Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Amnisti e politizuar, si amnisti e dështuar

Nga 
Bardhi Sejdarasi

Edhe njëherë për faljet fiskale të Berishës. Dhe pse ato nuk mund të jenë efektive. Përpjekje për një amnisti të re, reale dhe të mirëpritur, apo “një urë për të kaluar në familjen e ndershme që paguan rregullisht taksat” e disa bizneseve klienteliste?

Kur kryeministri i kërkoi spikeres së Kuvendit të thërrasë  seancën e jashtëzakonshme të ditës së enjte, në axhendë u përfshi edhe miratimi i “amnistisë fiskale” (!) Më i çuditur se të gjithë nga ky njoftim ishte Ministri i Financave dhe stafi i tij. Aq sa në mes të çudisë dhe hutimit autoritetet e kësaj ministrie i deklaruan medias se as që kishin ndonjë draft gati për miratim! Dhe se askush në këtë dikaster po merrej me amnistinë!?

Aq e vërtetë duhet të ishte kjo sa një nga aktorët e njohur të biznesit, që kishte paraqitur në këtë ministri një kërkesë për rishikimin e amnistisë së 2010-2012, lutej në media për një përgjigje zyrtare nga kjo ministri dhe ajo nuk vinte…

Mesa duket edhe draftin, edhe vendimin, edhe relacionin e “ligjit” të ri i kishte bërë një njeri i vetëm. Dhe ky duhet të ishte kryeministri. Sepse ky kërkoi edhe miratimin me urgjencë të draftit të amnistisë fiskale, ndërsa krerë të biznesit në vend, rradhazi, nëpërmjeët medias, kërkonin këtë dokument ligjor për të lexuar dhe komentuar(?!) 

Mua m’u kujtua një intervistë që i kisha marrë disa vite më parë këshilltarit për ekonominë të kryeministrit. “Duhet kuptuar së pari se amnistia fiskale nuk është thjesht një proces teknik”- këmbëngulte ai. Dhe unë e kuptoja se ishte një proces më i gjerë, që kërkonte kohë, njerëz të ditur, debat dhe përplasje përvojash si dhe legjislacion të saktë. Po ja që ishte lajmëruar miratimi i “ligjit të ri” të aministisë dhe kjo ishte bërë zyrtare nga zyra e kryeministrit (?!)

Mirëpo, si në vitin 1999, kur u hodh për herë të parë ideja e një amnistie fiskale nga ish-Presidenti i kohës Meidani, si në vitin 2010 kur u draftua dhe miratua pa mbështetje të plotë dhe në emergjencë zgjedhjesh elektorale aministia e “pjesshme”, pra ajo që dështoi me bujë, nuk u la në dispozicion as kohë dhe as nevoja për konsultime. Më e theksuar kjo u bë në këto ditë të fushatës elektorale, kur siç përmenda, as kreu i financave nuk e dinte që në Kuvend mund të miratohej një “draft” që ofronte “amnisti”.

 

Përtej kërkesës së kryeministrit

Këmbëngulja e aktorëve të ekonomisë për zbatimin e një amnistie reale shpreh me zë të lartë një realitet, i cili, sigurisht në vendin tonë ekziston. Dimë që ka informalitet në pasqyrimin e fuqisë punëtore, informalitet në deklarimet e sistemeve të pagave, të të ardhurave. Kjo vlen si për individët, ashtu edhe për sipërmarrjet. Kemi informalitet në deklarimet e pasurisë, të kapitalit, të formave të ndryshme të aktiveve, të pasurive të paluajtshme, të shprehura në para ose forma të tjera. Ekzistenca e këtyre kapitaleve të fshehura nuk i lejon pronarët e tyre t'i vënë normalisht në punë këto kapitale. Nuk kanë mundësi t'i përdorin fondet e fshehura as në formën e kapitaleve, të aktiveve apo pasurive të paluajtshme. Të gjitha këtu u gjykua se do të “kopsiteshin” në amnistinë e 2010. 

Në këtë vit, ministri i Financave pranonte ekzistencën e planit “amnisti”, jo vetëm si nevojë e biznesit, por se “u poqën kushtet” edhe për qeverinë. Numri një i financave, vlerësoi atëhere se amnistia fiskale do të gjeneronte rreth 3 miliardë dollarë, ose 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP), që aktualisht konsiderohej “ekonomia gri” apo pjesa informale. Përballë një paneli gazetarësh të njohur të ekonomisë, Bode paraqiti disa detaje të marrëveshjes me biznesin, që konsiderohet më i rëndësishmi në 20 vitet e tranzicionit shqiptar. 

Por asgjë nuk ndodhi! Tani kryeministri kërkon amnisti tjetër. 

