
Tiranë,
rruga e Elbasanit, 10.
Rruga e Elbasanit ka qenë jetë e mot arteria më e shkurtër që lidhte Tiranën me Jugun e vendit, ndaj donin s’donin, të mirë e të liq, nëpër këtë rrugë do lëviznin.
Në foton e parë, një kolonë ushtarake italiane marshon nëpër rrugën e Elbasanit diku në zonën e Petrelës, në vjeshtë të vitit 1940. Nga tufa e puplave në helmeta, kuptohet që kemi të bëjmë me një kolonë bersalierësh. Në njërin krah rruga kufizohet nga kanali i betonuar i mbledhjes së ujrave, ndërsa në anën tjetër shihen gurët kilometrikë të kkojit të vjetër, të cilët vende-vende mbijetojnë ende sot përgjatë kësaj rruge.
Në fotografinë e dytë, italianët jua kanë lënë vendin gjermanëve. Një kolonë e motorizuar gjermane po ecën nëpër rrugën e Elbasanit, duke hyrë në Tiranë përgjatë rrethimit të Pallatit të Brigadave në shtator 1943. Gjermanët, megjithë kushtet e vështira të luftës dhe mungesën e benzinës, përgjithësisht ja dilnin të lëviznin vetëm me kolona të motorizuara. S’bëhej shaka me gjermanin, thonë pleqtë edhe sot e kësaj dite.
Në fotografinë e tretë, ka kaluar edhe një vit. Jemi në nëntor 1944 në Sauk. Tirana posa është çliruar, gjermanët janë tërhequr drejt veriut dhe qytetin e komandojnë trupat partizane të Mehmet Shehut. Qeveria e Enver Hoxhës, që ndërkaq gjendej në Berat, merr rrugën drejt kryeqytetit, rrugë e cila për shkak të dëmtimeve nga luftimet zgjati disa ditë. Diku në të dalë të qytetit, ndoshta në Sauk, kolona e Enver Hoxhës që vinte nga Berati, u prit nga një grup makinash që ishin dërguar nga Tirana për t’i pritur. Enver Hoxha zuri vend në veturën që i kishin dërguar dhe, i shoqëruar nga motoçikleta ushtarake, vijoi rrugën drejt Kryeqytetit. Në foto shihet pikërisht kjo kolonë, që tashmë po merr trajtat e një ceremonie të rregullt për një kryetar shteti në detyrë, teksa ecën nëpër rrugën e Elbasanit në Sauk. Në të dy krahët e rrugës, janë rreshtuar reparte partizane, që nderojnë qeverinë e re që po merr pushtetin.
Fotografia e katërt është më e vonë, por përkujton një ngjarje të kohës së luftës. Ndërsa në nëntor 1944, Tirana mbahej e rrethuar nga trupat partizane, një kolonë gjermane ju drejtua Tiranës duke ardhur nga Elbasani. Kolona u godit fort në kthesat e Mushqetasë nga partizanët dhe nga disa skuadrilje aviacioni të Aleatëve. Në nëntor 1969, me rastin e 25-vjetorit, u ngrit një lapidar që përkujtonte këtë përpjekje që njihet në histori si Lufta e Mushqetasë. Në fotografi shihen momente nga përurimi i lapidarit. Myslym Peza, një prej komandantë ve më të vjetër partizanë, po ngre cohën e kuqe që mbulon basorelievin e lapidarit. Sot lapidari është ende aty, por gjysmë i shkatërruar dhe përpara tij është hapur një lavazh që pret makinat të lajnë pluhurin.
Kjo i bie të jetë e dhjeta javë që flas për historinë e Rrugës së Elbasanit dhe do gjetur gjithmonë një pikë për t’i dhënë fund një historie në mos daç që ajo të bëhet e mërzitshme. Edhe unë me këtë të sotmen po i vë kapak kujtesës së kësaj rruge historike.