Nëse një strukturë e tillë krijohet, gjasat janë që ajo të vendoset nën varësinë e një ministri, siç mund të ishte ministri i Brendshëm, apo i Drejtësisë. Në fakt, media, deri më tani, ka spekuluar me emrin e ish-kryeprokurorit Sollaku në krye të saj. Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i detyrojë të gjitha këto shërbime të mos punojnë paralel. Byroja Kombëtare e Hetimit, që konsiderohet si një propozim i Toni Bler, bën me dije se ky është një institucion i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga e gjithë asistenca e specializuar ndërkombëtare për Shqipërinë, për të bashkuar në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara. Flitet se në këtë strukturë do të mirëorganizohen të gjitha këto shërbime me drejtime të ndryshme, e të pakoordinuara por që konsumojnë para pa punë...
Modeli i kësaj strukturës së re që mendohet të krijohet, Byroja Kombëtare e Hetimit, a mund të themi se mund ta shtojë më shumë kakofoninë e shërbimeve inteligjente në vend?
“Eshtë e vërtetë që në vitet e fundit ka pasur një shtim të numrit të shërbimeve dhe agjencive të cilave u janë dhënë kompetenca të gjera të grumbullimit të informacionit dhe kryerjes së hetimeve, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur një vlerësim të qartë si të motiveve për krijimin e tyre, ashtu edhe të mënyrës se si këto shërbime e kanë përmbushur misionin që u është caktuar.
Përsa i përket të ashtuquajturës Byroja Kombëtare e Hetimit, unë nuk kam ndonjë informacion të mëtejshëm mbi këtë projekt të mundshëm, përveç ç’ka ka qarkulluar në media kohët e fundit. Por nisur nga çfarë është shkruar mbi misionin, strukturën dhe kompetencat e kësaj agjencie, duket se bëhet fjalë për një agjenci të zbatimit të ligjit, e cila do të përqendrohet të hetojë një grup të caktuar krimesh, të cilat shihen si kërcënim për rendin dhe sigurinë në vend.
Nga ana tjetër, ky projekt, duket se bie ndesh me projektin tjetër të proklamuar nga Partia Socialiste për futjen e të gjitha agjencive hetimore të zbatimit të ligjit brenda Policisë së Shtetit nën moton ‘një shtet, një polici’.
Nëse krijohet një Byro Kombëtare e Hetimit, ajo eventualisht mund të përqendrohet në një institucion të vetëm me një numër agjencish me kompetenca informative dhe hetimore në fushën e krimit ekonomik, financiar apo kibernetik, ku Policia e Shtetit mund të mos ketë ekspertizën dhe elasticitetin e duhur strukturor për të hetuar këto krime në mënyrë të efektshme. Nëse një strukturë e tillë krijohet, gjasat janë që ajo të vendoset nën varësinë e një ministri, siç mund të ishte ministri i Brendshëm, apo i Drejtësisë”.
Cilat janë modelet më të mira në vendet demokratike të organizimit të shërbimeve inteligjente?
