Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Shqipni e Harrume

Nga 
Artan Lame

 

Tiranë,
rruga e Elbasanit, 6.
Pasi merr të përpjetën e rrugës së Elbasanit në të dalë të qytetit, në krah të majtë të saj, ka një vend që ende sot quhet Varri i Nënës Mbretëreshë. 
Në vitin 1928, kur Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve, i jati i tij Xhemal pasha kishte vdekur me kohë dhe mbreti i ri vazhdoi të jetonte me të jëmën Sadijen, që ishte nga soji i Toptanëve. Sadie hanmi, që i qëndroi pranë të birit pa ju ndarë asnjë çast derisa vdiq në moshë të thyer në dhjetor të vitit 1934, u varros në Tiranë. Mbreti-bir, për t’i ndërtuar asaj një varr monumental, kishte dy motive të forta, i pari sentimental dhe i dyti institucional. Zogu e kishte dashur shumë të jëmën dhe veç kësaj, nga momenti i hipjes së tij në fron, ajo kishte marrë edhe titullin “Mbretëresha Nënë”.
Vendi për ndërtimin e këtij varri, u zgjodh në dalje të qytetit, bri rrugës Tiranë-Elbasan, në shpatin e një kodrine, gjë që bënte të mundur që monumenti të dukej gati nga i gjithë qyteti. Veç kësaj, duke ndërtuar në troje të Toptanëve, nuk lindëte as problemi i ndërtimit të një varri në tokë të tjetërkujt.
Varri monumental u projektua në trajtën e një tyrbeje moderne dhe ishte thellësisht në stilin e racionalizmit monumental, shumë në modë në vitet ‘30-‘40. Ai paraqitej në formën e një salle katrore me kupolë gjysmë-sferike. Orientimi i sallës ishte me drejtim nga Meka, duke patur një dalje në formë abside në lindje dhe portën e hyrjes nga perëndimi. 
Në fotografinë e parë, shihet Tyrbja e vështruar nga kodrat përmbi të, megjithëse është pak e vështirë të përcaktohet me saktësi pozicioni i fotografit. Përreth saj shihen pemët dhe selvitë e sapombjella, ndërsa përreth ka vetëm lëndina me bar, të cilat u pyllëzuan vite më pas dhe përbënë Parkun e Tiranës. Në sfond shihet masivi i Maliti të Dajtit.
Në foton e dytë, paraqitet pamja tjetër e godinës, ajo nga hyrja kryesore. Në foto është fiksuar një moment nga ceremonia e përurimit të Tyrbes. Një skuadër ushtarësh me helmeta janë rreshtuar anës portës, ndërsa në plan të parë qëndron një baba bektashi. Kam përshtypjen se Zogu duhej ta ketë pas menduar që, në të ardhmen, kjo Tyrbe të shërbente edhe si Varr Familiar.
Ri-varrimi i Sadije Zogut në varrin e ri, u bë në vitin 1937, por shërbeu si banesë e fundit e saj vetëm për pak vjet. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, me urdhër të Mehmet Shehut, Tyrbja u zhvesh nga gjithshka dhe varri brenda saj u hodh në erë. Si një guackë boshe, godina qëndroi në këmbë deri në vitet ’70, kur u shkatërrua e gjitha. S’ka ca vjet kur, si një sakrilegj i fundëm, mbi të u ndërtua një restorant ku hahet, pihet e bëhet qejf.
Ka vite që flitet për rindërtimin e këtij varri monumental, si një detyrim moral i shtetit shqiptar ndaj monarkut shqiptar të cilit i prishën varrin e të jëmës. Tani le që varrin s’po e ringremë, por po presim e masakrojmë edhe pyllin dhe parkun përreth asaj zone. Natyrisht në emër të zhvillimit.
 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura