, për ti mundësuar atij shanse, hapësirë dhe mundësi të vendosë në jetë projektin e tij politik. Berisha tentoi të bëjë përjashtim, por dita ditës është e qartë se ky përjashtim nuk funksionon madje bëhet pengesë për funksiomin dhe reformimin e vetë opozitës. Sjellja në seancat parlamentare e përforcoi këtë qëndrim kritik dhe me siguri ish kryeministri do e ketë marrë mesazhin se cdo ecje në këtë formë është shumëfish negative për atë vetë, për forcën politike dhe për nevojën e vendit për një opozitë efektive parlamentare. Unë pres dhe besoj se z. Berisha brenda 3-4 muajve të ardhshëm, pas “zgjedhjes” së plotë të ekipit të ri drejtues në PD, do ta jetësojë de facto dorëheqjen për ti dhënë një kuptim edhe raportit të tij me jetën politike. Nga ana tjetër, nuk gjenden raste të tjera sic po ndodh në PD, ku një kryetar zgjidhet në post duke thënë cdo ditë se paraardhësi I tij, të cilin e ka deputet “të thjeshtë”, është I pazëvendësueshëm dhe i pakritikueshëm. Kjo fazë mirënjohjeje të tepruar dhe emocionale do kohë të kalojë për të zbritur në tokë, aty ku kryetari i ri I PD ta kuptojë mirë përgjegjësinë e tij dhe të tentojë të shndërrohet nga zyrtar administrative në lider politik të opozitës dhe të djathtës së re shqiptare. Sa më parë të ndodhë aq më mirë për opozitën, PD, të djathtën dhe demokracinë në vend.
Po nga qasja e qeverisë ndaj problemeve madhore, çfarë mund të vërehet?
Duket paradoks por cdo ditë po vertetohet fakti se mazhoranca e re nuk i shfrytëzoi dy muajt e tranzicionit për t’u përgatitur për qeverisje. Program i qeverisës ishte ambicioz, me risi, por aktet që e shoqërojnë atë, pra që e kthejnë programin në akte ligjore, kushtetuese e politike, mungojnë pothuajse tërësisht. Risia me ministrat e ri po kthehet në qëllim në vetvete, duke krijuar stafe të reja për ministrat dhe prurje të reja edhe në administrimin publik, - gjë që vjen në kontrast me nevojën e përvojës, njohurive, konkurrimit professional apo sistemit të premtuar të meritokracisë. Qeveria ka nevojë për administratorë të aftë, për juristë dhe ekonomistë të mirë, - kategori ende në minorancë të dukshme, ndërkohë që në këtë fazë ajo po dominohet nga përkthyes, gazetarë, ekspertë të marrëdhënieve publike, miq elektoralë, etj. Në ditët e para ajo po I kushtohet shumë më tepër imazhit, etikës, pamjes, akteve sporadike apo declarative sesa përballjes me thelbin e problemeve për të cilat është votuar dhe për të cilat ka një kontratë besimi me qytetarët. Asnjë nga reformat e mëdha politike nuk është ende në axhendën e qeverisë dhe lajmi kryesor në media vijon të jetë antilajmi: beteja për fotografitë, barkun e policëve apo zëvendësimet e stafeve ministrore. Ky kontrast tipik për vendet me mungesa të traditës së qeverisjes demokratike duhet të jetë i përkohshëm. Qeveria e re do ta ketë rastin edhe brenda 90 ditëve të ardhshme të kuptojë se përqasja e pushtetit funksional dhe mirëqeverisjes kërkon më shumë vision, më shumë sistem meritash, më shumë ekspertë dhe më shumë përmbajtje dhe akte konkrete politike dhe administrative.
Një listë e gjatë reformash janë hedhur në letër në tryezën e Ramës. Pushteti lokal, pronat, menaxhimi i territorit etj, janë në fokusin e premtimeve të qeverisë së re. Sa prej këtyre sfidave do të startojnë sipas jush dhe cilat janë gjasat që këto nisma të kenë sukses?
Disa prej këtyre reformave janë të vonuara dhe jetike për mirëqeverisjen, ndaj nuk shoh pengesa në realizimin e tyre. Gjithësesi praktikat politike na mësojnë se shanset për reformat e mëdha janë gjithnjë në vitin e parë të mandatit të ri qeverisës, sa më shumë kalon më pas koha aq më të pakta bëhen shanset dhe aq më shumë implikohen interesa dytësore që mbajnë vend vendimet e mëdha. E njëjta logjikë vlen edhe tani. Psh, reforma administrative. Nëse ndodh tani e pranojnë të gjithë, nëse shtyhet për një vit, afrohen zgjedhjet lokale dhe pastaj do ketë kalkulime elektorale nga cdo actor politik në dëm të konsensusit dhe në dëm të reformës së vertetë. E njëjta vlen për reformën mbi territorin, në sistemin gjyqësor, në luftën konkrete kundër korrupsionit, në decentralizimin e pushtetit, në sistemin arsimor sidomos atë universitar apo reformat e mëdha “të harruara” nga pala fituese, sic është premtimi për vendosjen përpara drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar, për zgjedhjen e Presidentit nga populli, për liri më të madhe për referendume, për rishikimin e sistemit zgjedhor dhe ndryshime në kushtetutë, etj. Pra, shanset reale për reforma janë shanset e vitit të parë të qeverisjes, deri në fundin e vitit 2014. Koha është e shkurtër ndaj nuk ka kohë për të humbur. Sa më parë aq më I gjerë është konsensusi, aq më shumë reformat kanë mbështetje e impact public, aq më shumë mbështetje jepet edhe nga institucionet ndërkombëtare dhe aq më shumë rriten shanset për një kapitull të ri mirëqeverisje në vend. Cdo vonesë i kthen këto pritshmëri në efekte negative.
Çfarë sezoni politik po përvijohet sipas jush. Do të kemi një dimër të zymtë e plot tensione politike, apo na pret një stinë ku trysnia mes palëve nuk do të jetë ekstreme?
Me difeferencat e dukshme numerike dhe në kredenciale publike midis mazhorancës dhe opozitës pritet një vit I qetë politik, pa ndonjë krizë apo tension të dukshëm politik. Nuk do ketë muaj mjalti, por dy palët do jenë të detyruara të kthehen aty ku janë votuar dhe ku është përgjegjësia e tyre kryesore publike: mazhoranca në cështjet konkrete dhe sfidat e shumta qeverisëse, opozita në nevojën jetike të saj për reformim, identitet dhe project të ri politik.