“Nuk ka ndonjë model të unifikuar se si vendet demokratike i organizojnë shërbimet informative. Ato çka më së shumti përcaktojnë strukturimin e shërbimeve informative janë llojet dhe shkalla e kërcënimeve me të cilat përballet secili vend, objektivat strategjike dhe të sigurisë si dhe pesha në arenën ndërkombëtare, burimet financiare dhe njerëzore, tradita institucionale etj. Një vështrim mbi sistemin e shërbimeve informative në vendet me demokraci të konsoliduar, por edhe vendet më të reja demokratike, lë të kuptohet se organizimi i shërbimeve informative ka ndryshuar duke iu përshtatur kërcënimeve të sigurisë në arenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu, mbas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, shumë vende kanë reformuar sistemin e shërbimeve informative për të përballuar këtë kërcënim. Karakteristikë e përbashkët e shërbimeve në vendet demokratike janë parimet e shtetit ligjor dhe të respektimit të të drejtave themelore të njeriut, të cilat garantohen nëpërmjet sistemit të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies. Dhe për të realizuar këtë, një nga parimet e zbatuara gjerësisht është ndarja e aktivitetit informativ nga ai hetimor për të shmangur abuzimet. Megjithëse duhet theksuar se kjo ndarje ka ardhur duke u zbehur gjatë dekadës së fundit nën kërcënimin nga terrorizmi, ku mbledhja e informacionit, parandalimi i akteve terroriste dhe hetimi kriminal për vënien e të dyshuarve përpara drejtësisë pothuaj janë të pandara. Kjo prirje e ka vënë nën presion garantimin e të drejtave themelore të njeriut, sepse mbasi një sistem i tillë krijohet ai mund të përdoret edhe për qëllime të tjera, përveç luftës kundër terrorizmit. Debati që ka përfshirë jo vetëm SHBA-të, por mbarë botën mbas denoncimit nga Eduard Snoëden të praktikave për mbledhjen e informacionit në masa nga agjencitë informative dhe hetimore në SHBA, tregon sa ruajtja e balancës së duhur ndërmjet sigurisë dhe të drejtave është një ushtrim i vështirë dhe i vazhdueshëm edhe për demokracitë e konsoliduara”.
A ka mundësi që krijimi i një organizimi të tillë të përdoret nga qeveria për përndjekjen e kundërshtarëve të saj?
“Rreziku i keqpërdorjes së shërbimeve informative është eminent për çdo qeveri. Informacioni është pushtet dhe pushteti korrupton. Në fjalët e mendimtarit dhe politikanit britanik, Lordit John Dalberg Acton, ‘pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute’. Parë nën këtë këndvështrim, centralizimi i sistemit të shërbimeve inteligjente mund t’i bëjë ato më efektive, por përmban rrezikun e keqpërdorimit të tyre, siç ka ndodhur në vitet e komunizmit apo në fillim të viteve 1990 në Shqipëri.
Nga ana tjetër, decentralizimi i sistemit të shërbimeve, siç paraqitet aktualisht, ka sjellë rënie të efektivitetit, po të kihet parasysh se shtimi i numrit të agjencive është shoqëruar me shtimin ndjeshëm të buxhetit për mbajtjen e tyre, ndërkohë që koordinimi i tyre pothuaj nuk ekziston. Në kushtet e mungesës së kontrollit dhe mbikëqyrjes edhe përdorimi ndaj kundërshtarëve politikë nuk përjashtohet, por me një sistem të centralizuar shërbimesh informative pa një sistem efektiv mbikëqyrjeje nga Parlamenti, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile rreziku i shpërdorimit të tyre është më i lartë”.
Ju keni asistuar vazhdimisht në lidhje me këshillimin për infrastrukturën e shërbimeve inteligjente në vend. A mendoni se këto shërbime i kanë shërbyer vendit me të dhënat e tyre?
“Eshtë e vështirë që të jepet një vlerësim mbi mënyrën se si shërbimet informative dhe të sigurisë në Shqipëri e kanë përmbushur misionin e tyre, pasi nuk ka një regjim që të bëjë të mundur një vlerësim të tillë. Kjo, së pari, lidhet me kulturën e sekretit të trashëguar nga regjimi komunist, ku shërbimet informative përmenden vetëm kur ndodh diçka që i vendos ato në qendër të vëmendjes së publikut.
Në dy dekadat e fundit ka qenë një dështim moskapërcimi i kësaj tradite dhe hermetizmi i pajustifikuar ndaj shërbimeve informative. Ato financohen nga fonde publike të buxhetit të shtetit dhe qoftë edhe për këtë duhet të kishte një vlerësim se në çfarë japin këto shërbime në kthim të këtyre fondeve. Pra, si për çdo sektor i politikave publike duhet të këtë një vlerësim të performancës edhe të këtij sektori.
