Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Porti i Durrësit: Një histori gjymtimi nën hijen e koncesioneve

Nga 
Gladiola Bendaj

Po të kthejmë kokën pas, secili nga ne do të kujtonte kollaj se në tetë vjet qeverisje nuk u ndërtua asnjë plan i mirëfilltë për zhvillimin e bregdetit. E megjithatë qeveria ‘Berisha’, në ikje e sipër, ka ndezur një “putifer” koncesionesh, që bëjnë pazar me pasuritë publike. Terminali i Trageteve, kontrolli fizik, Terminali i Kontejnerëve, Porti i Jahteve, shitje shërbimesh e makinerish... Në Portin e Durrësit dhunimi i aseteve publike s’njeh më kufi

Shitje, privatizime, dhënie me koncesion, kalime pronësie...ca nën rrogoz e ca në dritë të diellit... Nuk është një amok në fakt. Nën bekimin e kryeministrit, ministrat me radhë ngusin të hedhin firma e vula, mbi letra pazaresh e premtimesh elektorale. E, megjithë deklaratat e qarta nga krahu tjetër politik, se të gjitha këto vendime do të kalojnë edhe njëherë në sitën ligjore, duke kthyer mbrapsh çdo leje të dhënë bazë aferash e që dëmton hapësirën e pronën publike, epopeja e privatizimeve e koncesioneve për një grusht parash vazhdon. 

Por, nëse mund të flitet për sakatim të pronës publike këtë më së miri e përligjin pazaret që janë bërë e janë duke u bërë me Portin e Durrësit dhe gjithë hallkat e funksionimit të tij. 

 

Portet turistike, si kërpudhat pas disfatës

Sikur infrastrukturës tonë portuale t’i mungonin vetëm portet turistike, qeveria “ende në detyrë” ka zënë për flokësh ditët e saj të numëruara deri në shtatorin e dorëzimit të stafetës dhe ka marr përsipër të japë me koncesione ndërtimin e disa porteve për jahtet përgjatë vijës bregdetare. Po të kthejmë kokën pas, secili nga ne do të kujtonte kollaj se në tetë vjet qeverisje nuk u ndërtua asnjë plan i mirëfilltë për zhvillimin e bregdetit. E megjithatë, qeveria Berisha në ikje, e ka vendosur që me frymën e saj të fundit të ndezë një putifer luksi, që u bën vend ankorimi mijëra jahteve, nga jugu në veri të vendit. Ku t’i doni. Nga Porto Palermo, tek Ura Dajlanit në Durrës, po iu mbush mendja edhe një mbi Vollgë, një tek Gjiri Lalzit etj. 

Pas tenderit të 18 qershorit që shpalli fitues të vetmin të interesuar për dhënien me koncesion të ndërtimit të një porti jahtesh në Gjirin e Lalzit pranë Kepit të Rodonit në Durrës, në 27 qershor në mbledhjen e parë të qeverisë pas humbjes së thellë që i shkaktoi koalicioni opozitar, u miratua një tjetër kontratë koncesionare e pa kërkuar. Bëhet fjalë për ndërtimin e një porti jahtesh në Porto Palermo, ku qeveria ka miratuar propozimin e njëanshëm të një kompanie private. Së fundmi, pa shumë bujë e rrëmujë, një tjetër port jahtesh ka marrë bekimin e qeverisë në ndërtimin dhe dhënien e tij me koncesion. Qeveria në ikje ka vendosur t’ia dhurojë privatit edhe koncesionin për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës, pa një garë reale. 

 

Porti i Jahteve në Durrës

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 21 gushtit, qeveria Berisha miratoi vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të portit të jahteve pranë Urës së Dajlanit në Durrës. Asgjë nuk doli nga hiçi, në fakt. Të njëjtin vendim, në fillim të prillit të një viti më parë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit e pat bërë gati dhe e pat dërguar për mendim në ministritë e përfshira, edhe për një tjetër kompani private që kishte paraqitur kërkesën për marrjen me koncesion. Nuk dihet se përse e humbi davanë subjekti “I.S.D.C.”. Ndoshta sepse projekti i paraqitur prej saj nënkuptonte para së gjithash zaptimin e gjithë shëtitores “Taulantia”. 

Prandaj edhe zhvendosja erdhi “qetazi” deri pak ditë parë. Porti i jahteve do të ndërtohet në hapësirën pranë Urës së Dajlanit dhe subjekti i cili ka fituar tenderin për koncesionin është “Adriatic Yachting Marina”. Vendimi i qeverisë nuk jep shumë detaje në lidhje me kushtet që do të vendosë shteti shqiptar për veprën, por bën të ditur se autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të ndërtimit të portit të jahteve pranë Urës së Dajlanit, Durrës, është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Koncesioni do të jetë i formës ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit. Në vendim thuhet se bonusi prej 8 % të pikëve do të jetë për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor.

 

Të tjera afera të dyshimta koncesionare

Vendimi për dhënien e Portit të Durrësit me koncesion është marrë nga qeveria, pa marrë në konsideratë vlerësimin e autoritetit portual për këtë çështje, madje pa edhe pa e vënë në dijeni për ketë operacion. Burimeve nga Porti i Durrësit bëjnë të ditur se gjatë muajit maj janë zhvilluar pranë Autoritetit Portual të Durrësit disa tenderë për të përzgjedhur se kush do të ketë të drejtën e shërbimeve jetike për Portin dhe kush do të marrë për një periudhë kohe hapësira pranë kësaj ndërmarrjeje për t’i shfrytëzuar si koncesionar. Sipas të njëjtave burime, mësohet se asnjë prej garave nuk është njoftuar as në faqen e internetit të Portit Durrës, as në atë të ministrisë së Punëve Publike e Transportit, madje vendimet nuk janë pasqyruar as nga Agjencia e Prokurimit Publik.

 

Terminali i Trageteve 

Gjithçka që do të nxirrte nga duart këtë aset publik që sillte jo pak të ardhura në arkën e shtetit, duket se ishte kopsitur mirë, duke qenë se tenderi u zhvillua vetëm tre ditë para zgjedhjeve, duke anashkaluar tërësisht Autoritetin Portual të Durrësit. Terminali i Trageteve në Portin e Durrësit u dha me koncesion për vetëm 3.2 milion euro. Një shifër qesharake do ta vlerësonte edhe ai që di më pak nga këto punë. Megjithëse nga ana e tyre, socialistët që pritet të vijnë në krye të qeverisë në shtator, paralajmërojnë anulim të tij dhe të të gjithë tenderave abuzivë, deri më tani terreni është përgatitur që Porti i Durrësit do të kalojë në menaxhim të dy kompanive të huaja, duke i hequr kështu çdo të drejtë shtetit shqiptar për menaxhimin e portit më të madh në vend. 

Vendimi është marrë 3 ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe hyn në fuqi menjëherë pasi kompanitë fituese të paraqesin dokumentacionin pranë Ministrisë së Transporteve dhe të depozitojnë në një bankë të nivelit të dytë shumën e parashikuar në kontratë. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike janë publikuar dy kompanitë që do të menaxhojnë portin e për rrjedhojë do të vjelin edhe të ardhurat që deri tani shkonin për llogari të buxhetit të shtetit. Fitues, sipas APP-së, është shpallur grupi FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Albania Netëorking, të bashkuar në subjektin Albanian Ferry Terminal Operator (AFTO), që merr koncesionin e menaxhimit, operimit, përmirësimit teknik dhe mirëmbajtjes të terminalit në Portin e Durrësit. 

 

Kontrolli fizik

Një tjetër subjekt kyç që kaloi në duart e privatit ishte edhe kontrolli fizik në dogana. Në vitin 2012 kontrolli fizik i mallrave që hyjnë dhe dalin në doganat shqiptare u dha me koncesion. Deri atëherë ky proces kryhej nga punonjësit e administratës doganore. Pas dhënies me koncesion, mallrat kontrollohen nga një skaner i instaluar nga firma private dhe përkthehet në kosto, që i faturohet bizneseve importuese dhe eksportuese. 

 

Terminali i Kontejnerëve

Nga burime pranë autoritetit portual të Durrësit, mësohet gjithashtu se këto ditë pritet të shiten të gjitha pajisjet dhe mekanizmat e Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit, për një shumë prej 3.7 milionë eurosh. Procedura është ajo e ankandit dhe shuma minimale e kërkuar në total është 520 milionë lekë të reja, pa TVSH. Ankandi zhvillohet para implementimit të qeverisë së re, më 2 shtator. Makineritë janë pajisje të rënda, të tipit pirun, autovinça, koka tërheqëse Scania, porta-kontejner, por edhe shtatë vinça të mëdhenj portualë.

 

400 mln eurot e koncesioneve që varfërojnë arkën e shtetit 

Megjithatë, sikundër edhe është paralajmëruar, së fundmi edhe në një deklaratë të qartë të deputetes Ermonela Felaj, dhënia me koncesion e disa prej shërbimeve të detyrueshme për shqiptarët do të rishikohet nga qeveria e re që do të marrë punën në shtator. Tre koncesionet kryesore që do të kalojnë në sitën e ekspertëve do të jenë, markimi i naftës, skaneri në dogana dhe koncesioni për portin e Durrësit. Ndërkohë, listës së kontratave që mund të rishikohen nga qeveria e majtë, i shtohen edhe kontratat për rreth 300 hidrocentrale në të gjithë vendin. Nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është konstatuar se për 30 HEC-e Ministria e Ekonomisë dokumentacioni ekonomik. Parregullsitë, shkeljet dhe mosllogaritja e penaliteteve si pasojë e moszbatimit të kushteve të kontratave në 73 koncesione, kanë shkaktuar mungesë në të ardhurat e llogaritura nga këto subjekte. 

Por, pjesa më e madhe e parave del nga Shqipëria përmes tre koncesioneve më të mëdha të firmosura nga qeveria. Bëhet fjalë për miliona euro të transferuara në duart e firmave private, të cilat para privatizimit të shërbimit shkonin në arkën e shtetit. Këto tre koncesione përllogaritet të nxjerrin nga Shqipëria rreth 400 milionë euro. Transferimi i fundit që miratoi qeveria Berisha ishte markimi i naftës. Qeveria transferon një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme dhe përjashton nga vendimmarrja parlamentin, duke shkelur kështu ligjin. Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës pak kohë më parë kërkoi informacion në lidhje me koncesionin.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura