Dhjetë vjet më parë do të ndahej nga jeta profesor Dhimitër Shuteriqi. Kishte vite që qetohej në mjediset e veta dhe i kishte hapur pak nga pak udhë jetës së madhe: vdekjes. Këtë të fundit, sipas njerëzve të tij, e priti qetë. Por ç’mund të bënte tjetër vallë?!
Dhimitër Shuteriqi u bë i njohur herët në letrat shqiptare. Fillimisht me vjershën “Kosova”, botuar në gazetën “Kosova” që dilte në Kostancë të Rumanisë. Dy vjet më pas në 1935 botoi librin e parë me poezi, të titulluar “Kangët e rinisë së parë”, vëllim që shtypi i kohës e cilësoi drejt si shumë të ndikuar nga simbolizmi dhe shprehjet hermetike. Ishte e arsyeshme. Njihte Bodler,Vërlen, Rembo, Malarme dhe po ushqehej me këtë lloj poezie. Kultivon shumë interesa, por më shumë nga të gjitha shquhet nga nevoja që të plazmojë shprehje të ndryshime artistike përmes gjinive. Shkruan, debaton, dëgjon shumë muzikë dhe vizaton. Deri në fund të jetës.
I dashuruar me romantikët e mëdhenj Hygo, Lamartin, De Vinji, Bajron, Kits, Shelli e trondit e keqja e madhe. Kudo. E vendit të tij. E të gjithë epokës ku kalon. Më 1943 duket se i lë eksperimentet dhe bëhet një shkrimtar realist. Poezia e tij të ndjerë “O Ptoleme” për mikun e vrarë në Pojskë i përshfaq ndryshe interesat e veta...Dhe, bashkë me to edhe pikëpamjet e tij estetike. Një traktat të shkurtër, në fakt, e ka hedhur prej kohësh në periodikun “Bota e re” me titullin “Mbi drejtimet e reja letrare” qysh më 1936. I asaj kohe është dhe interesi i tij për ideologjinë komuniste dhe fillimi i studimeve. Më 1936 regjistrohet në Grenobël në universitetin që atë vit përkujton 600 vjetorin. Franca do t’i sistemojë kulturën dhe do ta kultivojë me risitë e mëdha kulturore-artistike-sociale të kohës. Tashmë interesat e tij e gjejnë një motivim, ndërsa në shkrime do të përmende përshtypjen që i bën Ekspozita ndërkombëtare e Parisit. Ka pasion muzikën, por për bashkatdhetarët e vet sjell shqipërime të këndshme të La Fonten, Alfred de Vinji, Lamartin, Vërlen, Rilke...I bashkohet edhe aktivisht antifashizmit.
Lufta e gjen tepër të lidhur me të gjithë frymën e re, që përcillet në shtresa të ndryshme, kurse më 1945 caktohet si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pak kohë më vonë bëhet drejtori i parë i Institutit Pedagogjik. Emri i shfaqet bashkë me personalitete të kulturës dhe shkencës shqiptare, si Xhuvani, Buda, Çabej, Kuneshka etj.
Kontributi i tij nuk mbyllet këtu, pasi Shuteriqi bën pjesë vazhdimisht në grupin që përgatiti Kongresin e Drejtshkrimit dhe hartimin e teksteve të letërsisë shqipe. Ndërsa, kontributi i përditshëm mbetet te letrat, ku ruan funksione shumë të larta. Emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve nga 1954 deri në shkarkimin më 26 korrik të 1973, kohë pas të cilës vazhdon si shkrimtar me profesion të lirë. Pas një jete aktive, tashmë 58 vjeç, sak në ditën e ditëlindjes së tij e akuzojnë për prirje liberale...Tanimë i largohet burokracisë përfundimisht, dhe i shtrohet shkencës së Letërsisë dhe krijimit. Temat përfshijnë punë nga krijimtaria deri në tema të ndryshme historike të letërsisë, por edhe të vetë historisë. Në arkivin e vet, familjarët ruajnë mbi 20.000 skeda të hartuara prej tij ndër vite. Një vit më parë, më 1972, kur u themelua akademia, si një ndër 10 akademikët e parë punon për një projekt gjigand, hartimin e Historisë së Letërsisë shqiptare, si botim i zgjeruar. Nuk ia arrin të punojë si do të donte. Insiston se Konica, Fishta, Skiroi, Koliqi, Kuteli, Ali Asllani, Petro Marko duhet të ishin pjesë integrale e saj. Kjo mbetet iluzion. Ka eprorë ideologjikë, që mendojnë ndryshe. Nuk i besojnë. Në kujtimet e veta do shkruajë me keqardhje: “Kam pasur telashe, kur më të mëdha, kur më të vogla-asnjëherë vërtetë të vogla. Telashe me ‘censor’, e ‘mbikëqyrës’ të shumtë e të ndryshëm, të Partisë, të pushtetit, po edhe telashe me shokë shkrimtarë…Larg problemeve historiko-letrare ishin së pari ata që quajta ‘censor e ‘mbikëqyrës’. Dinin zakonisht vetëm të urdhërojnë e të përdorin gërshërët”, ai e mbyll ankimin në faqet e historikut. Trishtimin më të madh e rrëfen nga fundi i jetës: “Kam qenë i bindur prej kohësh se Historia e Letërsisë Shqipe duhet rishkruar e plotë, ashtu siç është. Këtë do ta bëjnë të tjerët, ndërsa unë humba një na veprat e mija jetësore, një histori timen të Letërsisë së Romantizmit Shqiptar, të cilën nuk mund ta shkruaja pa gjithë sa përmban, pa Fishtën si përfaqësues të epikës shqiptare dhe pa shumë të tjerë…”. Reflektimi është i madh, por s’ka kthim. Vitet që jeton pas 1990 i kthehen në makth. Jo pak herë e marrin në gojë. Ai nuk përgjigjet. E trondit vendimi për të ndryshuar datën e çlirimit dhe rendja e shqiptarëve drejt analfabetizmit. E lodh zezona që hidhet ngado. Shikimi i tretet në skeda dhe shpesh e më shpesh në fund drejt pafundësisë. Një moment e merr vetë udhën andej për të mos u kthyer më.