Zoti Muhamet Kapllani është de jure prej pak kohësh në pension. Në fakt, nuk e ka ndërprerë aspak veprimtarinë e tij si pedagog deri tani vonë, apo funksionin si opinionist në forume ndërkombëtare. Si shtetar i vjetër flet me kujdes edhe gjithnjë tejet i balancuar nga dy krahët e politikës. Është protagonist i momenteve vendimtare post ’90 të diplomacisë shqiptare dhe kjo e bën jo vetëm krenar por edhe tejet të kujdesshëm në artikulimet e tij. Në intervistën tonë zbulon me profesionalizëm disa nga problemet e diplomacisë sonë, personalizimin shpesh të saj, nepotizmin, por edhe analizon kthjellët pozicionin e Shqipërisë në rajon e botë...
Çfarë përfaqësojnë zgjedhjet e 23 qershorit për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë?
“Zgjedhjet politike të 23 Qershorit shënuan një faqe të re, një zhvillim shumë të rëndësishëm, i cili mund të quhet një moment kthese në tranzicionin post-komunist të Shqipërisë. Ato u vlerësuan si zgjedhje të lira e të ndershme, që nuk u njollosën nga dukuri negative dhe deformime të vërejtura rëndom në këto dy dekada. Fituesi dhe humbësi e njohën rezultatin pa mëdyshje, sepse rezultati i tyre gati plebeshitar imponoi në mënyrë bindëse e të pakontestueshme vullnetin e popullit. Ky prezantim i hijshëm dhe dinjitoz që bëri Shqipëria në këto zgjedhje solli natyrshëm atë vlerësim mjaft pozitiv nga aleatët dhe faktori relevant ndërkombëtar. Ky imazh i ri të bën të shpresosh dhe të jesh optimist për një kthesë rrënjësore në zhvillimin e gjithanshëm politik, ekonomik e social të vendit”.
Në vitet e fundit diplomacia shqiptare ka reflektuar disi konfuzitetin e qeverisjes së vendit. Cilat janë sfidat për diplomacinë shqiptare, sipas jush, në ditët e reja për qeverinë e re?
“Diplomacia si një nga instrumentet bazë për zbatimin e politikës së jashtme lypset të demonstrojë një maturi dhe pjekuri të veçantë, larg nxitimit dhe emocionalitetit të individëve në krye të punëve të shtetit. Fleksibiliteti dhe toleranca janë armë të fuqishme të diplomacisë, të cilat duhet të mbështeten fort në koherencën e pikëpamjeve dhe qëndrimeve, të cilat bëjnë të mundur shmangien e keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve dhe mbrojtjen me konsekuencë të interesave madhore të vendit dhe kombit. Duhet pranuar se në këto vitet e fundit në politikën e jashtme dhe në diplomaci janë shfaqur inkonsekuenca dhe dualitete që burojnë nga protagonizmi dhe konfuziteti i politikës së ditës, kur dihet që shteti ka boshte të qëndrueshme në politikën e jashtme dhe nuk improvizon me qëndrime e pozicione, të cilat mund të kompromentojnë interesat e tij. Në këtë kuptim, Qeveria e kësaj mazhorance të re pritet që të zbatojë në mënyrë të qartë e pa ekuivoke raportin midis boshteve të pandryshueshme të politikës tonë të jashtme, sikurse është Boshti i saj Euroatlantik, ai i Politikës Rajonale dhe të Fqinjësisë së Mirë, pa lënë mënjanë politika e qëndrime korrente që diktohen nga rrethanat dhe konjukturat e ditës. Kapiteni i mirë nuk e humbet asnjëherë Nordin, pavarësisht lëkundjeve të përkohshme magnetike që mund të pësojë busulla”.
A mendoni se forca e re politike do të konceptojë një marrëdhënie më të mirë partneriteti ndërkombëtar?
“Nëse boshtet themelore të politikës së jashtme dhe interesat bazë shtetërore e kombëtare shquhen për stabilitet, i cili ndikon në qëndrueshmërinë e ngrehinës së madhe shtetërore, partnerët dhe partneriteti duhet të jenë në funksion të forcimit të vazhdueshëm të kësaj ngrehine. Partneriteti nënkupton harmonizim të interesave të ditës me ato të perspektivës. Po ashtu një harmonizim të devidentit politik me atë ekonomik, si ingredient të një vizioni sa më të kthjellët gjeo-strategjik”.
Në cilat aspekte ka nevoje të reformohet sistemi ynë diplomatik?
“Në këto dy dekada sistemi ynë diplomatik ka pësuar ndryshime të rëndësishme, që kanë reflektuar ndryshimin e sistemit politik pas shembjes së komunizmit dhe vënien e tij në shërbim të zbatimit të një politike të jashtme, e cila kishte ndryshuar rrënjësisht në krahasim me atë të para viteve ’90-të. Këtu duhen përmendur përpjekjet për të formuluar dhe pasur një ligj bashkëkohor të Shërbimit Diplomatik, i cili ka pësuar ndryshime dhe përshtatje të përsëritura me ndryshimin e qeverive. Lypset që “toka” e këtij ligji të zërë vend dhe të shprehë stabilitetin e këtij shteti. Një ligj i tillë do të ndihmojë diplomacinë shqiptare të zbatojë me rigorozitet politikën e jashtme duke bërë gjithashtu një prezantim bindës e dinjitoz të saj në arenën ndërkombëtare.
Sistemi ynë diplomatik duhet të krijojë një sistem të mirëpërcaktuar vlerash dhe aftësish të kontrollueshme e të verifikueshme, që do t’i presë rrugën improvizimeve amatoreske dhe spontanitetit në funksionimin e kësaj gjymtyre me rëndësi jetike për shtetin. Qeveria e re duhet t’i japë fund praktikave të derisotme të emërimeve e promovimeve të individëve me lidhje nepotike e politike në diplomaci. Eshtë koha t’i hapet rruga zbatimit të ndershëm të Ligjit të Shërbimit Diplomatik, promovimit të diplomatëve të aftë e të shkolluar, duke respektuar sistemin e gradave dhe hierarkinë e titujve diplomatikë.
Diplomacia shqiptare duhet të kthehet në traditën më të mirë të saj, kur atë e kanë përfaqësuar me profesionalizëm e dinjitet figura të tilla si Rauf Fico, Faik Konica e Behar Shtylla”.
Keni qenë për shumë vite këshilltar diplomatik i kreut të shtetit. Si e shihni rolin dhe pozitën e presidencës në formësimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të vendit?
“Politika e jashtme është një aspekt me rëndësi të veçantë për ekzistencën dhe funksionimin e shtetit. Ajo është një produkt që del nga puna dhe përpjekjet e përbashkëta të Ekzekutivit (Qeverisë), Ligjvënësit (Kuvendit), Kreut të Shtetit (Presidentit) duke u konsultuar edhe me ekspertë, institucione studimore dhe think tanks.
Është e njohur që në një shtet të konsoliduar e serioz, boshtet themelore të politikës së jashtme qëndrojnë fort në themelet e shtetit. Ato nuk ndryshojnë sa herë ndryshojnë maxhorancat qeverisëse. Aspekte të veçanta të politikës së jashtme mund të pësojnë ndryshime dhe përshtatje në përputhje me ndryshime dhe rrethana që mund të shfaqen në marrëdhëniet ndërkombëtare apo raportet midis shteteve. Presidenti i Republikës është një nga faktorët që kontribuon në formësimin e politikës së jashtme. Me Kushtetutë, ai është një nga aktorët me rëndësi në zbatimin e politikës së jashtme. Si kryetar i shtetit, ai ka tagrin para gjithkujt tjetër të flasë në emër të shtetit si dhe të paraqesë qëndrime e pozicione të rëndësishme të shtetit në Forume, Konferenca e Takime Ndërkombëtare. Po ashtu të firmosë traktate apo marrëveshje ndërkombëtare ose bilaterale. Është e domosdoshme që të shmangen dhe të mos kenë vend rastet e shfaqura këto vitet e fundit të maxhorancës që po e lë pushtetin, të përplasjes apo kakofonisë midis kryetarit të Ekzekutivit dhe kryetarit të Shtetit, shpesh të motivuara nga sindromi i protagonizmit të kryeministrit në largim”.
Ka pasur vazhdimisht mesazhe zyrtare të instancave të larta të Brukselit apo Strasburgut për qeverisjen shqiptare, por Shqipëria s’ka mundur dy herë rresht të marrë statusin e kandidatit për në BE. A duhet një konceptim i ri i të gjithë politikës së saj të jashtme e të brendshme për t’u afruar me këtë objektiv?
“Nëse Shqipëria ka dështuar dy herë rresht të marrë statusin e vendit kandidat, kjo është në radhë të parë pasojë e mosfunksionimit të politikave të brendshme, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar, përplasja dhe mungesa e konsensusit midis maxhorancës dhe opozitës, si dhe mospërmbushja e parametrave dhe rekomandimeve të Brukselit janë përgjegjësit kryesore në mosarritjen e këtij objektivi.
Gjykoj se nuk është fjala për një konceptim të ri të politikës së jashtme si e tillë. Ajo që mund të kërkohet është një zbatim i ri më krijues, më bindës dhe i zhdërvjellët i kësaj politike. Le të kuptojmë një herë e mirë, sidomos në dritën e të metave dhe gabimeve dhe të masave të qeverisjes së shkuar tetëvjeçare, se politika e jashtme dhe diplomacia nuk kanë për mision të mbulojnë apo kamuflojnë defekte dhe mosarritje të politikës së brendshme, siç edhe ka ndodhur në jo pak raste me qeverinë e shkuar. Diplomacisë i takon të shpjegojë dhe të shpërfaqë qartë me profesionalizëm dhe integritet zhvillimet e brendshme në tërë kompleksitetin e tyre, duke përcjellë tek kancelaritë ndërkombëtare imazhin e një shteti serioz e të besueshëm. Çështja shtrohet: A ka Shqipëria infrastrukturën e duhur humane dhe logjistike për të përshfaqur realitete të reja? Gjykoj se këtu do të duhet një punë e madhe dhe e kualifikuar për të plotësuar hallkën dhe strukturat kombëtare të angazhuar me procesin e integrimit me njerëz të aftë e të përkushtuar për të realizuar komunikim adekuat me hallkat dhe homologët e tyre evropianë si të barabartë dhe jo si telefon i prishur. Kjo ngre gjithashtu nevojën e zëvendësimit dhe rinovimit të ingranazheve të ndryshkura, të plotësimit të stafeve me djem e vajza që përmbushin standardet bashkëkohore. Duhet arritur një përmirësim i ndjeshëm i infrastrukturës humane dhe asaj logjistike që t’i përgjigjet nivelit të kërkesave që shtrohen para vendit tonë në këtë stad bashkëpunimi me Evropën dhe botën”.
Marrëveshja e fundit e Kosovës me Serbinë duket se ka hapur një dritare të re bashkëpunimi në Ballkan. Si e shikoni pozicionin e ardhshëm të Shqipërisë në këtë marrëveshje?
“Marrëveshja Kosovë – Serbi është një zhvillim pozitiv që i hap rrugën njohjes së vërtetë të Kosovës nga Serbia, e cila de facto mund të thuhet se e ka bërë njohje të tillë. Kjo marrëveshje ç’tensionon situatën midis këtyre dy shteteve dhe popujve që deri dje kishin “mbërthyer brirët” në një luftë të përgjakshme, me synimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga serbët dhe me përpjekjet për jetë a vdekje të shqiptarëve për t’u çliruar nga pushtimi dhe genocidi serb. Kjo marrëveshje është një zhvillim i mirëpritur në Ballkan, ku pajtimi i faktorit shqiptar dhe atij serb përbën një nga premisat kryesore për paqtimin e rajonit tonë.
Çdo përmirësim apo normalizim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në mënyrë të natyrshme mundëson edhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Tiranës dhe Beogradit. Kështu pra, hapet një dritare e re që sjell më shumë ajër dhe dritë në trekëndëshin Tiranë, Prishtinë, Beograd duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën e përgjithshme politike dhe atë të bashkëpunimit në Ballkan”.
A duket se nga politika e ndjekur deri më tani ka një largim të padukshëm të Shqipërisë me Kosovën?
“Ajo që mund të duket si një iluzion optik e që ju e quani si një largim, në fakt mund të jetë shprehje e një vëmendje të pamjaftueshme ose e një vëmendje të munguar nga Tirana dhe Prishtina ndaj njëra-tjetrës në këto periudha me angazhime të ngjeshura respektive që burojnë nga axhenda ndërkombëtare, e pse jo edhe nga shqetësimet dhe problematikat e brendshme. Megjithatë asgjë nuk mund të justifikojë dobësimin e interesit apo të vëmendjes nga administratat dhe politikat respektive në të dy anët e kufirit.
Është mjaft inkurajuese që gjatë fushatës, por edhe më pas, kryetari i PS-së Edi Rama, që së shpejti do të marrë drejtimin e qeverisë së re, ka folur me terma optimiste për raportet dhe bashkëpunimin e ardhshëm Shqipëri-Kosovë në shumë fusha dhe drejtime, sidomos aty ku ato paraqiten komplementare. Zoti Rama po demonstron një vizion të kthjellët për marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë që pa dyshim do të prodhonte një sinergji të veçantë midis këtyre pjesëve të një kombi që e sheh realizimin e bashkimit përmes përpjekjeve për integrimin në familjen e madhe evropiane”.
Ka një ngërç të qëndrimit shqiptar për disa problem ndërkombëtare, prej lidhjes së re të aleancës me SHBA. Shpesh, kjo marrëdhënie ka ‘sakrifikuar’ dhe marrëdhëniet evropiane të saj. Si e shikoni të orientuar në të ardhmen Shqipërinë?
“Marrëdhëniet e ngushta me SHBA-në, aleatin tonë primar lidhen fort me politikat dhe mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momentet kyçe të shekullit XX dhe deri në ditët tona. Por si një vend evropian, që aspiron pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria ka një raport të veçantë bashkëpunimi miqësor me Brukselin dhe Strasburgun, pa më të voglin dyshim, boshti themelor i politikave të jashtme do të mbetet orientimi euroatlantik sepse ai përputhet me interesat jetike strategjike të shtetit dhe kombit tonë”.
Projekti i madh i TAP-it e afron më shumë Shqipërinë me Italinë dhe Greqinë. Nga ana gjeostrategjike e mendoni se do ndikojë në marrëdhënie me fqinjët e tjerë?
“Duke qenë një projekt madhor me vlera të mëdha ekonomike, ai është në të njëjtën kohë dhe një projekt i rëndësishëm politik që e çliron Evropën Perëndimore nga vartësia e monopolit rus të gazit. Ky e vendos vendin tonë në hartën evropiane si një kontributor dhe përfitues sa ekonomik aq gjeostrategjik. Ai përbën një plus më shumë në marrëdhëniet tona me dy fqinjët Greqinë dhe Italinë por do të ndikojë me impaktin e vet në raportet tona me fqinjët e tjerë të rajonit”.
Si një nga diplomatët që keni marrë pjesë në ngjarje madhore të Shqipërisë, si protagonist, cilat janë momentet më të njohura dhe të rëndësishme të historisë së diplomacisë shqiptare?
“Pa dashur të marrë përsipër të bëj një historik gjithëpërfshirës të ngjarjeve madhore të diplomacisë shqiptare, e quaj me vend të përmend këtu rëndësinë e aktivizimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitet ’20 dhe në një korrelacion të pashmangshëm me angazhimin e presidentit amerikan Ëillson në favor të çështjes shqiptare dhe kundër ambicieve shoviniste për copëtimin e Shqipërisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës më 1968 shënon një akt madhor që pavarësisht se u krye nga regjimi komunist në thelb shkonte në favor të interesave të shtetërore dhe kombëtare shqiptare. Ky akt sikundër deshi të parathonte ose të parandjente atë që ndodhi pas dy dekadash në Shqipëri, kur ajo përmbysi regjimin komunist dhe shpalosi vokacionin e saj historik pro-perëndimor .
Një moment kulmor të diplomacisë shqiptare përbën dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike pas 52 vitesh midis Shqipërisë dhe SHBA-së më 15 Mars 1991. Kam pasur fatin dhe nderin të firmos në Uashington si Ministër i Jashtëm këtë akt historik, ndërsa në Qershor 1991 Shqipëria u pranua në Berlin, si anëtare me të drejta të plota në KSBE (sot OSBE), duke iu bashkangjitur kështu komunitetit euroatlantik të bashkëpunimit dhe Sigurisë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fundit të Luftës së Ftohtë. Me Ministrin e Jashtëm gjerman të asaj kohe, Gensher pata nderin të bashkëpunoja ngushtë si ministër i jashtëm i vendit tim në realizimin e këtij akti të rëndësishëm. Edhe sot ndjej kënaqësi dhe jam krenar që në përbërje të delegacionit shqiptar u përfshinë edhe kryetarët e partive politike, të lindura në Shqipërinë pluraliste të pas viteve ’90. Duhen përmendur si momente shumë sinjifikative për diplomacinë e re shqiptare ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në Jeruzalem në gusht të 1991 dhe më pas me Vatikanin, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera duke plotësuar kështu atë boshllëk të madh në hartën politiko-diplomatike të Shqipërisë, të trashëguar nga izolimi i gjatë komunist. Pa dyshim me rëndësi të veçantë ka qenë angazhimi i Shqipërisë së re demokratike në realizimin e ëndrrës së madhe të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar. Sadoqë përparimi në këtë drejtim nuk ka qenë ai i pritshmi.
Një moment për të cilën edhe diplomacia shqiptare mund të krenohet përbën anëtarësimi i vendit tonë në Aleancën Veriatlantike në NATO në vitin 2009 dhe realizmi i pavarësisë së Kosovës më 2008 për arritjen e të cilës shteti dhe diplomacia shqiptare dëshmuan një angazhim dhe përkushtim të lavdërueshëm”.