Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Arben Ahmetaj: Nafta, kërkohet revolucion në arin e zi

Nga 
Revista JAVA

Deputeti socialist shpjegon për Java se ku konsiston strategjia e qeverisë së re në sektorin e hidrokarbureve. Transparencë e menaxhimit aktual, mbyllje e ciklit të përpunimit dhe vjelje e të drejtave sovrane – ja hapat kryesore të reformës së ardhshme në naftën shqiptare

Gjatë fushatës elektorale PS ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria që po ikën, ka menaxhuar sektorin e hidrokarbureve. Ku konsiston kritika juaj konkretisht?

Gjatë gjithë jetës tonë opozitare këto katër vite në Parlament dhe jashtë, jo vetëm kemi kritikuar, por kemi treguar me fakte keqmenaxhimin dhe skandalet në sektorin e hidrokarbureve. Ku konsiston keqmenaxhimi dhe skandalet për të cilat po flas? 

Së pari; në sektorin e prodhimit të nxjerrjes së naftës, ka një mungesë totale transparence nga ana e qeverisë dhe ne kemi bërë të mundur të tregojmë dëmet që rrjedhin nga negocimi i këtyre marrëveshjeve. Duhet të theksoj se pas viteve 90 nuk ka asnjë pikë nafte të re të zbuluar. Të gjitha marrëveshjet janë të bazuara në fushat ekzistuese të zbuluara para 90-tës dhe e gjithë ndarja e prodhimit është e bazuar mbi prodhimin para ekzistues, ndërkohë qeveria nuk është në gjendje të tregojë me saktësi se çka është investuar në të njëjtën kohë përveç rentës minerale. 

Së dyti, kompanitë paguajnë zero tatim fitimi për buxhetin e shtetit, në të njëjtën kohë gjithë nafta bruto e prodhuar në vend, për shkak të keqmenaxhimit dhe borxheve të krijuara në zinxhirin hidrokarbur, përpunohet e gjitha jashtë Shqipërisë, ndërkohë që Shqipëria zotëron asete të përpunimit të naftës bruto siç është Armo. 

Cila është arsyeja që Armo nuk funksionon? A është Armo një shembull se si qeveria menaxhon asete kaq të vlefshme? Vetëm nëpërmjet saj, dëmi shkon rreth 200 milionë dollarë në të ardhurat tatimore dhe në vlerë të shtuar brenda vendit. Mungesa e ciklit të plotë në këtë sektor është një nga dëmet më të mëdha që i shkaktohet vendit në këtë sektor. 

Së treti; është pjesa e shitjes me pakicë e cila është gjithashtu tregues se çfarë ndodh në këtë vend, mjafton t'ju kujtoj skandalin e naftës Virginia, mjafton t'ju kujtoj kontrollin mbi cilësinë e naftës, mjafton t'ju kujtoj luhatjen e çmimeve me pakicë prej tregut vendas e të huaj dhe çdo lexues e kupton çfarë ka ndodhur.

 

Në këmbim të këtij qëndrimi kritik, cili do të jetë organizimi i ri i këtij sektori që ju do të aplikoni? 

Së pari: sigurisht në bashkëpunim me kompanitë që punojnë në nxjerrjen e naftës do t’i rishikojmë kontratat në mënyrë që vendi të përfitojë atë që i takon në bazë të standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që buxheti i shtetit të përfitojë atë që i takon. Besoj se brenda 4 muajve të parë të qeverisë Rama, kjo pjesë të jetë juridikisht e përputhur. Së dyti: qeveria do të plotësojë kuadrin ligjor për ciklin e plotë të përpunimit të naftës, duke vendosur detyrime për palët, si për pjesën prodhuese nxjerrëse të sektorit dhe patjetër atë përpunuese. Kjo do të bëjë të mundur lënien brenda vendit të një vlere të shtuar, gati të barabartë me atë dëm të shkaktuar, të cilën e kam përmendur më lartë. Së treti: Sektori i shitjes me pakicë ka nevojë për institucione serioze për monitorimin e cilësisë dhe të çmimit. Kjo nuk do të thotë që do të ketë çmime të kontrolluara. Absolutisht jo, por kjo do të thotë se askush nuk mund të abuzojë me situata monopol në tregun me pakicë, si me cilësinë  ashtu dhe me çmimin. Këtu dua të shtoj se ne do ta anulojmë koncesionin e bërë me nxitim për markimin dhe monitorimin e naftës me dëm 15 milionë Euro për kompanitë private.

 

Cila shpresoni të jetë kontributi i këtij sektori në buxhetin e shtetit, pas kësaj formule të re menaxhimi? Është folur shumë për të drejtën sovrane mbi sektorin e hidrokarbureve. A mund ta zbërtheni këtë koncept në rastin shqiptar? 

Vetëm nëpërmjet vendosjes së të drejtës sovrane, të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë plus 100 milion dollarë. Dua të ndaloj të shpjegoj pak të drejtën sovrane. E drejta sovrane është e drejta e popullit për të përfituar nga pasuria që zotëron. Shqipëria është një nga dy vendet në Europë që ka rezerva nafte në tokë. Deri më sot nuk është bërë asnjë përpjekje për të vendosur të drejtën sovrane në bazë të standardit kombëtar.

Në terma teknikë, si kuptohet e drejta sovrane: 

Ka një koncept teknik, që quhet balli i pusit, që do të thotë që në rastin kur kompania nxjerr 100 ton naftë (barela apo fuçi nafte), qeveria apo kompania ka rënë dakord për standardin e kostos, për ta nxjerrë këtë naftë. Dhe sot standardi i pranuar për koston shkon nga 7 deri në 10 ton në nxjerrjen e 100 ton nafte, që do të thotë që ngelen 90 ton naftë për t’u ndarë midis shtetit dhe kompanisë. 

Minimumi i standardit të ndarjes sot, është 30%, që e ka Irlanda, kurse maksimumi është Venezuela me 92%. Vende si SHBA, Rusia apo Arabia Saudite shkojnë në rreth 50%. Nëse do të ecim me minimumin e standardit ndërkombëtar, i bie që nëse sot prodhohen një milion ton nafte, do të zbrisnim rreth 100.000 ton naftë si kosto për ta nxjerrë dhe 900.000 ton do të ndaheshin midis buxhetit të shtetit dhe kompanisë nxjerrëse. 

Pastaj më tej, mbi pjesën që i takon kompanisë do të aplikoheshin standarde të tjera ndërkombëtare, ku përfshihet edhe përllogaritja e faktorit R, që është një term teknik, juridik dhe financiar në trajtimin fiskal të sektorit të naftës"

Për shkak të ciklit të plotë, do të kishte rreth 90 milionë dollarë të ardhura tatimore plus, të ngelura në buxhetin e shtetit, përveç vlerës së shtuar që do të ngelej në vend. Sigurisht që ka edhe përfitime të tjera nga mirëmenaxhimi i sektorit të shitjes me pakicë.

 

Si do të vijojë, në këtë perspektivë të re, ecuria e privatizimit të Albpetrol dhe aseteve të tjera të industrisë së naftës e gazit?

Tentativa për të privatizuar Albpetrolin është një nga proceset më pak serioze që i ka ndodhur qeverisë Berisha. Ne e kemi kundërshtuar formën, mënyrën dhe mungesën e transparencës së ndjekur në këtë proces. Ne kemi kundërshtuar edhe faljen e të drejtës sovrane, që tentoi të bënte qeveria Berisha, duke e quajtur atë tradhti kombëtare. Trajtimi që do t’i bëhet sektorit, do të përfshijë edhe trajtimin e ri që do t’i behet Albpetrolit. Por, së pari dhe mbi të gjitha, e gjithë veprimtaria e Albpetrolit do të futet në një proces investigimi të thellë, për të nxjerrë grabitjen e madhe që i është bërë kësaj kompanie këto vite. Në Albpetrol janë vjedhur sasi të jashtëzakonshme nafte bruto, që në vlerë shkojnë rreth 45 milionë dollarë.

 

Meqë ndodhemi në momentin e zyrtarizimit të projektit TAP, si e komentoni këtë lajm dhe cili do të jetë impakti i tij në ekonominë shqiptare?

TAP është një lajm i mirë për Shqipërinë. Për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit Gjeo-energjetik ndërkombëtar. Kjo do të thotë për Shqipërinë më shumë siguri kombëtare, më shumë siguri energjetike dhe sigurisht më shumë përfitime ekonomike. Përllogaritet paraprakisht që investimi, në pjesën shqiptare, të jetë rreth një miliard dollarë, të ardhurat tatimore për buxhetin e shtetit dhe punësim. 

Ka përfitime direkte dhe indirekte. Personalisht kam besuar se një Shqipëri jashtë rrjetit strategjik gjeoenergjetik, nuk do të kishte kurrë vëmendjen e duhur. Vetë fakti që në hartën gjeoenergjetike, Shqipëria do të jetë si vend tranzit i gazit, dhe pse jo konsumator industrial dhe shtëpiak i tij, do ta bëjë Shqipërinë një vend më të sigurt për investimet e huaja. Gjithsesi, deri në momentin e fillimit të punimeve dhe përfundimit të projektit ka shumë punë për të bërë. 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura