Ka vetëm një Gjeneral për të cilin pothuaj të gjithë shqiptarët bien dakort për lavdinë e tij: Gjergj Kastrioti. Edhe për të kjo dakordësi, vjen më së shumti nga fakti që është i vdekur dhe të vdekurit nuk mund të ankohen, nuk mund të vetmbrohen dhe nuk mund të shpjegohen për çfarë kanë bërë dhe çfarë nuk kanë bërë. Por edhe mbi Skenderbeun, sipas zakonit shqiptar, u hodhën gurë, herë për t’i këputur disa centimetra nga shtati, herë për t’i shkurtuar shpatën, herë për t’i miqësuar armiqtë e tij të hershëm osmanë. Edhe duke i hequr bustin nga vendi kur vendin e tij e vizitonin nipërit e vonë të osmanëve. Por kjo është histori tjetër dhe sa kohë që bëhet fjalë për histori, në Shqipëri detajet e saj ndryshojnë me lehtësinë që përralltari që ka fjalën ndryshon subjektin e përrallës. E vërteta tjetër që është e pandryshueshme në thelb, është ajo që ka të bëjë me histori të tjera gjeneralësh shqiptarë. Kasta më e lartë e ushtarakëve në vend, është një shinë paralele me historinë kontraverse të gjithë vendit në përgjithësi dhe të vetë ushtrive në veçanti. Një e vërtetë e hidhur është se shqiptarët kanë qenë mjaft të mirë si ushtarë kur luftonin nën komandë gjeneralësh të huaj, por kanë qenë jo të mirë, kur bëheshin gjenralë vetë. Sidomos atëherë kur komandantët tradhëtonin luftëtarët e tyre. Në 39’, luftuan kapterët sepse gjeneralët shoqëronin autokolonën e kryegjeneralit të tyre mbret. Në Luftën e Madhe me nazifashistë, të gjithë komandantët në paqë dolën tradhëtarë, veç kryekomandantit të tyre, që u shpall dhe ai tradhëtar mbasi ju mund me paqe sistemi që ndërtoi me luftë.
Kastë, po kastë ushtarake në Shqipëri u ndërtua mbas 44-ës. Partizanët krenarë që zbritën nga malet, bënë zgjedhje shumë pak personale: disa ju kthyen bagëtive dhe parmendës, ca pak të tjerë u dërguan në akademitë lindore ushtarake dhe u kthyen në gjeneralë. Hijerëndë, të respektuar, më të paguar se të tjerët në varfërinë e komunizmit, ata gëzonin yjet dhe spaletat pa bërë realisht asnjë luftë edhe pse besonin se ishin në luftë me të gjithë botën. Luftën e vetme, atë me regjimin të cilit i përkisnin, e humbën. Ajo ishte beteja e njeriut që ata e thërrisnin Komandanti dhe betoheshin për kokën e tij, ajo ishte beteja e vetme reale që kryen dhe që përfundoi me rënien e kokave të tyre.
Në pluralizëm e njëjta histori. Një shef shtabi kaloi kufirin, u bë emigrant në dheun e fqinjëve që ai i kishte parë si armiq dhe mësoi t’u thoshte “afendiko” në gjuhën e tyre. Vonë, shumë vonë, u kthye në Tiranë për të folur me patetizmin e zakonshëm të luftëtarëve pa beteja. Në 1997, krenaria e vendit u shkërmoq brenda pak ditësh. Ushtrisë i rrëmbyen armët dhe i vunë përpara ushtarët. Së paku, u shmang më e keqja: të paktën nuk i drejtuan armët e mbetura ndaj qytetarëve.
Katër vjet më pas, ushtria ngriti për llogari të privatëve mal me municione që kur u hodh në erë, morri me vetë në qiell shpirtërat e pafajshëm të 26 banorëve, fëmijë, gra e burra. Gjeneralët, edhe atëherë, nuk u dukën kur shpërtheu, por u bënë copë për të ndihmuar ata që Zoti i ndihmoi të mbeten gjallë.
Sot, nuk ka shumë respekt për ushtarakët. Edhe për ta, si për doktorët, civilët kujtohen vetëm kur bien në hall, kur ka shi e përmbytje, kur ka vapë dhe zjarr në pyjë, kur bën ftohtë dhe pushtetin e merr dëbora.
Dje, në fakt, ka disa ditë, një tjetër gjeneral largohet nga Shqipëria. Edhe ai ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Quhet Luan Hoxha. Zyrtarisht, sipas prokurorisë, fajtor për tragjedinë e Gërdecit. Praktikisht, ai ndodhet në SHBA. Dhe jo zyrtarisht, por së paku provuar mediatikisht, gjeneral Hoxha ka qenë një nga inisiatorët e hetimit amerikan për tregtinë e paligjshme me fishekë kinezë, të blerë me dollarë amerikanë, për hatër të ushtrisë afgane. Thonë se gjenerali kishte trokitur dhe në dyer të tjera në Tiranë për të treguar të vërtetën e tij, por e vetmja derë që ju hap ishte ajo e ambasadës që e pajisi me vizë për në Tokën e Premtuar. Gjeneral Hoxha iku pa e kryer luftën e tij në Tiranë. Edhe pse luftëra të tilla ngjajnë absurde në këtë tokë. Bëri jnjë përgënjeshtrim të vetëm që ju citua nga kryeministri, heshti dhe pastaj iku në heshtje. Spaletat kanë peshë të rëndë, por në Tiranë, nuk ka supe që të mbajnë sipër peshën e pushtetit. Kështu ka qenë edhe dje kur pushteti është rozë, kështu është dhe sot që pushteti është blu. Të zhgënjyerit në Shqipëri, shpesh bëjnë një humor të zi me “recetën” magjike që do të zgjidhte çdo hall në Tiranë: “Ta marrin njëherë pushtetin ushtarakët, të vënë për 24 orë pas murit gjithë maskarenjtë dhe pastaj do të kemi paqe dhe “rehatllik” për 100 vjet”. Pastaj, po vetë përgënjeshtrojnë: nuk ka nga këta burra gjëkundi. Por një e keqe e madhe që ndodhi këtë javë, solli dhe një të mirë të trishtuar. Në fakt, ka burra në këtë vend, një burrë i madh ishte kapiten Vogli që ra në Afganistan. Por njerëz si ai, vështirë se bëhen ndonjëherë gjeneralë. Dhe gjeneralët me spaleta, i kujtojnë burrat e mëdhenj si Vogli vetëm mbas vdekjes. Të tjerë, ca më të mëdhenj, këndojnë në salla plot dritë kur trupi i tij ishte ftohur nga plumbat. Kanë të drejtë: sfidën e kanë me Skënderbeun dhe u pëlqen t’i quajnë Marrshallë!