
Familja e sotme shqiptare ka ndryshuar shumë dhe tashmë gjendet në një sistem të ri ekonomiko-shoqëror. E gjithë prurja dhe problematika e saj ndikon në ushqimin e shoqërisë shqiptare. Këto të gjitha mundohet t’i shpjegojë sociologu i njohur në këtë intervistë të fundit...
Prof. Tarifa, çfarë tiparesh dhe problemesh vëreni në familjen e sotme shqiptare? A keni ju vetë një përkufizim për familjen dhe shoqërinë e sotme shqiptare?
“Familja shqiptare përjeton sot të gjitha ato dukuri dhe ndryshime që karakterizojnë mbarë shoqërinë shqiptare. Tipari i saj më i përgjithshëm sot është se ajo është një familje në tranzicion. Tiparet e saj dhe problemet me të cilat përballet ajo janë po ato tipare dhe po ato probleme që shoqërojnë transformimin ekonomik, politik, kulturor e social të shoqërisë shqiptare, me veçoritë që kushtëzon vetë natyra e familjes si një prej institucioneve të shoqërisë. Unë dalloj pesë tipare të përgjithshme kryesore të familjes së sotme shqiptare. Këto janë:
(1) Ndryshimi i strukturës së familjes dhe i karakteristikave demografike të saj. Ky tipar ka të bëjë me shpërbërjen graduale të familjes së zgjeruar, të përbërë nga tri breza, ose nga dy ose më shumë çifte të martuara. Me përjashtim të disa zonave të thella rurale, në qytetet shqiptare dhe në një pjesë të mire të fshatrave të vendit, familja e zgjeruar është sot një formë e kaluar e organizmit familjar, një traditë, e cila pothuajse është ndërprerë, ose shumë shpejt nuk do të ekzistojë më. Vendin e saj e ka zënë një familje numerikisht më e vogël, e përbërë nga çifti i martuar (me të cilin gjithnjë e me rrallë bashkëjetojnë prindërit e burrit) dhe fëmijët e tij. Me këtë tipar ka të bëjë edhe reduktimi i numrit të fëmijëve të lindur nga martesa. Familjet e reja, përgjithësisht, kanë 1, 2, ose 3 fëmijë; familjet me 5, 6 ose më shumë fëmijë, të cilat dikur kanë qenë të zakonshme, janë sot shumë të rralla. Migrimi i një pjese të madhe të popullsisë nga fshati në qytet ka çuar në shtimin e numrit të familjeve urbane dhe në pakësimin e familjeve që jetojnë në zonat rurale të vendit.
(2) Ndryshimi i marrëdhënieve martesore, bashkëshortore dhe familjare. Sot, martesat me mblesëri janë bërë një dukuri mjaft e rrallë, që e gjejmë kryesisht në zonat rurale. Po kështu, kanë ndryshuar marrëdhëniet midis burrit dhe gruas përsa i përket rolit, detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë ata në familje, si edhe kontributit që japin në mirëqënien ekonomike e psikologjike të saj. Burri dhe gruaja, sidomos në familjet qytetare, janë sot në një pozitë më të barabartë se në të kaluarën, jo thjesht përsa u përket të drejtave ligjore, por edhe në shumë aspekte dhe veprimtari të jetës së përditshme. Një dukuri thuajse inekzistente 20 apo 15 vjet më parë, por relativisht e përhapur në ditët tona, është bashkëjetesa para martese, ose bashkëjetesa si një formë alternative e martesës. Emancipimi i femrave dhe dëshira e tyre për të marrë arsim universitar dhe pasuniversitar, si edhe për të nisur një karrierë profesionale, kanë sjellë si rezultat shtyrjen e moshës mesatare e martesës, si për ato vetë, ashtu edhe për meshkujt dhe, ipso facto, shtyrjen e moshës kur lind fëmija i parë dhe reduktimin e numrit të fëmijëve të lindur nga martesa.
(3) Ndryshimi i funksioneve tradicionale të familjes për shkak të krijimit dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut të lirë dhe të rolit të agjentëve të tjerë socializues. Ekonomia e tregut e ka çliruan individin punonjës nga kushte të tilla detyruese të punës që lidheshin me një punëdhënës të vetëm (shteti ose kooperativa) dhe që shoqëroheshin nga një shpërblim minimal. Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, punonjësit shqiptarë vërtet kanë humbur një pjesë të garancive sociale dhe sigurinë minimale të jetesës që kishin në periudhën e socializmit shtetëror, por kanë fituar shumë të drejta dhe garanci të tjera, të mbrojtura me ligj, të cilat ishin të paimagjinueshme në të kaluarën. Punonjësi i sotëm është i lirë të ndërrojë profesionin dhe punëdhënësin e tij, të arsimohet ose të specializohet në një profesion të ri, të investojë dhe të krijojë një aktivitet profesional, ose një biznes privat apo familjar të vetin. Këto të gjitha kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën e individit dhe të familjes shqiptare: çlirimin nga format e regjimentuara të punës së kontrolluar nga shteti; lirinë për t’u zhvendosur nga fshati në qytet, ose për të lëvizuar nga një qytet në tjetrin; lirinë për të emigruar jashtë vendit dhe për t’u kthyer sërish në atdhe ku mund të investosh dhe të krijosh një biznes familjar, ose një sipërmarrje ekonomike më të gjerë; një mobilitet social vertikal që i lejon shumë individë dhe familje shqiptare të përmirësojnë kushtet, nivelin dhe statusin e tyre social-ekonomik, duke dalë nga varfëria ekonomike dhe duke iu bashkuar një klase të mesme që sa vjen e rritet numerikisht etj. Ndikimi i këtyre faktorëve në marrëdhëniet dhe në jetën e familjes së sotme shqiptare është i drejtpërdrejtë. Këtu duhet theksuar, veçanërisht, ndikimi i madh që ka shkolla e lartë dhe arsimi më i diversifikuar që ofron ajo dhe, mbi të gjitha, roli që luajnë media, Interneti dhe rrjetet sociale. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e rinisë shqiptare sot rritet në kushtet e teknologjisë dixhitale, e cila e ka minimizuar kohën që fëmijët dhe të rinjtë e sotëm kalojnë në familje, në praninë dhe përkujdesjen e prindërve të tyre, në raport me kohën që ata kalojnë jashtë familjes, në shoqërinë e moshatarëve të tyre dhe në kontaktet virtuale me individë të tjerë.
(4) Ndryshimi i marrëdhënieve mes brezave, sidomos i marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve. Ky tipar kushtëzohet nga vetë procesi i zhvillimit shoqëror, i cili gjithnjë është bërë i mundur përmes konfliktit midis formave të vjetra të organizimit shoqëror (përfshirë edhe organizimin familjar) dhe formave të reja, midis normave, traditave, mentaliteteve dhe mënyrave të vjetra të jetesës dhe të bashkjetesës në shoqëri dhe normave e mënyrave të reja të jetesës, midis përpjekjeve për të konsevuar format dhe marrëdhëniet ekzistuese të autoritetit në shoqëri dhe në familje dhe përpjekjeve për t’i sfiduar dhe zëvendësuar ato me marrëdhënie të reja më pak autoritariste, egalitariste apo meritokratike. Është veçse e natyrshme që familja e sotme shqiptare të karakterizohet nga kontradikta që manifestohen, në radhë të parë, në marrëdhëniet midis brezit të ri dhe prindërve të tyre (konflikti i brezave), ose edhe midis gurrit dhe gruas (konflikti i gjinive). A duhet të na shqetësojë kjo? Unë mendoj se jo, nëse s’bëhet fjalë për raste ekstreme të dhunës në familje, siç lexojmë të raportohet thuajse çdo ditë në faqet e shtypit tonë. Në fund të fundit, zhvillimi nuk ndodh kurrë nëse e reja nuk zëvendëson të vjetrën. Normat dhe parimet e reja të organizimit shoqëror dhe të sjelljes shoqërore bëhen të mundura vetëm nëse njerëzit, sidomos brezat më të rinj të shoqërisë, i refuzojnë normat dhe parimet e vjetra dhe përpiqen të afirmojnë norma dhe koncepte të reja mbi organizimin, mënyrat e jetesës dhe sjelljen shoqërore. Ky proces është i vështirë dhe merr kohë. Por, nëse në këtë proces të refuzimit të së vjetrës dhe të afirmimit të së resë normat e reja gjejnë përkrahjen e një pjese gjithnjë e më të gjerë të shoqërisë, atëherë e reja bëhet normë e zhvillimit të mëtejshëm shoqëror, ndërsa e vjetra bëhet pengesë për të. Ky është një tipar universal i zhvillimit të shoqërisë.
(5) Një etikë e re seksuale që gjithnjë e më shumë karakterizon sjelljen seksuale të një pjese të madhe të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri, por edhe të prindërve në moshë të re. Unë mendoj se në Shqipëri po ndodh një ‘revolucion seksual’, i ngjashëm me atë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën Perëndimore në mes dhe në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970. Zhvillimet e sotme në fushën e etikës dhe të sjelljes seksuale të shqiptarëve janë të ngjashme me ato që përjetuan pothuasje të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore gjysmëshekulli më parë. Me këtë unë nuk them se kjo që po ndodh në Shqipëri sot është një replica e revolucionit seksual në Amerikën e Veriut apo në Europën Perëndimore circa 1960. Por, po të vësh re se sa dhe si kanë ndryshuar etika dhe sjella seksuale e të rinjve të sotëm, e brezit të ri të prindërve 30-40 vjeçarë, madje edhe e një pjese të njerëzve mbi këtë moshë, kuptohet se morali seksual dhe sjellja seksuale në Shqipëri nuk janë më morali dhe sjellja tradicionale; ato janë bërë shumë më tolerante, më të hapura ndaj eksperiencave të reja, më pak të paragjykuara, shkurt, shumë më të lira. Sot, në Shqipëri, vajzat dhe djemtë adoleshentë flasin lirshëm për seksin dhe kanë shumë më tepër njohuri për higjenën dhe jetën seksuale sesa prindërit e tyre kur ishin në atë moshë. Sot, në Shqipëri, nuk është aspak e habitshme dhe, për shumë njerëz (përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve), nuk është as domosdo një gjë e keqe që një djalë dhe një vajzë në shkollë të mesme apo në universitet të kenë një partner...
...dhe marrëdhënie intime me të, madje as edhe të kërkojnë një partner të ri kur marrëdhënia me të parin nuk është e kënaqeshme për ta. Sot, në Shqipëri, nuk është e pazakontë që djemtë dhe vajzat të bëjnë seks para martese dhe virgjëria ka humbur, ose po humbet, karakterin mitik të saj. Sot, në Shqipëri, po bëhet gjithnjë e më e pranueshme që një çift të bashkëjetojë para martese, ose edhe pa lidhur martesë, madje edhe të dëshirojë të ketë femijë në këtë marrëdhënie jomartesore. Sot, në Shqipëri, janë shumë më të shpeshta rastet kur gra dhe burra, të pakënaqur nga martesa e tyre, divorcohen, ose krijojnë marrëdhënie intime jashtëmartesore me të tjerë, duke thyer një tjetër mit shekullor, të krijuar dhe të ruajtur nga të gjitha shoqëritë autoritariste dhe klasat sunduese të tyre, atë se mashkulli është biologjikisht poligam, ndërsa femra është biologjikisht monogame kur, në fakt, prej kohësh është provuar se biologjia e seksit tek meshkujt dhe tek femrat është shumë më e ngjashme nga sa mendohej më parë”.
Çfarë dukurie shihni ju në rritjen e dhunës dhe të krimit në familje dhe si i shpjegoni këto?
“Unë vetë nuk i kam studiuar sociologjikisht këto dukuri dhe nuk njoh ndonjë sociolog, antropolog apo psikolog shqiptar që t’i ketë studiuar ato, përveç ndonjë ‘analisti’ apo ‘sociologu’ të vetëshpallur. Unë gjykoj se dhuna dhe krimi në familje, pavarësisht shfaqjeve konktrete të tyre, janë dukuri tepër komplekse dhe kanë shkaqe komplekse. Shumëkush mund të mendojë se shkaqet kyesore të tyre janë ekonomike. Faktori ekonomik, sigurisht, luan një rol, por unë jam kundër trajtimit të njëanshëm, reduksionist, vetëm ekonomik të shkaqeve të sjelljeve të dhunëshme dhe kriminale në familje, madje nuk mendoj se faktori ekonomik është më i rëndësishmi. Nëse një prind vret vajzën 14-vjeçare në një fshat të malësisë së Shkodrës sepse nuk donte që ajo të kthehej në qytet, ky krim nuk shpjegohet thjesht me faktorë ekonomikë. Nëse një burrë i rrëmben nga krahët gruas së tij në maternitet foshnjën e sapolindur dhe hedh atë nga dritarja (për shkak se besonte se ajo fëmijë nuk ishte e tij), ky krim monstruoz, përsëri, nuk shpjegohet me faktorë ekonomikë. Nëse një burrë vret një tjetër për xhelozi, kjo, gjithashtu, nuk shpjegohet me faktorë ekonomikë. Nëse një prind përdhunon vajzën, ose mbesën e tij, faktori ekonomik nuk na ndihmon ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë këtë krim. Nëse faktori ekonomik do të ishte i vetmi, ose kryesori që shpjegon dhunën dhe krimin në familje, atëherë dhunën dhe krimin do t’i gjenim vetëm, ose kryesisht në familjet që jetojnë në farfëri, ndërkohë që këto i ndeshim edhe në familje që janë në gjendje të mirë ekonomike, madje edhe në familje të pasura. Përveç kësaj, shqiptarët kanë qenë edhe më parë një popull i varfër, por varfëria ekonomike nuk i ka bërë ata më të dhunshëm se popujt e tjerë. Dhuna dhe krimi në familje janë dukuri sociale që ndeshen kudo, madje edhe në vende ekonomikisht të zhvilluara. Jo pak ditë më parë, një turist irlandez rrahu gruan e tij ndërsa vizitonin Beratin. Mos vallë shkak ishte varfëria e tyre?
Faktorë të tjerë, po aq të rëndësishëm, në mos edhe më të rëndësishëm se ai ekonomik, janë mentalitetet patriarkale dhe paternaliste sunduese, niveli i ulët kulturor, një shtet i dobët dhe i paaftë të imponojë ligjin në subjektet e tij dhe, unë do të theksoja veçanërisht, një sërë sëmundjesh neurotike dhe impulsesh patologjikisht antisociale që shkaktohen pikërisht nga strukturat kolektive autoritariste të shoqërisë dhe nga morali seksual konservator dhe patriarkal që sundon në të. Këto të fundit, tek ne nënvleftësohet, por unë besoj se etika dhe sjellja seksuale e anëtarëve të një shoqërie janë një faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin moral dhe mirëqënien psikologjike të individit dhe të shoqërisë, ose, në të kundërt, për shumë “sëmundje sociale” të saj, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe dhuna dhe krimi në familje.
Çfarë unë dëshiroj të pohoj më poshtë mund të shkaktojnë indinjatë dhe zemërim tek shumë njerëz konservatorë dhe moralistë tradicionalë. Pavarësisht kësaj, unë nuk mund të rri pa vënë në dukje faktin, tashmë sociologjikisht dhe klinikisht të provuar përtej çdo dyshimi, se shumë sëmundje neurotike, trauma psiqike, impulse patologjikisht antisociale që vëmë re në jetën e përditshme (të cilat psikoanaliza i konsideron fakte biologjike), si edhe prostitucioni, sjelljet perverse apo hipokrizia seksuale, e kanë bazën tek vetë institucioni i ‘martesës së detyrueshme’, tek ideologjia seksuale sunduese dhe tek strukturat kolektive autoritariste të shoqërisë, të cilat ushtrojnë një ‘represion seksual’ të vazhdueshëm mbi anëtarët e saj, nga lindja në vdekje. Gati 80 vjet më parë, psikoanalisti i shquar austriak, Ëilhelm Reich, vinte në dukje se ‘e pandërgjeshmja tek individi’ është ‘cilësisht dhe nga pikëpamja sasione shoqërisht e përcaktuar’, dhe se eliminimi i represionit seksual, si një faktor i rëndësishëm sociologjik, është në konflikt të hapur me ato kushte shoqërore që e shkaktojnë dhe e mbajnë gjallë këtë represion. Reich argumentonte se ‘ndrydhja dhe shtypja seksuale e shtrembërojnë zhvillimin psikologjik të individit dhe çojnë në sjellje autoritariste’ dhe se një ‘seksualitet vibrant është një parakusht për një demokraci vibrante’. Me fjalë të tjera, Reich besonte se ëndrra e emancipimit politik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit erotik të tij.
Faktet tregojnë se, sa më shumë që një shoqëri e relakson presionin e saj kolektiv dhe institucionmal mbi seksualitetin human dhe mbi sjelljen seksuale të anëtarëve të saj, në radhë të parë përmes një edukimi seksual demokratik, që nis në familje dhe vijon në shkollë dhe gjatë gjithë jetës, aq më të pakta janë sëmundjet neurorike dhe sjelljet antisociale në radhët e anëtarëve të saj dhe aq më e ulët është shkalla e dhunës dhe e krimit në familje. Shoqëritë skandinave, vendet e Beneluksit, Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara etj., janë shembuj domethënës. Ka ardhur koha që edhe ne, shqiptarët, si popull dhe si shoqëri, të emancipohemi në këtë drejtim, duke i bërë problemet sociale (ndër to edhe dhunën dhe krimin në shoqëri e në familje) dhe shkaqet eknomike, kulturore e sociale të tyre, më shumë pjesë të debateve dhe të preokupimeve tona teorike, politike e praktike për t’iu përshtatur më mirë qytetërimit të shekullit të 21-të”.