I vetmi vlerësim që herë pas here është dëgjuar të thuhet nga kryeministra dhe ministra në këto----- është transmetimi për publikun i vlerësimeve pozitive që shërbimet partnere të vendeve të tjera kanë dhënë. Po të kihet parasysh se shkëmbimi i informacioneve me shërbime të tjera partnere përbën vetëm një aspekt të punës së shërbimeve, kjo përbën një problem, pasi shërbimet informative janë pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare dhe vlerësimi duhet të vijë nga brenda sistemit.
Në këtë kuadër është i nevojshëm krijimi i një sistemi të hapur për vlerësimin e punës së shërbimeve nëpërmjet prodhimit të raporteve vjetore nga shërbimet mbi kërcënimet dhe rreziqet e brendshme dhe të jashtme, të cilat bëhen publike nga ekzekutivi si dhe i raporteve nga parlamenti mbi zbatimin e ligjshmërinë dhe efektivitetit të veprimtarisë informative dhe financiare të shërbimeve dhe të performancës së tyre. Këto raporte të redaktuara duhet të bëhen publike, i cili në fund të fundit i takon të vlerësojë si punën e shërbimeve, ashtu edhe të institucioneve përgjegjëse për drejtimin dhe menaxhimin e tyre. Gradualisht kjo praktikë do të krijonte një kulturë të re në mënyrën se si perceptohen shërbimet inteligjente dhe do t’i bënte ato më të vlefshme për interesat e vendit”.
Pse nuk arriti qeveria Berisha, sipas jush, që të demokratizonte shërbimet inteligjente në vend dhe çfarë rreziku e pret qeverinë Rama, nëse nuk e realizon si duhet reformën e tyre?
“Demokratizim i shërbimeve të inteligjencës do të thotë në radhë të parë llogaridhënie dhe transparencë. Nisur nga mënyra se si janë qeverisur sektorë të tjerë publikë në vend, mund të konkludohet lehtë se garantimi i llogaridhënies dhe transparencës nuk ka qenë ndër prioritetet e qeverisë Berisha. Përkundrazi, mund të thuhet se ka qenë një qeverisje me mungesë të theksuar transparence. Për këtë arsye, mungesa e vullnetit politik përbën një nga faktorët përse nuk pati ndonjë përmirësim në qeverisjen demokratike të shërbimeve inteligjente gjatë dy qeverive të fundit.
Faktori i dytë është konsumimi i energjive politike për disa vite me tentativa për të shkarkuar drejtorin e SHISH-it. Tentativa të cilat sollën përkeqësimin e marrëdhënieve me një numër aktorësh politikë në vend dhe jashtë vendit. Nëse qeveria Berisha do të kishte pasur një qasje tjetër dhe do t’i kishte shpenzuar ato energji për të propozuar dhe miratuar ligje, për të dhënë kompetenca dhe burime financiare e njerëzore Parlamentit dhe institucioneve të tjera të mbikëqyrjes, do t’ia kishte arritur më së miri të kontrollonte SHISH-in pa qenë nevoja të shkarkonte drejtorin. Biles, po të kihet parasysh se ka pasur mjaft probleme në menaxhimin dhe performancën e SHISH-it, një mbikëqyrje efektive mund t’i kishte shërbyer për të siguruar edhe konsensusin e duhur për të shkarkuar drejtorin e SHISH-it.
Por mos ndjekja e një kursi të tillë, le të kuptohet se qëllimi i zotit Berisha nuk ka qenë kontrolli demokratik i SHISH-it, por kontrolli i institucionit nëpërmjet njerëzve që garantojnë shërbime jashtë misionit institucional të shërbimeve informative. Meqenëse ky është një fenomen i cili nuk është tipik vetëm për qeverinë Berisha, por ka rrënjë të thella në kulturën dhe traditën politike dhe administrative shqiptare, besoj se do të vazhdojë të jetë një sfidë për mirëqeverisjen e shërbimeve edhe në vitet e ardhshme”.