Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Një dashuri në kohët e komunizmit

Nga 
Ben Andoni

Romani ka strukturë të rregullt dhe paralelizmi me qytetin N., që ngërthen pjesën kryesore të romanit me qytetet e huaja ku personazhi jeton pjesën e dytë të jetës së vet, e japin natyrshëm diferencën e mentalitetit por edhe të lirisë. Por, në të dyja syresh, autorit tonë i mungon diçka: në qytetin N. liria e vërtetë e qenies, kur në qytetet e huaja vetvetja.

Libri i Rudolf Markut ose më saktë romani i tij ka marrë duartrokitje të gjata nga të gjithë kolegët e vet. Ashtu si mund të merret me mënd Preç Zogaj, Visar Zhiti dhe Nasi Lera e kanë shpallur bashkërisht si një libër të jashtëzakonshëm. Edhe pse romani me emrin e çuditshëm “Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës”, e ka plotësuar deridiku pritmërinë e tyre, nuk mund të thuhet asesi se është një libër i rrallë. Brenda ka një dashuri të bukur, që nuk mbruhet mirë dhe një fund (që ai e ka zgjidhur teknikisht mirë por disi patetikisht) jo shumë të arrirë.

Personalisht, më duket se linja më e veçantë në libër s’është dashuria, por është ajo e njerëzve të ashtuquajtur laramanë. Pra, njerëzit që e mbajtën me vullnet dhe e lëvizën rrotën e tmerrshme të diktaturës mbi plagët e njerëzve dhe që pastaj natyrshëm u konvertuan në kinse viktima. Madje, në zgjidhjen e romanit, autorit i ka anuar më shumë pesha nga ky element, kur na ka dhënë metamorfozën e njeriut më të ndyrë të qytezës, njërit syresh që e kish torturuar personazhin kryesor, dhe që tash arrin e merr azilin politik dhe madje i shërbyer edhe nga vetë njeriu që e rrëfen historinë. Në një farë mënyre, pa dashur, autorit i ka rrjedhur nënvetëdija, duke na dhënë më së miri se e gjithë shoqëria shqiptare ishte fajtore për atë kohë dhe pjesë e këtij sistemi.

Autori, si gati të gjithë autorët e romaneve që i dedikohen asaj kohe, e ndan fabulën: ne dhe ata.

“Eunukër të shkretë”, mendoi-“Qënie qyqare”. Dhe për herë të parë iu shfaq para syve tabloja e gjerë e errësirës që e qarkonte jetën e tij. Dhe jetën e Evës. Dhe jetën e një Eve tjetër. Dhe jetën e të atit të Evës që ishte në burg. Dhe jetën e Rusit të bardhë. Dhe atë të Pal Kallmetit, të Antonio Lunës, dhe të atyre mijëra e mijërave që ai nuk ua dinte emrat, por që sapo I shihte në rrugë, një shqisë secrete, e thellë, e panjohur, I thoshte zëulët:-Janë të së njëjtës racë si ti. Si u kishte thënë Hasan Fuksi jeunese doree? Ju jeni tanët! Atëherë dhe ai kishte të drejtë të thoshte se të gjithë humbësit, të gjithë të vetmuarit, të përjashtuarit, të nëmurit, Eva, prindërit e Evës janë tanët. Qeshi hidhur tek mendonte këtë dnarje kaq artificial të racës njeërzore, që në fund të fundit të gjithë, pa asnjë përjashtim, kishin një lindje dhe një vdekje. E mendoi veten përpara një të vdekuri. Përpara një kufome. Kujt i përket ti? Cilit grup? A je yni?”

Në libër ke vërtet fate dhe personazhe që janë tejet interesantë dhe mund të ishin deri pjesë e romaneve të veçanta, por autori i bindur për fuqinë e tij përmbledhëse, i ka futur në të njëjtin libër. Dashuria e qashtër e dy personazheve të tij shpesh shkëputet nga ndërthurja e linjave të tjera, por gjithsesi të mban në tonus për të parë metamorfozën. Kjo e fundit mund të ishte dhe një nga titujt e përshtatshëm të romanit të tij. Njeh pas shumë kohësh të atin e vajzës, në Londër mbron një nga persekutorët e vet, në vendin ku jeton ambasador është dikush që e ka denoncuar, apo vajza martohet dhe jeton e qetë në SHBA…

Kjo linjë nuk i ka bërë shumë ‘përshtypje’ autorit tonë, pasi më me interes është struktura e vet. Larg të tjerave duhet thënë se romani lexohet me dëshirë dhe të ngjall shumë kujtime nga jeta e provincës së asaj kohe, ku mënyra e jetesës ishte e tillë që duhej thjesht të përshtateshe. Personazhi ynë jo vetëm që di të manovrojë por përpiqet të bëjë dhe jetën e vet, duke na zbuluar dhe episode të jashtme të jetës, e cila bëhej në Lidhjen e Shkrimtarëve të asaj kohe, por edhe mënyrën sesi elementë të veçantë të asaj kohe, kishin kodin e tyre sesi e qesëndisnin regjimin.

Romani ka strukturë të rregullt dhe paralelizmi me qytetin N., që ngërthen pjesën kryesore të romanit me qytetet e huaja ku personazhi jeton pjesën e dytë të jetës së vet, e japin natyrshëm diferencën e mentalitetit por edhe të lirisë. Por, në të dyja syresh, autorit tonë i mungon diçka: në qytetin N. liria e vërtetë e qenies, kur në qytetet e huaja vetvetja.

Vepra mund të ndërtohej më e ndërfutur në strukturën e vet dhe kjo do t’i jepte mundësi që planet të kishin lidhje me njëra-tjetrën. Në vend të kësaj, ai ka zgjedhur një formë jo shumë të komplikuar por që i ka shërbyer idesë së vet. Të duket sikur autori mbetet vetëm në atë kohë dhe mu aty në Qytetin N.: “Sa frikë që kanë njerëzit e Qytetit N, nga dashuria, mendoi i trishtuar. Veç dashurinë nuk ta falin. Në këtë qytet vjedhja është virtyt, gënjeshtra është birëkurvërsi, mëndjetrashësia është vetëmbrojtje, injoranca është modesti, mashtrimi është shprehja e një intelekti superior…”. Fjalë të bukura, por që më shumë i shkojnë kohërave të njerëzimit modern sesa kohës së një sistemi, ku njeriu idealizonte të pamundurën.

 

 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura