Më 17 tetor nga Tirana në Stamboll arrinte një delegacion shtetëror i rangut të lartë për diskutimin dhe nënshkrimin, siç u deklarua fillimisht, të marrëveshjes konsullore midis dy vendeve. Ai kryesohej nga kryetari i parlamentit Eshref Frashëri. Pas një pritjeje miqësore të nesërmen u nis për në Ankara. Delegacioni shqiptar arriti atje në prag të shpalljes së Republikës Turke dhe zgjedhjes njëzëri të udhëheqësit të madh të revolucionit të kombëtar turk Mustafa Qemalit kryetar i saj, 29 tetor 1923. Kjo përafërsi kohore qe e rastit, porse gjithsesi mjaft e bukur.
Qeveria shqiptare për ndonjë moment edhe u lëkund, nën trysninë e diplomacisë angleze, dhe pati ndonjë mendim të hynte në kontakte me qeverinë osmane të sulltanit të fundit në Stamboll. Lëkundje të tilla nuk zgjatën dhe Tirana hyri në bisedime me qeverinë e re turke në Ankara, të dalë nga revolucioni kombëtar.
Ky mision diplomatik nuk ndërmerrej, siç mëtohet, vetëm “për shkak të situatës aspak komode të kolonisë shqiptare të Stambollit”. Pretendimi i mësipërm hidhet poshtë nga rangu shumë i lartë shtetëror i delegacionit. Pala shqiptare shkonte në Turqi me synime më madhore.
Në javën e parë të nëntorit delegacioni u prit me nderime nga Ismet Pasha, ministër i Jashtëm i Turqisë. Ai, siç njoftonte telegrafisht kryetari i delegacionit shqiptar Tiranën, e siguroi palën tonë, se interesat e Turqisë kërkonin që Shqipëria të konsolidohej dhe të forcohej në Ballkan. Në bisedë e sipër ai u interesua dhe për politikën e shteteve fqinjë ndaj Shqipërisë.
Që nga arritja e delegacionit shqiptar e deri në fillimin e bisedimeve kaluan disa javë në pritje të përfundimit të formaliteteve nga pala turke, siç ishte miratimi i bisedimeve nga Këshilli i Ministrave dhe nga presidenti. Delegacioni austriak kishte dy muaj që priste përfundimin e këtyre procedurave.
Me 13 nëntor 1923, gazeta turke Vakit (Koha), duke bërë fjalë për fillimin e bisedimeve shqiptaro–turke, njoftonte, se kryetari i delegacionit turk, Shukri Kaja beu, në fjalën e tij të hapjes së bisedimeve vuri në dukje traditat e vjetra të miqësisë që lidhnin popullin shqiptar me popullin turk. Ai theksoi dëshirën e qeverisë turke për një Shqipëri të zonjën për një jetë të pavarur politike. Meqë anëtarët e delegacionit shqiptar ishin persona të arsimuar në Turqi, kjo do të shërbente, sipas tij, për përfundimin e shpejtë dhe të kënaqshëm të bisedimeve. Së fundi, ai vinte në dukje se në bisedime do të merrej për bazë, sipas gazetës “Paqja” që delte në Stamboll, traktati turko-polak. Mbetej e diskutueshme, se sa mund të shërbente historia e marrëdhënieve të Ankarasë me Varshavën për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Tiranën e re ballkanike, dikur nënprefekturë e Stambollit të sulltanëve osmanë.
Siç shihet, përfaqësuesi i Turqisë republikane, bënte fjalë, në përgjithësi, për traditat e hershme të miqësisë shqiptaro-turke. Përfaqësuesi i Shqipërisë, nga ana e tij, vuri theksin, jo rastësisht, edhe te traditat më të reja të kësaj miqësie: luftërat e popullit shqiptar dhe atij turk për liri në mbarim dhe pas Luftës së Parë Botërore. Pasi theksoi që Shqipëria dhe Turqia kishin ende interesa të përbashkëta, ai këmbënguli se të dyja vendet për shpëtimin e tyre qenë mbështetur në forcat e veta dhe gjendjen e re ia dedikonin pikërisht këtyre forcave. Një pohim ky i saktë për një të vërtetë të madhe me rëndësi jo vetëm për të kaluarën e të dy popujve. Ai merrte parasysh zhvillimet më të fundit jo vetëm në Shqipëri por dhe në Turqi dhe në përgjithësi në Ballkan. Parë me këtë sy arritja e delegacionit shqiptar në Ankara në prag të shpalljes së Republikës së Turqisë nuk qe, në fund të fundit, një rastësi.
Në përgjigje të fjalës së Shukri Kaja beut dhe në përforcim të deklaratave të përfaqësuesit shqiptar, gazeta “Paqja”, theksonte: “ nukë janë vetëm jet' e gjatë që kanë shkuar bashkë të dy këta kombe, rellasionet familjare që i kanë lidhur, interesat financiare dhe tregtare që i kanë afruar, po janë dhe shumë gjëra të tjera që mjaftojnë të shtojnë këtë miqësi dhe besim ndërmjet të dy kombeve; po ashtu edhe simpatia morale që kanë në njëri-tjetri për mundimet për indipendencën e vet, se si Turqia vetëm me ndihmën e bijve të saj besnikë në një ide kombëtare fitoi lirimin e viseve të shenjtë nga shkelm i të huajve, gjithashtu edhe Shqipëria e vogël me ndihmën vetëm të bijve të saj liroi vendin nga okupatë e armikëve.”
Delegacioni shqiptar deklaronte, se detyra e të dyja paleve në këto bisedime ishte që të fiksonin në letër miqësinë që ekzistonte prej kohësh midis të dy popujve dhe shprehte gëzimin që shteti shqiptar traktatin e parë të miqësisë po e lidhte me vëllezërit turq.
Për sa i takonte Traktatit të Miqësisë, që shënonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dyja shteteve, si dhe marrëveshjes konsullore, delegacionet u morën vesh menjëherë për të gjitha çështjet. Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë dhe Turqisë u nënshkrua më 15 dhjetor 1923, në Ankara. Traktati, sipas gazetës “Paqja”, e cila e publikoi e para, përmbante:
“Midis qeverisë së Republikës Turke dhe qeverisë shqiptare si dhe nënshtetasve të të dyja anëve do të vazhdojë paqja, rrojtja, dashuria dhe një miqësi e përjetshme. Të dyja anët e larta, të dyja qeveritë u lidhën të formojnë marrëveshje diplomatike mbi bazën e të drejtave ndërkombëtare. Të dyja anët pranuan konditat që nëpunësit diplomatikë dhe konsullorë, se cili do në vend të tjatrit do të kenë, të drejta, nderime dhe dhurime. Të dyja anët e larta që lidhen. në këtë datë, për një marrëveshje për traktat të nënshtetësisë mbetën dakord. Ky traktat do të vërtetohet dhe vërtetimet së shpejti do të çkëmbehen në Angorë (Ankara).”
Traktatit, me sa dimë, i bënë jehonë, pas dy-tre javësh, “Dielli” (Boston) dhe “Gazeta e Korçës”.
Marrëveshja konsullore parashikonte të drejtat dhe detyrat e nënshtetasve shqiptarë dhe turq në vendet e njëri - tjetrit. Porse lidhur me këto çështje pati mjaft debate, të cilat çuan në shtyrjen e bisedimeve.
Interesimi i qeverisë shqiptare për shqiptarët jashtë shtetit shqiptar e më gjerë nuk kishte të bënte, siç shprehej shtypi turk, me interesa thjesht materiale, siç ishin çështja e pronave e tjerë. Përfaqësuesit e Shqipërisë qenë nisur nga interesa më të thella, njerëzore e kombëtare. Eshtë tjetër problem se si u shtruan këto çështje, sa mund të zgjidheshin e deri ku mund të arrihej në mirëkuptim.
Për me tepër, pala shqiptare nuk ishte e zhveshur nga “interesat morale”, siç i thjeshtësoi ato përfaqësuesi turk në bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Për hir të së vërtetës, vlen të theksohet se përfaqësuesit shqiptarë qenë të shtyrë nga motive më të thella, që rridhnin nga interesa të përbashkëta. Delegacioni shqiptar nuk këmebënguli aso kohe në zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së pronave të shqiptarëve në Turqi, për të bërë të mundur arritjen e marrëveshjeve më të qenësishme. Interesave të përbashkëta më të thella u bënë jehonë jo vetëm gazetat shqiptare që delnin aso kohe në Stamboll. Gazeta “Shqiptari i Amerikës”, e cila delte në Korçë, nga ana e saj, dëshmonte, se qenë interesa më të thella nga u nis pala shqiptare në këto bisedime. Ajo shkruante
“Turqia është një shtet ballkanik dhe ipso facto (vetvetiu) një forcë për të mbajtur ballancën në Ballkanin e turbullimeve dhe të lakmimeve. Nga kjo pikëpamje kjo marrëveshje diplomatike mund të jetë e vlefshme për shtetin tonë të vogël dhe të rrethuar, thekson aso kohe gazeta në fjalë, prej fqinjësh militaristë”
Një karakterizim i këtillë i atëhershëm i qëndrimit të qeverive të shteteve fqinje sot mendohet i kapërcyer. Porse vërehet se edhe sot ata nuk kanë hequr dorë ende nga, pak të thuhet, mendësi të vjetra. Gazeta “Paqja” gjatë kohës së bisedimeve, midis të tjerash, shprehte bindjen: “Ky traktat, këto marrëveshje miqësore do të çelin një udhë të lirë për një miqësi dhe një besim te njëra-tjetra të përhershëm. Dobitë që do te rrjedhin nga kjo miqësi dhe ky besim për të dyja palët janë të panumërta.”
Në dobi të interesave më të rëndësishme, nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë me Turqinë, delegacioni shqiptar u tërhoq nga propozimet në çështjet e nënshtetësisë.
Gazetat shqipe “Paqja” dhe “E drejta”, megjithë rezervat jo pa rëndësi që kishin, vlerësonin drejt rëndësinë e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve për forcimin e miqësisë midis dy popujve dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Ato, njëkohësisht, nuk munguan të vinin në dukje, se marrëveshja e nënshtetësisë nuk i justifikoi shpresat e tyre për rregullimin e pozitës juridike e pasurore të shqiptarëve në Turqi, apo i vuri këto në një pozitë më pak të favorshme sesa kombësitë e tjera.
Gazeta “E drejta” shprehte shpresën se “shteti turk republikan i ka parasysh këto të drejta të shqiptarëve…do të na njohë të drejtat që na përkasin”. Simotra e saj “Shqiptari i Amerikës” e Korçës në një korrespondencë nga Stambolli saktësonte pretendimet, për mendimin tonë, të drejta të palës shqiptare: “E drejta e rregullimit të pasurisë për shqiptarët të mos ishte një vit, sipas marrëveshjes, por pesë vjet, siç është vepruar nga Turqia edhe me shtetet e tjera.”
Vendosja dhe forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke nuk bëhej mbi baza fetare apo mbi bazën e mbeturinave të Perandorisë Osmane, siç shkruanin gazetat greke “Amalthia”, dhe “Hora”. Në faqet e tyre Traktati shqiptaro-turk i Miqësisë u vlerësua me keqdashje si aleancë agresive kundër Greqisë.
Qeveria demokratike e Peshkop Nolit u tregua e gatshme për zgjerimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke. Ajo hoqi pengesën e vënë nga qeveritë e mëparshme për ardhjen e specialistëve shqiptarë nga Turqia, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, të cilat kishin parapëlqyer të sillnin prej andej nëpunës “tekahyd”, pensionistë prej kohësh.
Ratifikimi i marrëveshjeve shqiptaro-turke të Ankarasë dhe të Stambollit u krye nga Parlamenti Shqiptar dhe nga presidenti Zog, respektivisht në 22 shkurt dhe 3 mars 1925 ndërsa nga Mexhlisi Kombëtar Turk më 6 prill 1925
Ministër i parë i Shqipërisë në Turqi nuk u bë, siç mendohej dhe siç shkruante dhe gazeta turke “Aksham”, ish-kryeministri i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, Sulejman Delvina, profesori i dikurshëm i Liceut të mirënjohur të Gallata Sarajt në Stamboll.
Ministri i Shqipërisë në Ankara, Reuf Fico, shprehte, më 13 mars 1926, gatishmërinë, se do të përpiqej me të gjitha forcat për të konsoliduar lidhjet e miqësisë që ekzistojnë prej shekujsh midis dy kombeve, që kanë pasur fate të përbashkëta gjatë rrjedhës së historisë. Ataturku iu përgjigj ministrit shqiptar: Mund të jini i sigurt se do të keni ndihmën time dhe të qeverisë republikane në punën tuaj për konsolidimin e lidhjeve miqësore midis dy popujve, që kanë pasur fate të përbashkëta në shumë fusha në periudha tepër të hershme të historisë, në punën per t’u shërbyer interesave të të dyja vendeve dhe për të çelur një periudhë bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve”.
Porse, marrëdhëniet diplomatike nuk shënuan ndonjë zhvillim të mëtejshëm. Rrethanat e krijuara pas vendosjes së monarkisë në Shqipëri, siç dihet, nuk ndihmuan zgjerimin e thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe u bënë pengesë edhe për një zhvillim normal të tyre. Madje, pas martesës së mbretit Zog me të birin e sulltan Abdyl Hamidit, ato u acaruan, duke shkuar deri në prerje faktike.
Vlen të theksohet, se gazetat “Paqja”, “Shqiptari i Amerikës”, “Dielli”, “Gazeta e Korçës” e të tjera, të cilat i kushtuan vëmendje të veçantë vendosjes dhe nevojës së forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke ishin organe përparimtare të kohës, Ato drejtoheshin nga atdhetarë me prirje perëndimore jo vetëm myslimanë si Xhemal Dibra, por dhe të krishterë si Loni Kristo dhe Anastas Frashëri, apo nxënësi i Kolegjit Saverian të Shkodrës si Faik Konica. Megjithë kontributet e dhëna në përpjekjet për çlirimin e atdheut nga sundimi osman, të xhveshur nga paragjykime fetare, ata mbajtën ndaj Traktatit të Miqësisë Shqipëri-Turqi qëndrime realiste. Si rrjedhim, nuk mund të akuzohen për mendësi neootomaniste apo osmaniste, madje dhe fetare fundamentaliste për çka flitet jo rrallë në adresë të Turqisë dhe të turqve në ditët tona.
Me këtë rast le të kujtojmë se e para dhe e vetmja marrëveshje dypalëshe apo më gjerë, e cila morri parasysh qoftë dhe pjesërisht interesat e shtetit shqiptar për bashkimin e trojeve te aneksuara nga Serbia dhe Greqia pas Luftrave Ballkanike të sanksionuara nga Konferenca e Londrës, është Traktati Turko-Bullgar i sigluar në janar të vitit 1914. Pavarësisht, se për shkak të rrjedhës së përshpejtuar të ngjarjeve dhe ndryshimit të konuinkturave ballkanike me afrimin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, ai nuk mundi të ratifikohej, përmbajtja e tij merr një rëndësi historike e, madje dhe aktuale.
Në nenin IX të këtij traktati pranohej që shtetit të pavarur shqiptar i njihej e drejta për territoret në vijën Ohër, Dibër, Prizren dhe Prishtinë. Çfarë parashikohej në këtë traktat nuk përmbushte tërësisht aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, megjithatë ai shënonte një hap të madh përpara në drejtim, të paktën, të njohjes së padrejtësive të Konferencës së Londrës në kurriz të kombit shqiptar. Madje, shtrohej dhe korrigjimi, qoftë dhe pjesërisht, i këtyre padrejtësive. Jo vetëm diplomacia turke por dhe ajo bullgare me këtë akt diplomatik pranonte që përkatësia etnike e banorëve, të paktën, e trevave të shënuara në traktat, ishte shqiptare.
Përmbajtja e këtij neni të marrëveshjes turko-bullgare të janarit të vitit 1914 dëshmon që jo vetëm autoritet turke, por dhe ato bullgare dhe organizatat revolucionare bullgare në Maqedoni e kishin të qartë se Kryengritja e Shtatorit e vitit 1913 është zhvilluar në vise me popullsi në shumicë shqiptare. Ajo hedh poshtë pretendimet e sotshme të rretheve shkencore të caktuara në Shkup dhe madje dhe në Sofje në të cilat sot po flitet për të si për një kryengritje maqedono-shqiptare dhe madje dhe bullgaro-shqiptare. Duke injoruar realitetin demografik të trojeve shqiptare lindore jepet një pamja e shtrembëruar e karakterit të padiskutueshëm të kësaj kryengritjeje etnikisht shqiptare. Përpjekjet e udhëhqësve të saj për sigurimin e bashkëpunimit me fqinjët bullgaro-maqedonas nuk e ndryshon karakterin e saj.
Pa hyrë te historia e traktateve të Shqipërisë me fqinjët mjafton të kujtojmë traktatin e fundit të saj me Greqinë me të cilin paqa dhe miqësia me fqinjin jugor ka ngelur peng, veç të tjerash, e një Ligji sa absurd aq dhe arkaik të luftës (!)
Qëndrimi shqiptar gjatë bisedimeve për të arritur deri te Traktati i Miqësisë me Turqinë përbën sot një shembull të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe të interesave të vëllezërve në diasporë jo vetëm për diplomacinë tonë por dhe për gazetarinë dhe për mbarë opinionin publik. Qëndrimi i tyre para 90 vjetësh tregon se si politikanët dhe intelektualët tanë gjykuan drejt pozitën gjeopolitike të Shqipërisë dhe gjendjen gjeofetare të shqiptarëve në Ballkan, duke u ngritur mbi paragjykimet fetare dhe duke u xhveshur nga vetëmburrjet e tyre kinse europiane. Ata përballuan edhe presionte që vinin nga një pjesë e diplomacisë britanike, e cila me vështirësi po pajtohej me realitetin e ri pasotoman në Turqinë republikane.
Misioni diplomatik i kryesuar nga Reuf Fico, i nisur për në Turqi në mesin e muajit tetor të vitit 1923 me synime në dukje modeste për nënshkrimin e marrëveshjes së nënshtetësisë, përfundoi me një document diplomatic ndërshtetëror, me një traktat paqeje dhe miqësie. Shqipëria eshtë ndër të parat shtete që lidhi marrëdheniet diploamtike me Turqinë republikane.