Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Historia sipas Mustafa Krujës

Nga 
Ben Andoni

E ka titulluar vetë në të gjallë “Shkrime historike” dhe përmbledh kontributin e Mustafa Krujës, pasi u end jashtë vendit të tij i zhgënjyer në mërgim. I mbetur pa atdhe dhe nën peshën e mëdyshjes për ndodhitë që e lanë jashtë vendit, ai, ndryshe nga shumë shqiptarë të ikur pas Luftës së Dytë Botërore, iu kushtua studimeve...

E ka titulluar vetë në të gjallë “Shkrime historike” dhe përmbledh kontributin e Mustafa Krujës, pasi u end jashtë vendit të tij i zhgënjyer në mërgim. I mbetur pa atdhe dhe nën peshën e mëdyshjes për ndodhitë që e lanë jashtë vendit, ai, ndryshe nga shumë shqiptarë të ikur pas Luftës së Dytë Botërore, iu kushtua studimeve. Edhe pse studiuesit e vetë kanë heshtur për shumë kohë për kontributin e tij(me një gjysëm të drejtë për lidhjen e tij me fashizmin) dhe ata që kanë shkruar për të e trajtojnë disi me panegjirizëm, duhet thënë se Mustafa Merlika shquhet për një formim të mirë dhe mbi të gjitha zotësinë për të konkluduar në punimet shkencore në interes të Albanologjisë. Ai u mundua të bëjë kërkime, sinteza, të përkthente dhe mbi të gjitha të punonte profesionalisht. Në këtë vëllim, që vjen së fundi nën mbikëqyrjen e njërit prej të afërmëve të tij, ai përcjell brënda një libri, tre punime: “Historij’ e faraunvet-Egjypt i Vjetër”; “Pyrri i Epirit” (Përkthim i tij) dhe “Kronologjia shqiptare” deri më datën e Pavarësisë. Duhet thënë se për kushtet e studimeve të Shqipërisë, me të drejtë, ato mund të quhen si punime serioze, kuptohet me aq sa mund të bënte nën kondicionet që ishte ai. E veçanta është se autori, është munduar sidomos në pjesën e parë dhe të tretë, të jetë shumë i njëmëndtë në ato që shkruan, duke u munduar që ta sundojë lëndën historike dhe nga ana tjetër edhe për të dhënë sintezat e tij, që  janë fryt i një mendimi të thellë dhe të pjekur. Për të ndihmuar lexuesin, në të parën, ai jep seicilën periudhë dhe karakteristikat e përgjithshme të personazheve dhe ngjarjeve historike dhe mbi të gjitha shpjegimet e rrethanave dhe ngjarjeve historike. Ajo që vërehet më së shumti dhe që mund të besohet se lidhet me pozicionin e tij si shtetar është sinteza për të gjithë superstrukturën e Egjiptit.

Të themi se tepër interesant mbetet dhe pjesa e dytë që lidhet me Pirron, ku ai veç përkthimit ka dhe shikimin e tij në lidhje me autoktoninë e shqiptarëve dhe përveç se ato që njeh i lidh me autoktoninë  e shqiptarëve. Mundohet tu largohet shikimeve patetike dhe ia beson vetes gjykimit të studiuesit. Aleksandër Meksi, familja e të cilit ka ndihur këtë botim, gjen elementë pozitivë në të gjithë veprën e tij. Përshembull në përkthim, ai gjen kontribut me vlerë edhe nga fushëpamja e gjuhëtarit, për fjalët e përdorur prej tij në përkthim.

Pjesa e tretë, është edhe më interesantja për publikun e sotëm. Ajo lidhet me personazhet që kanë kontribuar për historinë e jetës shqiptare. Pak e tepruar në fakt, pasi ai e rendit që gati një mijë vjet para Krishtit dhe mbyllet me ditën e Pavarësisë. Anipse, janë ngjarje dhe personazhe ku ti mund të kuptosh nga këndvështrimi i tij historinë dhe figurat e historisë shqiptare. Ai peshon me fjalët e vet duke i adhuruar personazhet e tij dhe duke i kritikuar ashpër ata që debatuan. Nuk shpëton Faik Konica, kalon si anash Ismail Qemali, vlerësohet Gurakuqi etj. Në thelb libri duhej që t’i vinte prej kohësh publikut shqiptar dhe paçka pak të metave, kushtëzuar nga kushtet e autorit, ai përbën një kontribut me vlerë.

Mustafa Merlika Kruja është një nga figurat historike me një jetë shumë të pasur politike-sociale. U shkollua në Stamboll, ndërsa në vitin 1912 ishte ndër organizatorët e luftës kundër tyre në Krujë dhe Mat. Ishte sekretar i parë i kryeministrit shqiptar, dalë nga Qeveria e Vlorës, kurse në pushtetin e Princ Vidit ishte këshilltar i ministrit të Arsimit. Ishte ministër i Post Telegrafëve në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit dhe në vitin 1921 ishte deputet, kurse në qershor më 1924 ishte kundërshtar i Ahmet Zogut dhe më pas dhe prefekt i Shkodrës. U largua tre herë me periudha të gjata para Luftës së Dytë nga vendi dhe përgatiti “Fjalorin e gjuhës shqipe” me 2400 faqe që përmbante 30.000 fjalë. Do bënte një gjest që do i kushtonte shumë , kur më dhjetor të vitit 1941, ishte në shërbim të fashistëve si kryeministër i vendit, një fakt që do i kushtonte rrjedhën e mëpastajme, kur nuk do e shihte më asnjëherë vendin e tij. Vdiq më 27 dhjetor 1958 në një qytet të SHBA-së pranë Niagara Falls... 

 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura