Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Tiranë-Ankara, një kurs i ri me një fqinj të vjetër

Nga 
Skender Minxhozi

Lajmet që vijnë nga vizitat gjysëm formale të Ramës në Ankara dëshmojnë për një gatishmëri jo të vogël të Erdoganit, për ta parë me precedencë dosjen shqiptare. Një ndihmë financiare e shpejtë është mesa duket, një mundësi reale, që do të marrë formë konkrete sapo qeveria e re të negociojë kushtet e lëvrimit të saj nga pozita e palës përfaqësuese

Në një batutë nga ato që më shumë shërbejnë për të pickuar kundërshtarin, sesa për të shpehur ndonjë qëndrim të caktuar politik, ish-kryetarja e Kuvendit sulmoi Edi Ramën, në lidhje me politikën e tij të jashtme ballkanike. Pyetja e Jozefina Topallit, se “ku futet SHBA në trekëndëshin e partneritetit strategjik të Piktorit”, ishte e sforcuar dhe jashtë kontekstit në të cilin ishte bërë deklarata e Ramës. Por, sado tendencioze dhe e manipuluar, akuza e përfaqësueses së lartë të PD për politikën e re rajonale të kryeministrit të zgjedhur, pasqyron një pjesë të diskutimit publik që po shoqëron vizitat e fundit të Edi Ramës dhe ministrave të tij në disa vende të gadishullit tonë.

Segmenti Tiranë-Ankara ka qenë posaçërisht nën vëzhgim, në këto ecejake rajonale. Sepse përtej vizitave të shpeshtuara dukshëm në javët e fundit të politikanëve të lartë të së majtës në kryteqytetin turk, duket se diplomacia e pas-shtatorit, do ta përfshijë edhe zyrtarisht Turqinë në listën e shkurtër e të privilegjuar të “partnerëve strategjikë”. Një përcaktim që deri më sot, në politikën tonë të jashtme, i ka takuar SHBA-ve, Italisë dhe Greqisë. 

Dëshira e re e të majtës për një politikë intensive me Ankaranë shënon një thyerje në kontekstin diplomatik. Sepse së pari ajo synon shkeljen e një piste, e cila për shumë vite shihej si monopoli politik i Berishës. Që nga koha kur kryeministri në largim privatizoi Albtelekomin, duke ja marrë nga duart procesin Nanos (në vitin 2005), e djathta e konsideruar Erdoganin dhe qeverinë e tij si një aleat të afishuar në rajon. Inaugurimi plot flamuj shqiptarë e turq i rrugës Durrës-Morinë në qershor 2009, ishte vetëm njëra ndër shfaqjet publike të dashurisë politike mes dy liderëve. E cila sot duket se është bërë shkrumb e hi.

Së dyti, Rama po kërkon të aktivizojë një segment të politikës rajonale të Shqipërisë, i cili në këto momente ka jo vetëm vlerën e njohur historike të një balance proshqiptare, në raportet e koklavitura me Athinën dhe Beogradin, por ka gjithashtu peshën e një mbështetjeje ekonomike potenciale të konsiderueshme, në këto kohë të vështira financiare. Turqia gëzon një shëndet ekonomik që asnjëri nga fqinjët e tjerë nuk e ka. Greqia e sotme, por edhe Italia pas saj, janë dy prej të sëmurëve kryesorë të Europës së Bashkuar. Humnera financiare që Athina po mundohet të shërojë, së bashku me krizën e thellë politike e sociale në të cilën ndodhet gadishulli i Apenineve, i bëjnë këto dy vende jo tërheqëse për Shqipërinë gjithashtu në krizë, nga ana e mbështetjes ekonomike. Turqia e Erdoganit ka tensione  e përplasje të një natyre tjetër, por jo probleme ekonomike e financiare. 

Nga ana tjetër, teksa merr në dorë frenat e pushtetit, Ramës i duhet të gjejë një mënyrë trajtimi dhe një formulë negociimi me palën greke, por shumë nga çeshtjet e vjetra dhe të reja. Nga pjesëmarrja e munguar e minoritarëve në qeverinë e tij, tek marrëveshja detare, apo të tjera çeshtje delikate, qeverisë së re shqiptare do t’i duhet jo vetëm aftësi rezistuese, por edhe aleatë e miq në rajon. Është më tepër sesa supozim, fakti që afrimi me Ankaranë përkon me insistimin e Athinës për të gjetur një modalitet zgjidhjeje për marrëveshjen detare, të cilën një padi e Partisë Socialiste e rrëzoi në minutën e fundit. Ky rrëzim përbën një precedent jo të parëndësishëm për të gjitha vendet që kanë probleme të kufirit detar me Greqinë, ndër të cilat Turqia ndodhet në rreshtin e parë. 

Lajmet që vijnë nga vizitat gjysëm formale të Ramës në Ankara (për sa kohë që nuk ka ende një investiturë zyrtare si kryetar qeverie), dëshmojnë për një gatishmëri jo të vogël të Erdoganit, për ta parë me precedencë dosjen shqiptare. Një ndihmë financiare e shpejtë është mesa duket, një mundësi reale, që do të marrë formë konkrete sapo qeveria e re të negociojë kushtet e lëvrimit të saj nga pozita e palës përfaqësuese. Ndërkaq një tjetër element që duket se po shtyn drejt një afrimi të mëtejshëm mes Tiranës dhe Ankarasë, është biznesi turk në vendin tonë. I cili vërtet nuk ze një vend dominues në ekonominë tonë, por është një ndër segmentet më të gjallë të jetës ekonomike në Shqipëri. 

Eksperimenti diplomatik me Turqinë duket se ka nisur dhe do të jetë më shumë se një “shi vere”. Bëhet fjalë për një hulli të re në politikën tonë të jashtme, që përmban mjaft dritë-hije, por që në fund të fundit, ngjan me një operacion të pastër të asaj që quhet prej kohësh “real-politikë”. Turqia shihet me dyshim nga një pjesë e vendeve anëtare të BE, por konsiderohet njëkohësisht edhe si një parnter me peshë në Europën Juglindore, por edhe në skakierën e ngatërruar të Kaukazit, Lindjes së Mesme, Gjirin Persik e deri në Afganistanin e largët. Në këtë prizëm, afrimi me një lojtar me peshë shënon gjithmonë një premisë pozitive. Natyrisht duke marrë parasysh kostot që shoqërojnë kurdoherë këto spostime të kursit diplomatik.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura