Qyteti shqiptar në librin e sociologut Artan Fuga, mund të thuhet se për herë të parë shpaloset me të gjithë atributet e tij në letrat shqipe. Merita e Fugës është se abstragimin për këtë vepër, që e ka titulluar “Rënia e qytetit” e lidh direkt me një punë të mirëfilli shkencore, ku ai ka punuar për kohë me radhë. “Te ne, zona rurale është në proces urbanizimi, kurse qyteti e ka përzënë natyrën nga hapësirat e veta”, thotë ai diku, duke na përcjellë me fjalitë e tij të përmbledhura, një mesazh mbi vëzhgimin e studimit të tij shkencor. Nuk ndalet në pak gjëra. Përmes një shtjellimi të qartë, ai na merr me kujdes në kaptinat e librit të vet, ku shpesh disiplinat përzihen natyrshëm me njëra-tjetrën. Dhe, shqetësimi i tij, mbetet në faktin se metropoli shqiptar nuk ka më ndonjë ndryshim aq të madh nga metropolet e tjera ndërkombëtare.
Por qyteti shqiptar me paradokset e tij dhe me metamorfozën e menjëhershme i ka dhënë një laborator të tërë, që z. Fuga e ka zgjidhur me metodikën e vet, duke na e dhënë me të gjithë strukturën e saj dhe ndërveprimin me funksionet sociale. Ndryshe nga shumë punime, ky i Fugës, të fut në vëzhgime që autori i ka bërë direkt dhe i përcjell po vetë me shumë maturi.
Libri ndahet në tre pjesë dhe secila prej tyre ka disa sythe. Duket se libri ka qenë i ristrukturuar më së miri nga autori, që pastaj e ka hedhur në formën e botuar gati si një libër xhepi. Të duket se studimi është finalizimi i një sërë shkrimesh të bashkuara, të bëra në kohë të ndryshme, falë obligimeve që autori i ka të vazhdueshme e të rregullta në median shqiptare.
Në pjesën e parë kemi qytetin në shpërpjesëtimet e territorit, që lidhet me shumë sythe interesante, të cilat përafrohen që nga mbipopullimi urban, funksionet e humbura të qytetit dhe duke vazhduar me qytetin pa natyrë, betonizimin e zonës bregdetare etj. Në pjesën e dytë kemi të shpalosur “Sfidat e mirëqenies urbane”, ku autori na përcjell dhe përqasje shumë interesante që lidhen me pozicionet e sotme të qytetit me ekonomitë e hijeve, me krizën financiare, vështirësitë e punësimit etj.
Kurse pjesa tjetër, e fundit, flet direkt për “Imazhin e qytetit”, ku sythet e ndërthurura më së miri, shkojnë që nga zhurmat në qytet, e simbolikat e tjera...
Duhet thënë se libri të josh që ta lexosh me një frymë, sepse t’i konfirmon njohuritë që ke prej perceptimit subjektiv, njohuritë dhe shkëmbimeve të opinioneve, me atë që autori e afron si material të mirëfilli studimor, mbështetur shpesh me referenca bashkëkohore.
Qyteti i kohës sonë vërtetë që ndryshon shumë nga koha e diktaturës dhe këtë më së miri na e jep, që në dukje të parë pasqyra e arkitekturës së re. Një përgjigje të këtij ndryshimi e gjen në hapësirën private, e cila dikur nuk ekzistonte asfare në Shqipëri. Ndërsa në periudhën diktatoriale, hapësira publike shtrihet kudo duke e reduktuar në maksimum hapësirën private, në qytetet e sotme shqiptare, arriti e ndodhi një prirje tjetër: Hapësira publike iu nënshtrua pushtimeve të parregullta, sundimeve të paligjshme, dhe konsiderohet, si në shtrirje fizike ashtu dhe në atë akustike, si pronë e më të fortit, na shtron argumentin e tij autori. Që më poshtë vijon: “Popullsia rurale ka të drejtën politike dhe juridike të shkojë për të jetuar në qytet, ku sigurisht jeton shumë keq, por ama ka fituar lirinë, lirinë për ta drejtuar vetë jetën e saj personale e familjare si të dëshirojë, pa ndërhyrjen e shtetit”.
Por, këtu s’ka vend shumë për iluzione sepse qytetet e periudhës së pas viteve ’90, tashmë janë bërë vend grumbullimi i banorëve të gjithë zonave nga andej-këndej vendit duke na falur një kaos të paimagjinueshëm, pasi përbëjnë jo vetëm simbolin e plotësimit të dëshirave për punë (kuptohet jo gjithnjë e përmbushur), por edhe kënaqësi të shumta të ndryshme për kohën e lirë dhe konsumin.
Në një vend tjetër, autori parashtron problemet e ndarjes territoriale, duke ardhur pastaj me gjithë problematikën që përcjell një gjë e këtillë. Nuk dihet sot ku mbaron një fshat i madh me një qytezë të vogël, thotë ai.
Vëzhgimet e autorit mundohen të kapin shumë elementë, që mbeten në hije. E ndërkohë që privatja po bëhet e shenjtë dhe për mbrojtjen apo cenimin e saj kanë ikur jetë të tëra njerëzish, për të përbashkëtën tashmë nuk do t’ia dijë më askush. Shteti, që duhet t’i dalë zot konsiderohet si një nocion abstrakt. E kjo e bën që parqet, vendet e argëtimit të reduktohen e reduktohen pafund. Me gjithë problemet e shfaqura në këtë drejtim, Fuga thekson rëndësinë e gjetjes së identitetit të qyteteve shqiptare. Të themi se kjo është një mision i pamundur? Studiuesi Fuga i përmbahet pikëpamjes të vigjilencës për qytetet, por edhe për zonat rurale apo të ndërmjetme me pak banorë (“markt” siç i quajnë gjermanët).
Por, a thua vallë e kanë lexuar politikbërësit këtë libër? Jemi të bindur se asfare, sepse ata nuk mund ta ndalojnë kaosin që e kanë mbjellë dhe e mbajnë vetë, për interesat meskine të qëndrimit në pushtet.