Ndërsa mua më kujtohet Argjentina. Sepse ka ndodhur në Argjentinë. Unë mbaj mend shumë mirë në një intervistë që kam bërë para shumë vitesh me Karlos Elbirt, që në atë kohë ka qënë drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. Karlos ishte nga Argjentina dhe ai thoshte se, kur Argjentina bëri amnisti fiskale njerëzit ishin gjithmonë duke pritur një tjetër amnisti fiskale. Sepse amnistia nuk u shoqërua me një përmirësim të administratës fiskale, që do të thotë se nuk do të kishte më evazion dhe administrata do të vepronte rreptë ndaj mos shlyrjes së detyrimit tatimor nga subjektet.

“Argjentina është një vend i industrializuar dhe shumë më e përparuar se Shqipëria, por dështuam me amnistinë fiskale. Unë mendoj se administrata fiskale duhet të ketë nën kontroll të plotë gjithë vendin. Shqipëria është akoma larg nga kjo gjë”, - thoshte atëherë Elbirt. Dhe nuk është se ka ndryshuar shumë kjo panoramë e administrimit fiskal edhe sot!

 

Amnistia, një obsion

vetëm elektoral

Ajo që u deklarua si amnisti dhe që u hodh për konsum publik politik nuk ka asgjë të ngjashme me amnistinë e vërtetë që kërkuan bizneset  dhe që ishte në interest ë qeverisë. Në 2010-tën qeveria nuk denjoi të marrë në konsideratë rekomandimet e sipërmarrjes dhe amnistia, edhe pse u “shty” disa herë nuk prodhoi rezultatin e shumë pritur, Vetëm individët përfituan disi prej saj, ndërsa sipërmarrjet hezituan dhe nuk u përfshinë në “faljen” e qeverisë. Nuk ndodhi ajo që thoshte Presidenti Rusvelt në vitet 30-të :”të mos kemi frikë nga frika” dhe kur ekonomia amerikane çliroi vlera të pallogaritshme dhe nisi rrugën e një superfuqie ekonomike botërore, pikërisht nga një amnisti e gjerë dhe e studiuar.

Në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë studim që lidhet me amnistinë. Ekspertë të ndryshëm thonë se Shqipëria humbet çdo vit nga evazioni fiskal rreth 1 miliard euro. Por amnistia nuk mund të bëhet çdo vit dhe amnistia nuk është pjesë e politikës fiskale. Në të kundërtën.

Amnistia fiskale do të jetë e vlefshme vetëm nëse ka një përmirësim në administratën tatimore, duke integruar pikërisht të gjitha subjektet në sistemin e tatimpaguesve. Nëqoftëse nuk ka një përmirësim në administratën tatimore, e cila të kërkojë, që pas një aministie të mos vazhdohet sërish me evazion fiskal dhe me mospagimin e detyrimeve ndaj shtetit, çdo masë e marrë do të jetë joefektive.

Amnistia fiskale nuk do të ketë ndonjë efekt të madh as në këtë drejtim. Nëqoftëse unë si shtet nuk jam në gjendje të përmirësoj gjendjen e administratës fiskale, aministia fiskale do të krijojë një situatë të tillë që njerëzit gjithmonë të presin një aministi fiskale tjetër. Kur ti kërkon të bësh një aministi fiskale, duhet të jesh shumë i sigurt se do të ketë një fillim të ri, nëse mund të themi kështu, në administratën fiskale. 

Një amnisti fiskale, në fund të fundit, është në përgjegjësi të Ministrisë së Financave. Sepse kjo ministri ka detyrim konstitucional për grumbullimin e të ardhurave fiskale. Aministia fiskale është një falje e detyrimeve, kështu që është vetëm Ministria e Financave ajo që mund të ndërmarrë hapin e amnistisë fiskale dhe t’ia sugjerojë këtë qeverisë. 

Në vend të mbylljes…

Amnistia sot gjykoj që nuk i duhet as biznesit. Ashtu si ajo ishte formulur në ligjin e 2010-ës, vetëm biznesit nuk i shërbente. Nuk ka punuar dikush mbi atë draft për ta përmirësuar dhe miratimi i tij i pandryshuar-sikundër flitet këto ditë- vetëm do të sillte një tjetër dështim të amnistisë së shumëpritur. Amnistia politike e promovuar si “rrufeja” në qiell të hapur, mbetet të jetë një amnisti e dështuar, nëse do të ndërmerret si një aksion politik dhe vetëm kaq. Përpara kërkesës për një amnisti të re, biznesit i duhet të kërkojë implementimin e reformave të deklaruara, formalizimin e plotë të ekonomisë, rritjen e efikasitetit të administrimit fiskal dhe eleminimin e gjobave marramendëse të paargumentuara. Këto e të tjera janë më shumë e më mirë se një amnisti, që mund ta bëjë Shqipërinë si Argjentinën e largët… Dhe mund të pyetet me të drejtë: Kjo është një përpjekje për një amnisti të re, reale dhe të mirëpritur, apo “një urë për të kaluar në familjen e ndershme që paguan rregullisht taksat” e disa bizneseve klienteliste?

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura