Sinja në zverkun perëndimor të Shpiragut nuk të ngjall ndonjë përfytyrim më të madh sesa atë të çdo fshati tjetër të Jugut. Butaforia është klasike: Një çezmë e vjetër në qendër (këtu e 1783), një lapidar, një-dy klube kokë-më-kokë, një tarracë ku mblidhen burrat dhe pak më lart posta. Kaq mjafton të kuptosh se Sinja, nuk ka ndonjë element arkitektonik ose veçori, që ti të lësh mendjen. Ah, harruam! Veç kishëzës, që i është ngjitur një shkëmbi mbi fshat. Kjo është e gjithë ajo që rrethon kronikën e fshatit, 140 kilometra nga kryeqyteti, në të cilin ti shkon për tre orë...
...Kur në mëngjes sapo lëmë Beratin dhe përshkojmë me kujdes urën e gurtë të Velabishtit, ideja e parë që të vjen në mënd është se Ismail Pasha, nuk duhet të ketë qenë aq i lajthitur. Donte ta kthente fshatin e tij në një shemër të Beratit, por në shekullin e XVIII, kjo quhej thjesht përçartje. Pashai u vra në Vlorë më 1847 dhe la për zonën përveç emrin e një sundimtari edhe krenarinë e zonës. Kuptohet askurrë su arrit shkëlqimi i Beratit. Këto më përzihen në mëndje, teksa qyteti zhduket përkohësisht nga pamja dhe ti merr një rrugë në të kundërt. Shpiragu me disa forma gjeologjike, që mund t’i japësh çfarë emri të duash, të grish ti ngjitesh. Pse? Epo, nëse nuk e beson, ky stërmal mban në barkun e tij, rropullitë me katërmbëdhjetë fshatra. Tamam, nga kjo urë, që shfrytëzohet edhe sot e kësaj dite, këto fshatra i sollën vazhdimisht andralla Beratit, si për një amanet të pakryer të pashait...
Për në Sinjë
Megjithatë, fshatarët e Shpiragut, arritën t’i bënin një karshillëk tjetër Beratit. Ata shfrytëzuan karvanet që shkonin e vinin nga Berati prej Ballshit e Vlorës dhe anasjelltas për kamjen e tyre. Sadovica (një nga fshatrat), më tregon Ymeri miku dhe udhërrëfyesi ynë, ka pasur 40 dyqane dhe shtëpitë lidhur me kalldrëm. Ç’mund të them për të tjerët. Është pak e fryrë, por edhe ai e ka nga kujtimet e të jatit. Rruga e shtruar së fundit ngjitet me një pendencë të lehtë. Për fat, komuna i duhet ti jetë mirënjohës fatit dhe konjukturës së politikanëve të Tiranës, për të. Sa më shumë ngjitesh, aq më i vogël të bëhet Shpiragu, kurse përballë madhohet Tomorri. Disa fshatra as nuk duken, por të katërmbëdhjeta kanë veçoritë e tyre. Në të majtë, Mbolani ka pasur një kala me sipërfaqe 3 ha, ku gjurmët e shumta qeramike, i bënë shumë kureshtarë aventurierët e përçartur të thesareve post’90. Një kujtim i socializmit është sërish diku para Mbolanit, ku një ndërtesë fshehur mes një gjelbërimi të harlisur ishte një spital rajonal. Ka mbetur gërmadhë, ashtu si një varrezë, ku veç pak varreve të reja është e mbushur me gurë-varresh të çrregullt, pa asnjë lloj identifikimi. Në Mjeshovë gjendet edhe një tjetër kala, quajtur ndryshe: “Kalaja e Xhaxhajt”...
në fshat
Por, këto kala, janë pak për të treguar peshën që ka Shpiragu i humanizuar. Nga Ymeri dëgjoj pafund histori, që mi rrëfen sikur unë të jem banor i kahershëm këtu. Ai di pothuaj çdo gjë këtu dhe nga dashuria për zonën e të parëve të tij, kalon deri në patos. Shpiragu nuk është vetëm një lloj totemi për beratasit, por edhe lidhje e tyre natyrore me Tepelenën, Fierin dhe Mallakastrën. Jo më kot, tregtia, kusaria, lufta...dhe jeta kanë bashkëjetuar. Kujtimet historike të gjithë zonës janë derdhur pikërisht nga këto vende, ku fshehur mes gjelbërimit masiv, guvave, shkëmbinjve, dhe rrugëve pa fund, janë derdhur kaçakë dhe aventurierë pafund...Duhet të nxitojmë. Në Mbreshtan na pret kryetari i komunës së Sinjës. Pelivan Sina, një burrë i qeshur dhe i qetë na pret, pak para se të niset për në Tiranë. Ka në kokë ndërtimin e dy rrugëve: Një që e lidh vendin shpejt me Kuçovën dhe një tjetër, që gati po e bën e që do lidhë komunën me Ballshin. Ka ende shumë punë, por shqetësimi i tij mbeten tapitë, rregullat burokratike dhe ato që do ma thonë pak a shumë fshatarët, pak më vonë, çmimet e larta të punimit të tokës, çmimet e farërave, të plehrave dhe gjithçka tjetër...Kur dal pak të freskohem, një i ngeshëm fillon të më tregojë legjendën: Këtu ishin dy djem të bukur që u bën lesh e li dhe donin një zanë? Zana e Malit, që i bie Berati, i them dhe të dy djemtë, kuptohet dy malet. Shpiragu mbante një topuz ndërsa Tomorri me një kamë të mprehtë. Vras mendjen se as Tomorrit ‘bufalliq’ nuk i shkon ky simbol dhe as Shpiragut, por memoria e njerëzve është e tillë. Ngutemi me Ymerin sepse jemi ende në mesudhë. Nëse nuk gaboj, udha që ndjekim në këtë ditë të nxehtë verë të 2012 kalon dhe lë mënjanë me radhë Mbreshtanin, Galinën, Sadovicën, Paftalin, Kamçishtin, diku Levanin, Mbolanin. Më tej shtrihen Velçani, Levani, Molishtin , Osmënzeza 1, Osmënzeza 2, Molishti, Plashniku i Madh e i Vogël, dhe në perëndim të Sinjës, Mbjeshova. Shpati lindor i Shpiragut kalon shpejt, ndërsa disa kopshte qershish, tregojnë se fshatarët e zonës janë shumë kërkues. Po sa më shumë ngjitesh aq më shumë humbasin ullinjtë...dhe vjen toka e papunuar.
Sinja dhe mbijetesa
Dhe bash pas pak kthesash do shfaqet Sinja. Dikur, sinonim i historisë të zonës, socializmi ia uli disi kokën. Me shikimin e parë, asgjë nuk të ngjall ndonjë interes të veçantë në fshat. Një çezmë, një bilardo sipër saj, një dyqan, një autobus i vjetër, një lapidar dhe posta. Kaq është e gjithë rekuizita e këtij vendi. Me pak fjalë, mbërritja në Sinjë, s’të lë ndonjë mbresë të veçantë. Bash sipër klubit, një basoreliev, të shikon sipër një monumenti, ku rreth e rrotull burra rrinë e flasin dhe shikojnë tutje. Qerim Sadiku, ka orë që na pret. Është sekretar i këshillit të Komunës dhe duket i qartë për të gjitha. Më tregon gjeografikisht edhe njëherë zonën, pikat e takimit të saj. “Ka një sasi rrugësh mbi 150 kilometra që kërkon punë të mirëmbahet dhe një pjesë në fshatrat ende nuk është shtruar. Sot, janë gati 5.300 banorë në fshatra. Kemi fshatra të zhvendosura si dy Osmanzeza, Velçanin, një pjesë e Levanit, një pjesë e Mbjeshovës. Ata që ishin në vështirësi të mëdha kanë ikur në periferi dhe në qytete. Disa po rikthehen. Po fillojnë të rimbjellin tokën. Po mbillet ulliri më poshtë dhe qershia më sipër, që ka klimë tjetër. Ka blegtori, që i mban disi fshatarët…Para një viti- dy vjetësh shteti ka kompensuar ndërsa në dy vitet e fundit ka vështirësi të mëdha”. Burri më shpjegon atë që disa familje do ma thonë me një shqipe të gjymtë: vështirësinë e punimit të tokës dhe sa larg është shteti i sotëm me hallet e njerëzve. Jo se nuk ka mjete për të punuar tokat, por ka çmime të larta. Dynymi shkon 1.700 Lek deri 2.200 Lek për tu punuar. Të shtosh çmimet për plehrat fosfatike, atëherë është e papërballueshme. Po plehu organik, e pyes naivisht. Po, ma pret, por s’mjafton as për një ose dy dynym. Ndërsa flasim ka mbërritur kryeplaku, një mesoburrë me një dobësi që të tremb. Ai më përsërit të njëjtën gjë, kurse në dy familje, që do të flasim, halli është kaçurrel. Një çift i vjetër më thonë, se pjesa më e madhe e parave të pensionit, u shkon për ilaçet, kurse 15 dynym që kanë si përballojnë dot. Një tjetër, që ka ardhur, më thotë shkurt se është afër katastrofës. Të tjerë më qeshin. S’është keq?! Kanë investuar të gjithë tek ulliri por do kohë. Kanë investuar edhe në qershitë, por edhe kjo do rreth 5-6 vjet. Dikur i mbante sherebeli në Shpirag, por ka të ngjarë që këtë vit të jetë viti më i vështirë, sepse thatësira po vjen e gjatë dhe 70% e sipërfaqes të saj, s’është më. “Këtu të mbesin prodhimet, më shpjegon Qerimi. I kemi me çmimin normal, por është e vështirë mbjellja dhe prodhimi. Bujqësia sot ka pak subvencione dhe këtë vit s’janë dhënë fare”...Po si jetoni atëherë? -pyes familjet. Pyes Qerimin. Pyes këdo. “Ja me të keq”!!! A ka fund e keqja vallë? Në vitin e 12 të shekullit të XXI pas Krishtit, këtu e gjitha pritet ende nga shiu...pra Zoti. Rezervuarët e dikurshëm të Mbreshtanit dhe Mbjeshovës janë prishur, kurse kryeplaku më merr dhe më shpjegon dhe një gjë, që nuk e provoj dot, sipas të cilës, borxhi në dyqanin e fshatit është i paimagjinueshëm. Është aq i humbur, saqë kur shkojmë të flasim me dyqanxhiun, nuk flet dhe e ngatërron me heshtjen e tij. Megjithatë jeta në këtë kooperativë ish-malore, ka ndryshuar disi. Janë gatitur disa shtëpi, kanë ikur shumë njerëz, ndërsa ende në televizor nuk shohin asgjë. Përveç, pak syresh që kanë pak mirëqenie, si kryeplaku, që ka djalin në Greqi. Dhe, si të gjithë shqiptarët vetëm qahen e qahen pafund... Megjithatë, zhurma e disa fëmijëve, dhe e burrave që pinë birrë pa u ndalur, më bëjnë të besoj se jeta këtu ka dhe burime të tjera. Emigracioni? Patjetër. Të tjera burime? Këto nuk i tregojnë asnjëherë shqiptarët. Dikur, Sinja mbahej me grurin, që ishte kultura e parë; lulediellin që s’donte aq shumë kujdes, misrin, sherbelën, duhanin etj. Sot, me fatin...Ndahem me burrat. Qerimi do të ikë. Ka ardhur një tjetër...
Dhe Izeti...
Izeti është pensionisti tipik, që ka qenë mësues. Mbasi kam mbaruar shtegtimin në fshat, ku shtëpitë më duket se nuk veçohen shumë, përballem me retorikën e tij. Mbaron periudha e qarjes dhe fillon glorifikimi. “Në kohën e privatit (quhet koha para Luftës së Dytë) ka pasur 2 hane dhe 20 dyqane,- më shpjegon plaku. Ka pasur rrugë karvani”. Sinja ka pasur dikur 9 mijë banorë, që janë përgjysmuar sot, ndërsa e arriti kulmin dhe futjen e emrit në analet historike në shekullin e XIX. Kishte vdekur Ismail Pasha dhe s’ishte më dhe Ali Pashë Tepelena dhe i gjithë Jugu i Shqipërisë ishte përfshirë nga kryengritja. Dekreti i Gjylhanesë nuk i shkoi shumë për shtat shqiptarëve dhe sidomos parisë, sepse sulltan Abdylmexhiti me Tanzimatin e tij kërkonte një lloj barazie paçka besimit fetar. Shqiptarëve nuk i pëlqente më shërbimi ushtarak 5 vjet (nizamët) dhe 7 vjet të tjera shërbim rezervist (redifët), ndaj iu bindën dy personazheve gati mitikë, në Kurvelesh Zenel Gjolekës dhe në Shpirag, Rrapo Hekalit. Në Greshicë, Rrapo Hekali, me të vëllain mposhtën një ekspeditë ndëshkimore dhe zunë rob Isuf bej Vrionin bashkë me të vëllain. Fshatarët e Shpiragut kapën tre pashallarë lokalë, të cilëve u bënë një gjyq dhe i vranë 200 metra më tutje, nga këtu, ku Izeti, nuk pushon me historinë e tij, që më duket se më jep një libër të tetëvjeçares...I kërkoj t*****ë jetë më i thukët. Sinja u bë sërish e njohur edhe me 1909 përfaqësuesit e çetave kryengritëse të Jugut nga ku doli i ashtuquajturi “Memorandumi i Sinjës” me 12 kërkesa si ai i Grecës. Që këtej kryengritësit do çlironin Fierin më gusht të vitit 1912.
...
I marr leje burrave dhe kërkoj të ngjitem në kishën sipër. Kryeplaku, edhe pse është mysliman ka marrë disa para, dhe i hedh për shpirt. Gruaja ia specifikon në fund. Kisha heremite, që është gati 200 metra në një malore të frikshme gati 45 gradë, i falet kujtimit të SHën Mërisë dhe më 15 gusht këtu bëhet një pelegrinazh lokal. Ndërtuar me gurë gëlqerorë, të vegjël e mesatarë, të punuar dhe të lidhur me llaç, kati i parë i ndërtesës mbështetet në faqen shkëmbore, gjysma e çatisë është e futur në shpellë kurse pjesa tjetër qëndron jashtë shpellës. Ka edhe disa mbetje afresku. Është mbase e vetmja gjë që më grish në vend. Pak minuta më vonë, e gjej Izetin sërish në tavolinë. Dhe, vapën po ashtu. Kthehemi sërish nga ura e Velabishtit. Verë e vitit 2012.