Z. Jaho, këto ditët e fundit është ngritur përsëri çështja e heqjes së imunitetit. Për këtë janë shprehur politikanë dhe deputetë, analistë dhe juristë. Ka mendime se ai mund të hiqet edhe duke miratuar një ligj të veçantë, nëse, si mazhoranca edhe opozita, do të jenë dakord. Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj.
Pyetjes tuaj më lejoni t’i përgjigjem shkurt. Gjatë periudhës 1996 – Mars 2011, lidhur me këtë problem jam shprehur disa herë publikisht. Kam pasur dhe kam mendimin se kufizimi apo heqja e imunitetit mund të bëhen vetëm me ndërhyrje në kushtetutë (Neni 73, pika 2), sepse është kushtetuta që e sanksionon atë.
Përse të mos miratohet me ligj të veçantë, nëse janë të një mendimi si mazhoranca ashtu edhe opozita? Nëse ata janë të një mendimi dhe për këtë arrihet konsensus i gjerë, atëherë përse të mos ndërhyhet në kushtetutë? Nëse kufizimi apo heqja e imunitetit do të bëhej me ligj të veçantë, ky do të ishte një precedent që edhe ndonjë dispozitë tjetër kushtetute të ndryshohej me ligj të veçantë.
Cilat mund të ishin pasojat e miratimit të një ligji të tillë?
Prokurori i Përgjithshëm do duhej t’i jepte përparësi dhe të zbatonte nenin 73 të kushtetutës dhe dispozitën përkatëse të kodit të Procedurës Penale, d.m.th., t’i drejtohej Kuvendit me kërkesën e autorizimit për ndjekje penale. Veç kësaj, ky ligj, nga subjekt i legjitimuar mund të bëhej objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmëri me kushtetutën. Në këtë rast, gjykata, mendoj se ligjin e miratuar do ta shpallte të papajtueshëm me Kushtetutën (konkretisht me nenin 73, pika 2 të Kushtetutës). Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia që ligji të anulohej nga legjislatura e ardhshme e Kuvendit.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Z. Wolfarth, para disa ditësh është shprehur se imuniteti mund të kufizohet me një ligj të veçantë, se kushtetuta nuk duhet prekur çdo ditë. Ç’mendim keni për këtë?
Unë di vetëm se ndërkombëtarët kanë rekomanduar të shikohet çështja e imunitetit, por jo për mënyrën se si duhet vepruar, me ligje apo me ndryshime në Kushtetutë. A nuk ishte kjo mazhorancë dhe kjo opozitë që, pa transparencë dhe brenda disa orëve, ndryshuan nene të rëndësishme të Kushtetutës, duke cenuar kështu edhe balancat midis pushteteve?!
Nëse ka vullnet, ai duhet të shprehet dhe të konkretizohet vetëm në përputhje me Kushtetutën. Leverdishmëria çon në arbitraritet.
Ka mendime se heqja e imunitetit është faktor kryesor në luftën kundër korrupsionit. A ndani edhe ju të njëjtin mendim?
Jo, lidhur me këtë çështje unë mendoj disi ndryshe. Faktorët që kultivojnë dhe përhapin korrupsionin kushtëzohen nga elemente dhe rrethana të ndryshme. Pikërisht për këtë, nuk mund të jepen receta shteruese. Megjithatë, mund të thuhet se kufizimi i imunitetit, i kombinuar me masat për t’i bërë organet e sistemit të drejtësisë dhe prokurorinë të pavarur, do të ndikonte pozitivisht. Për këtë, i rëndësishëm është zbatimi i parimit të Kushtetutës, të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve. Faktori kryesor për të arritur rezultate ndaj fenomenit të korrupsionit, pasojat e të cilit janë tepër të rënda, mendoj se do të ishte çrrënjosja e tij në vetë sistemin e drejtësisë. Në këtë ushtrim duhet t’i jepet fund kulturës dhe praktikës së “pandëshkueshmërisë”.
Prokuroria e Përgjithshme është shprehur se ekzistenca e imunitetit ka penguar ose kushtëzuar ndjekjen penale. A qëndron kjo?
Për këtë mund të pyetet dhe të japë argumente Prokurorja e Përgjithshme. Mendimi im është se, nëse organi i prokurorisë ka pasur të dhëna për kryerjen e ndonjë vepre penale nga ky apo ai deputet, nuk kishte pse të ngurronte për t’iu drejtuar Kuvendit, aq më tepër se, si pozita ashtu edhe opozita, janë shprehur se do të miratonin çdo kërkesë të prokurorit. Nuk besoj se menjëherë pas heqjes së imunitetit, prokurori do të veprojë në mënyrë spektakolare për të vënë përpara përgjegjësisë personat që nuk do të kenë imunitet. Reforma në sistemin e drejtësisë është më e gjerë dhe më e thellë nga sa mund të mendohet. Është kjo arsyeja që bën të nevojshme për ta parë realitetin në sy, duke iu shmangur çdo fryme vetëkënaqësie.
Ç’mendim keni për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve?
Kjo është një temë që kërkon një vëmendje të veçantë. Kam rezerva. Mendoj se nuk duhet nxituar. Aktualisht, një shtrirje e tillë mund të mos ishte e përshtatshme. Por edhe nëse për këtë do të arrihej konsensusi i gjerë, kjo mund të realizohej vetëm me ndërhyrje në Kushtetutë dhe vetëm në bazë të një diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës.
Mandati i Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore është shtyrë deri në fund të muajit Prill. Mendoni se ky afat do të respektohet?
Nuk besoj. E them këtë duke pasur parasysh problematikën e rëndësishme që ende nuk është bërë objekt diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës.
Jo vetëm për zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por edhe për çështje që ka diktuar praktika, Kodi Zgjedhor duhet të pësojë ndryshime (shtesa, saktësime, etj.). Nuk ka dyshim se përmirësimet e mëtejshme në Kodin Zgjedhor do të ndikojnë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por vullneti politik, me synim arritjen e standardeve që kërkohen, është i një rëndësie të veçantë. Për këtë del nevoja e një reflektimi më të thellë dhe më transparent, sidomos lidhur me vërejtjet dhe konstatimet që bëhen në Raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.
Po për sistemin zgjedhor, çfarë mendoni?
Sistemi aktual, megjithëse është demokratik, kam mendimin e nuk garanton plotësisht një nga parimet e rëndësishme të zgjedhjeve: barazinë e votës. Po të ketë vullnet politik, edhe ky problem zgjidhet.
Pretendohet të mos i hyhet kësaj çështjeje, derisa për këtë nuk ka ndonjë rekomandim nga OSBE/EDIHR-i. Ky pretendim, për mendimin tim, është i zhveshur nga argumentet. Ligjet nuk ndryshohen vetëm në bazë të rekomandimeve të të tjerëve. Veç kësaj, zbatimi i këtij apo atij sistemi zgjedhor nuk është ndonjë parim që kërkon unifikim për të gjitha vendet. Sistemet zgjedhore që zbatohen në këtë apo atë vend demokratik mund të jenë të ndryshme, në varësi nga kushtet konkrete, historia, tradita, emancipimi demokratik, shkalla arsimore kulturore etj.
Në Kodin zgjedhor, nuk përfshihet kapitulli mbi referendumet, edhe pse ai nuk është shfuqizuar. A del nevoja e ripunimit të këtij ligji?
Është për të ardhur keq që qysh nga viti 2000 dhe deri më sot, kapitulli i përfshirë në Kodin Zgjedhor, për referendumet, nuk ka ndryshuar.
Në 23 Prill 2004, komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i, kanë bërë vërejtje të rëndësishme për disa dispozita të këtij kapitulli. E megjithatë, këto vërejtje janë anashkaluar. Nuk kemi dëgjuar që rishikimi i këtij ligji të jetë në axhendën e Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, kur duket se populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë. (Neni 2, pika 3 e Kushtetutës).
Ministri i Drejtësisë, gjatë vitit 2011, ka kryer inspektime në organet e prokurorisë dhe i ka dërguar Kuvendit raportin përkatës. Sipas këtij raporti janë konstatuar mjaft shkelje. Ç’mendoni për këtë?
Jam në dijeni, sipas informacionit të dhënë nëpërmjet medias. Nuk kam ndonjë interes të njihem me këtë raport, edhe për faktin se për inspektime të tilla kam pasur dhe kam një mendim krejt të ndryshëm, për të cilin jam shprehur disa herë edhe publikisht. Inspektimin e ekzekutivit (të Ministrisë së Drejtësisë) me organet e Prokurorisë nuk e quaj në përputhje me Kushtetutën. Konkretisht, me nenet 7, 148 dhe 149 të Kushtetutës.
Është e vërtetë se ligji mbi Prokurorinë e legjitimon këtë inspektim, por në dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, theksohet se asnjë organ, përfshi këtu edhe Kuvendin apo Komisionet hetimore, nuk kanë të drejtë të kontrollojnë dhe vlerësojnë bazueshmërinë ligjore të vendimit të marrë nga prokurori, se kompetent për këtë është prokurori më i lartë dhe gjykata në rastet e parashikuara në ligje. Kuvendi, në shqyrtimin e Raportit të Ministrit të Drejtësisë, besoj se do të ketë parasysh vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese me Nr. 26, Dt. 4-12-2006 dhe Nr. 12, Dt 20-5-2008.