Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

KQZ-ja, s’doli dot nga ujërat e një politike konfliktuale

Nga 
Ben Andoni

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Sokol Hazizaj, flet për “JAVA” në lidhje me një sërë çështjesh të zhvillimeve të fundit politike në vend. Që nga vendimet e fundit të Kolegjit Zgjedhor, procesin zgjedhor, organin e akuzës, Lustracionin etj...

Sokol Hazizaj është i kujdesshëm dhe na ka dhënë një përshkrim të kujdesshëm të vendimeve të fundit të KQZ-së dhe bashkë me të edhe procedimin e këtij institucioni me këtë proces zgjedhor. “Ajo që tmerrësisht ka qenë e paragjykuar nga fillimi për arsye objektive ka qenë dhe është KQZ-ja, e cila nuk mundi të dilte nga ujërat e një politike konfliktuale, duke qenë tërësisht pjesë e saj, duke sjell si pasojë përdorimin e dy standardeve të administrimit ligjor të procesit”, ka thënë ai. 

Por, nga ana tjetër, ai flet shumë qartë edhe për sistemin ligjor dhe për Lustracionin. Madje, për këtë të fundit shprehet se: “Ndryshe nga Polonia, Çekia, Gjermania të cilat në mënyrë të menjëhershme prodhuan ligjet e duhura me objekt Lustracionin, tek ne jo rrallë herë ndodh e kundërta, ndoshta për shkak të memories gjenetike të shkurtër që kemi ose për arsye të tjera”.

Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar rinumërimin e votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Qarkun e Lezhës, duket se ka qetësuar disi situatën postzgjedhore, që po tensionohet pak. Sërish, a ishte e justifikueshme që KQZ (me vetëm katër anëtarë) të merrte vendimin për hapjen apo jo të kutive?

“Ajo çka ndryshon këtë proces zgjedhor nga të kaluarat konstatohet fakti që si ligjërisht dhe faktuar tani, procesi i 23 Qershorit u kufizua në një veprimtari thuajse tërësisht ligjore në organet e nivelit bazë të menaxhimit të procesit, siç janë ato të KZAZ-ve dhe KQV-s. Ajo që tmerrësisht ka qenë e paragjykuar nga fillimi për arsye objektive ka qenë dhe është KQZ-ja, e cila nuk mundi të dilte nga ujërat e një politike konfliktuale, duke qenë tërësisht pjesë e saj, duke sjell si pasojë përdorimin e dy standardeve të administrimit ligjor të procesit. KQZ-ja u përpoq të justifikonte rinumëriminn e dy zonave zgjedhore bazuar në nenin 124/6 dhe 138/3 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar sëfundmi, por harroi ose qëllimisht e neglizhoi objektin e kërkesës ankimore të subjektit kërkues, në rastin konkret të Partisë Socialiste. Në jurisprudencë abuzimi nga keqinterpretimi i një dispozitë me vullnet duke iu larguar provueshmërisë së kërkuar nga palët ka gjithmonë pasoja fatale për ato në proces, duke deformuar zgjidhjen e problemit. Ligji në vështrimin tekniko-formal çka se shpreh dëshira racionale dhe sociale, por kur përzihet me emocionin, veçanërisht atë cinik apo politik bëhet pengesë për zhvillimin e shoqërisë. Prandaj me të drejtë Kolegji Zgjedhor e rrëzoi totalisht aktin e prodhuar nga KQZ-ja përpos së cilës dhe pasojën. Theksoj veprimtarinë cinike të KQZ-s, thjeshtë për faktin se duke mos dashur të kalonte vendimmarrjen e saj drejtë pavlefshmërisë, e cila kërkon kuorumin e pesë anëtarëve të KQZ-s, përdori me qëllim dashakeqës dhe emocional dispozitat referuese të sipërpërmendura të cilat kërkojnë vetëm nismën e dy anëtarëve të saj, parashikuar nga paragrafi i fundit i nenit 138/3.  Moment i cili e nxori jashtë binarëve ligjor besueshmërinë dhe veprimtarinë e këtij institucioni ligjor”.

  

A është e arsyeshme që Kolegji, duhej të mos kishte pritur numërimin, për të dhënë vendimin…?

“Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë që nga emërtimi i tij duket se është trup gjyqësore dhe vepron brenda të drejtës procedurale të parashikuar në Kodin zgjedhor dhe në ligje të tjera proceduralë. Në këto kushte, ai nuk mund dhe nuk ka se si vihet në lëvizje pa kërkesa të palëve në proces kur kanë konstatuar se i janë shkelur të drejtat. Padyshim edhe anëtarët e kolegjit si shtetas të këtij vendi kanë konstatuar jo gjyqësisht se po ndodhte një marrëzi në institucionin më të lartë zgjedhor, por sa kohë palët e interesuara nuk kanë vënë në lëvizje Kolegjin, ata mund të nismojnë një gjyq kryesisht”.

  

 A do ishte korrekte që KQZ-ja, këtë vendimmarrje të saj, t’ia përcillte më parë për kompetence Kolegjit Zgjedhor?.

“Kjo gjë nuk është e mundur, sepse Kodi Zgjedhor në nenin 145/1 të tij e ka shprehur qartë se cilat janë subjektet që vënë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor”.

 

Cilën gjykoni si udhë në Shqipëri për të arritur një standard që të mos ketë vjedhje votash dhe zgjedhje të kontestuara?

“Gjërat më të parëndësishme që ekzistojnë në vendin tonë, janë fjala dhe jeta, në ndryshim me misionin për të cilin janë krijuar ato. Megjithatë parë me kujdes konstatohet lehtë se pas çdo procesi zgjedhor është krijuar rutina se duhet domosdoshmërisht bërë dhe reforma elektorale për paqartësitë e të kaluarës, duke e zgjeruar dhe zmadhuar të drejtën zgjedhore në pafundësi. Edhe rasti i ndryshimeve të fundit tregoi se një pjesë e dispozitave të tij, jo vetëm që nuk gjetën zbatim, por u konsideruan si shtojca që rritën frymën e korrupsionit të KQZ-s, duke përmendur moskryerjen e numërimit elektronik të votave. Në këtë kuptim, argumenti se cili faktor e bën të pranueshëm standardin zgjedhor qëndron vetëm në pranimin e pohimit popullor ‘Bythët janë të tuat, karrigia është e shtetit’,  pra vendosja e besimit mbi paragjykimin ndër palët politike”.

 

Si e shikoni inaktivitetin e organit të prokurorisë së përgjithshme për shumë çështje?

“Të duket ndonjëherë sikur organi i akuzës nuk ka lidhje fare më procesin zgjedhor. E vërteta ligjore është shumë ndryshe, mjafton të pranosh se edhe ky institucion si në kuptimin gjenetik dhe atë real është produkt i ligjbërësit të prodhuar nga zgjedhjet. Çdo qëndrim kundër kësaj rrjedhe është i padobishëm dhe shkon në të kundërtën e historisë së shtetit të së drejtës. Në këtë kuptim mjafton të ballafaqosh faktin botërisht të njohur të financimit të zgjedhjeve dhe veprimtarisë tërësisht jo ligjore të KQZ-s në kurorëzimin korruptiv të projektit të numërimit elektronik të votave me veprimtarinë e organit të akuzës, konstaton lehtë se sa ‘aktiv’ është ky institucion tërësisht në gjumë”.

 

Si një nga drejtuesit e Komisionit të Ligjeve si e shikoni produktin ligjor të sotëm? Pse ka aq mosmarrëveshje mes dy palëve qoftë edhe për probleme ku mirëkuptimi duket fare i lehtë?

“Kam uruar dhe uroj në mënyrë të vazhdueshme që formati ligjor dhe ligjbërës në vendin tonë ka qenë në mënyrë të vazhdueshme nën përkujdesin e institucioneve ndërkombëtare, arsye kjo e cila më bën të besoj se përafrimi ligjor shpesh herë nuk varet nga kryeneçësia e ligjbërësve shqiptar. Në këtë kuptim formati ligjor është i mirë, por kur vjen fjala për aktet nënligjore opinioni im ndryshon, sepse ato në pjesën më të madhe të tyre shkojnë diametralisht ndryshe me kërkesat dhe frymën e ligjit. Janë të zbehta, të pakorrektuara, të pabazuara dhe shpesh hera vijnë në kundërshtim me interesat e publikut, duke shprehur interesa të vockla të ndonjë ministri, drejtori apo dikujt tjetër. Këto të fundit duke qenë se janë të tilla dhe janë më afër interesave korruptive të një pjese të vogël njerëzish, shërbejnë si shtysa të konfliktit midis politikës dhe përfaqësuesve të saj”.

 

Si e keni parë përballjen e Berishës me sistemin e drejtësisë në vend në dy mandatet e tij? A mundet Rama t’i përmbahet atyre premtimeve të lëshuara për ta bërë më efikas sistemin e drejtësisë?

“Për shkak të sjelljes politike të Kryeministrit në detyrë, dhe sistemi i të drejtës vitet e fundit shpalosi të njëjtën sjellje arbitrare dhe qelizore duke mos krijuar mundësi frymëmarrje të gjithë faktorëve palë në një proces. Arena social-politike krijoi shtratin e mungesës së përdorimit të standardeve jo moderne dhe të njëanshme duke sjellë si pasojë monopolizimin e të gjitha “tregjeve” nga pushteti. Në drejtësi kjo u përshfaq në mosfunksionimin ashtu si duhet të kooperimit të veprimtarisë institucionale të organeve që japin drejtësi. Në këtë kuptim për Ramën si Kryeministër detyrat përpara janë të vështira por të kapërcyeshme, të cilat përmblidhen në këto dimensione: 1- Bërja efektive e sistemit të së drejtës ose dhënies së drejtësisë duke filluar nga pranimi i kërkesës së shtetasit deri në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, 2- Restaurimi dhe rikonturimi i sistemit gjyqësor, 3- Krijimi dhe sigurimi i bankës së të dhënave mbi pronësinë si drejtësi e munguar deri tashmë, 4- kolaudimi i kodeve material dhe procedural si një e tërë dhe jo e arnuar. Me këtë mazhorancë që besoi qytetari shqiptar për Z. Rama asgjë nuk është e pamundur”.  

 

Pse nuk ka zgjidhje për Lustracionin në Shqipëri?

“Ndryshe nga Polonia, Çekia, Gjermania të cilat në mënyrë të menjëhershme prodhuan ligjet e duhura me objekt Lustracionin, tek ne jo rrallë herë ndodh e kundërta, ndoshta për shkak të memories gjenetike të shkurtër që kemi ose për arsye të tjera. Por realiteti për të cilën unë jam i bindur ende lidhet me faktin se në arenën social-politike, krihen dhe krekosen me shumicë ‘vlerat’ e të kaluarës, të cilët për t’u lënë në harresë pollën një grup politikbërësish që vetëm me politikën nuk kanë lidhje. Për këtë mjafton të krahasosh nivelin e ligjbërësit sot me atë të viteve 1920”.

   

E fundit, por jo më e parëndësishmja, a do ketë sipas parashikimit tuaj, më në fund figura të korruptuara të niveleve të larta pas hekurave?

Jam i bindur dhe shumë shpejt do të ndodh pa u kthyer në mani psikologjike, nëse Kryeministri Rama ka vullnetin për të formatuar një sistem sipas parametrave që përmenda më sipër, ku çdo qytetar të ndihet i sigurt, i garantuar nga një gjyqtar më i sigurt dhe i vlerësuar në karrierën e tij, dhe menaxhuar nga një qeverisje transparente dhe ligjore gjithashtu. Solucioni shpëtues është i thjeshtë, i korruptuari e ka humbur që në fillim betejën me ndërgjegjen e tij, shteti për këtë arsye e kufizon dhe do ta kufizojë atë, për të mos infektuar të tjerët, prandaj është prodhuar hekuri”.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura