
Kjo verë, që si rrallëherë shënoi temperatura ekstreme, nuk kish si të mos ekzaltonte edhe piromanët. Dibër, Pukë, Shkodër, Berat, Tiranë, Sarandë... Qindra hektarë pyje, pemishte e kullota janë shkrumbuar nga flakët, për të mos folur për dëmin në faunë dhe rrezikun që iu kanos qendrave të banuara pranë tyre. Por faji, nuk është aspak i “Luciferit”, anticiklonit afrikan që na vizitoi dhjetëditëshin e dytë të korrikut. Në mendjet e tyre të vogla, në fakt, ata që pritën piskun e vapës për të vënë zjarre, me siguri as që e dinë se ç’ka dash të thotë frëngu me patologjinë në fjalë. E tyrja, më tepër sesa mani për të parë e ndjerë efektin e flakës, e ka një shpjegim më të thjeshtë, quhet papërgjegjshmëri. Të parët janë ata ‘që hedhin gurin e fshehin dorën’; një copë pyll i djegur mund të jetë një mundësi e mirë për të nisur ndërtime të reja, apo për të gjetur një punë sporadike, siç për barinjtë ca shkurre e ca pemë më pak nuk prishin punë, mjaft që bagëtia të ketë për të ngrënë në stinën që vjen. Të dytët janë ata që duhet t’i vijnë në ndihmë urgjente mushkërive të gjelbra që digjen çdo vit në të katër anët e vendit, duke rrezikuar jo vetëm sipërfaqe të tëra pyjesh e pemishtesh dhe botën e gjallesave që vegjetojnë në to, por edhe jetën e banorëve të zonave përreth tyre.
Emergjencat civile – të na rrojnë lopatat
Rasti i fundit i përfshirjes nga zjarret të Masivit Malor të Lurës, ishte edhe një nga më flagrantët. Sipërfaqe të tëra pylli u pushtuan nga flakët për katër ditë me radhë. I fundit do ta thoshte fjalën shiu. Me gjithë ndërhyrjen e togave ushtarake të shpëtimit, dhe tentativave nga ana e disa zjarrfikëse, terreni i vështirë, era që frynte dhe temperaturat e larta, Parku Kombëtar i Lurës humbi një pjesë jo të vogël të tij mes flakësh. Për katër ditë me radhë ai mbajti sytë nga qielli. Shteti nuk ka ende avionë specialë kanderë, të cilët janë të vetmit që mund të veprojnë në raste si ai i Lurës apo nëpër zona të tjera të thella malore, ku është e pamundur ndërhyrja me forca apo logjistikë nga toka, edhe pse fondet e përvitshme akorduar shërbimit të emergjencave nuk kanë munguar, edhe pse zjarret s’kanë munguar çdo vit. Si i paprecedentë kujtohet edhe rasti i Parkut të Llogorasë së para disa viteve, pasojat e parikuperueshme duken ende edhe sot. “Vendi ka marrëveshje bilaterale me Italinë dhe Greqinë, që në rast zjarresh masive të na vihen në dispozicion falas avionë që mundësojnë fikjen e zjarrit nga ajri”, na thonë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile. Megjithatë, në Lurën që digjej për katër ditë rresht, kjo marrëveshje nuk piu ujë, asnjë helikopter s’u pa atypari. E sa kohë lopatat e dheut nuk bënin ndonjë punë kushedi, flakët shfrynë sa mundën.
Parqet le të digjen, shteti ka plane masash
Ndoshta sepse, për sytë e njësive përgjegjëse për stabilizimin e situatës, “këtë vit, situata paraqitet shumë më e kufizuar dhe më e mirëmenaxhuar se vitet e mëparshme”. Në fakt, të evidentuara ishin shumë vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga Dibra, Puka e Shkodra në Veri, Berati, Tirana e Saranda në Jug. “Në të gjitha rastet Ministria e Brendshme në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe me Ministrinë e Mbrojtjes kanë hartuar një plan-masash, mbi bashkëpunimin e strukturave për parandalimin, mbrojtjen dhe përgjigjen ndaj situatave të mundshme për zjarret. I detajuar me detyra specifike për të gjithë aktorët pjesëmarrës, ky plan masash synon marrjen e masave paraprake, parandalimin e rënies së zjarreve dhe përgjigjen e integruar në rast zjarresh... Sigurisht rasti në masivin e Lurës ishte më problematiku, por një rast që u përballua me shumë sukses, si rezultat i planit të masave që përmenda pak më sipër, ku bashkëpunimi i strukturave për mbrojtjen dhe reagimin ndaj situatave të zjarreve dha rezultatet e parashikuara”, është përgjigjja e zëdhënësit të ministrisë së Brendshme Leonard Olli, i pyetur për hartën e zjarreve në shkallë vendi, masat që u morën në nivel emergjence civile dhe si u përballua kjo nga kapacitetet e kësaj njësie. Me pak fjalë, ka një plan masash, vetëm se edhe këtë verë, nuk u bë dot asgjë për parandalimin, mbrojtjen, masat paraprake dhe aq më pak në dhënien e një përgjigjeje të integruar. Sa për Lurën, 4 ditë mes flakëve mund të quheshin një ‘përballim me sukses’. Po në fakt, një nga parqet më të bukura natyrore në vend, bëri sa mundi, duroi katër ditë shkrumbim, pastaj ngriti sytë nga qielli.
Por sa ishte në të vërtetë sipërfaqja e pyjeve që u dogjën në Lurë
Edhe kjo është një histori më vete. Të dhënat zyrtare që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave, thonë se gjatë ditëve që shkuan, në masivin e Lurës janë djegur 16 ha pyll, nga këto 80% pishë e zeze dhe 20% rrobull. Për po të njëjtin rast, pas një bilanci paraprak, drejtori i shërbimit pyjor në Dibër, Gafurr Gazidede, ka deklaruar se sipërfaqja e përshkruar nga zjarri arrin në 76 hektarë. Po gjatë javës, në një ndjekje të përditshme të lajmit, mediat flisnin për 50 hektarë pyje të djegura në Lurë, vetëm gjatë dy ditëve të para. Kur zjarret u tulatën, pati nga ato që referonin të dhëna për 300 ha. Ndërkaq, i pavlerësuar mbetet edhe dëmi financiar i shkaktuar.
Kapacitetet dhe fondet
100 milionë lekë të reja është fondi vjetor i akorduar nga shteti për emergjencat civile. Në rastin e zjarreve, ky fond duhet të parashikojë edhe marrjen me qira të avionëve për shuarjen e flakëve. Sipas Drejtorit të përgjithshëm të kësaj zyre, z. Alfred Olli “Fondi vjetor, prej 100 mln lekësh të reja të vëna në dispozicion të emergjencave civile për vitin në vijim është akorduar për zëra që parashikojnë që përveç avionëve kanader që vijnë fals nga Italia dhe Greqia të merren me qira edhe avionë të tjerë në se situata është mjaft e rëndë”. “Pra janë fonde të mjaftueshme, që llogariten që në fillim të vitit për të gjitha nevojat, qoftë edhe ato më ekstremet”, thotë ai. Po mesa duket as këtë vit situata nuk u konsiderua e rëndë...