
E tillë ka qenë java që lamë pas dhe që u përmbyll me zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Bujar Nishani mori 73 nga 76 votat e hedhura në kutinë e votimit, pasditen e të hënës, në një parlament ku vetëm di֛çka më shumë se gjysma e deputetëve pranoi të votojë. Ai bëhet kreu i gjashtë i shtetit i zgjedhur pas rënies së komunizmit, në një klimë politike që u komentua menjëherë me tone gri nga komuniteti ndërkombëtar. Ky president nuk erdhi konform rekomandimeve të përsëritura të bashkësisë ndërkombëtare, për të gjetur konsensusin për kreun e shtetit. dhe reagimet nuk vonuan. Kreu i delegacioni europarlamentar për Ballkanin Kukan tha se ky qe një tjetër shans i humbur nga politika shqiptare, kurse zëdhënësi i komisionerit Fyle u shpreh se është e vështirë të gjenden elemente pozitive në atë që ndodhi në procesin presidencial në Tiranë.
Presidenti Nishani nuk është një president i paligjshëm. Ai vetëm është president i zgjedhur nga njëra palë. Madje jo një figurë e rangut të dytë, por një zyrtar i PD i rangut të parë. Nuk u shkel Kushtetuta, nuk u shkelën rregullat ligjore të lojës, por u humb një shans për të pasur në krye të vendit një person qëq do të kishte pas vetes 140, e jo 73 vota.
Ky proces nuk i mbylli debatet politike në vend, por në të kundërt, i maisi ato edhe më keq. Janë të gjitha gjasat që kjo klimë e trazuar të prekë së afërmi edhe pjesën tjetërtë axhendës politike të vitit 2012. Reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe heqja e imuniteteve janë në krye të kërkesave të Brukselit, për të shpresuar marrjen e statusit të vendit kandidat në tetor. Por gjasat janë që zgjedhja e kreut të shtetit të ketë prodhojë një nivel “toksinash” në ambjentin politik, që shpesh do të përkthehen në ngurtësim të qëndrimeve, ashpërsim të gjuhës dhe të komunikimit dhe mbyllje hapësirash për dialog e kompromis. Këto janë reflekse që politika shqiptare i ka manifestuar rregullisht, sa herë që në mes të palëve ka sunduar mosbesimi dhe armiqësia.
Por nuk është vetëm ajo çka la pas zgjedhja e presidentit, që mund të helmojë të ardhmen e afërt të marrëdhënieve politike në Shqipëri. Pikat e mësipërme të axhendës së reformave kanë ardhur deri këtu të pazgjidhura, siç mund të kujtohet fare lehtë, pikërisht sepse rreth tyre nuk u gjet një konsensus i gjerë politik. Pjesë e paketës së nëntorit të shkuar, këto reforma janë tërhequr zvarrë nga palët, më së shumti nga qeveria, për mungesë konsensusi për formula e zgjidhje konkrete. Reforma zgjedhore, një nyje e vërtetë gordiane, do të jetë shumë e vështirë që të marrë një zgjidhje tani, kur PD e PS janë përplasur për kreun e shtetit. Pasi edhe kur gara presidenciale nuk kishte startuar ende, ato e shkelën disa herë afatin për të gjetur një zgjidhje për ligjin zgjedhor. Madje edhe kërkesa e komisionerit Fyle për të vendosur për këto çeshtje para nisjes së bisedimeve për kreun e shtetit, u shkel me këmbë si pa të keq. Fundi i telenovelës presidenciale, për mënyrën sesi u shfaq para shqiptarëve, ka shumë mundësi që ta komplikojë edhe më tej arritjen e një konsensusi. Problemi i KQZ, i formulës së saj, përbërjes dhe i pozitës së kryetarit Ristani, janë të gjitha detaje të nxehta, që me shumë gjasë do të krijojnë tension në komisionin e posaçëm në ditët dhe javët në vazhdim.
Të njëjtin fat duket se po ndjek edhe reforma parlamentare. Teksa sheh sesi e ka privatizuar Kuvendin e Shqipërisë dyshja Berisha-Topalli, teksa dëgjon vulgaritetet e kryetares dhe urrejtjen politike të kryeministrit, e kë të vështirë të besosh se shumica do të bjerë dakort që kjo stinë e gjatë e dhunimi parlamentar të marrë fund me një akord mes palëve. Megjithëse Jozefina Topalli është atakuar personalisht nga Bashkimi Europian për përdorimin që i ka bërë postit të saj, megjithëse në parlament është hequr prej kohësh parimi i votës së fshehtë për pjesën dërrmuese të procedurave, megjithëse deputetët e opozitës flaken nga seancat plenare për një fjalë goje, shumica qëndron fort tek idea se kjo mënyrë funksionimi e Kuvendit nuk ka defekte.
Piketa e tretë, por jo e fundit për nga rëndësia, është ajo e heqjes së imuniteteve. Ngjan si ajo fjala e urtë, kur të gjithë përpiqen të fshihen, por pas gishtit të tyre. Prej njëzet vjetësh politika shqiptare përbetohet se nuk e do imunitetin e vet, se nuk e ndjen të nevojshme të mbrohet, se kërkon të jetë si të gjithë qytetarët përpara ligjit. Dhe çfarë ka ndodhur?! Gjë prej gjëje! Edhe tani, kur heqjen e imunitetit po e kërkojnë me forcë në Bashkimin Europian, palët spërdridhen në të njëjtën retorikë boshe: Duam ne, por s’duan ata! Gjithsesi, çeshtja e imunitetit duket më e thjeshta përsa i takon zgjidhjes, ndër të treja.
Në axhendën politike është ende herët të futen disa çeshtje të tjera delikate, si ajo e prokurorit të përgjithshëm apo e shefit të shërbimeve sekrete. Kjo sferë problemesh do të ketë edhe dorën dhe influencën e presidentit të ri, i cili deri tani rrethohet nga dozë e lartë skepticizmi, për shkak të besnikërisë partiake dhe rreshtimit të pafjalë në llogoren politike të PD. Gjithsesi duhet pritur. Berisha ka ditur të fabrikojë armiq me shumicë në poltronin ku Bujar Nishani bëhet gati të ulet.