Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Pse i hapim rrugë Serbisë në OSBE?

Nga 
Genci Dajti

Shqipëria po i hap rrugë marrjes së kryesisë së OSBE nga Serbia. Taktika e heshtjes që po ndjek qeveria shqiptare ndaj procedurës që ka nisur, do të lehtësojë statusin e ri që Beogradi zyrtar po kërkon të marrë në kuadër të Organizatës të madhe me qendër në Vjenë

Vuk Jeremic, ministri i jashtëm i Serbisë

 

Serbia do të marrë kryesinë e OSBE. Rruga drejt këtij hapi të madh, për vendin që në vitet ’90 i vuri flakën gjithë Ballkanit, duket se është hedhur në mbledhjen e ministrave të jashtëm të OSBE, e cila u mbajt në Vilnius në dhjetor të vitit 2011. Aty është hedhur një propozim që fqinjit tonë verior t’i hapet rruga për të kandiduar për kryesinë e OSBE. 
Burime diplomatike i thanë JAVA-s se vendet anëtare po e vendosin formalisht dritën jeshile për Beogradin, me anë të “silence procedure”, një mënyrë procedimi ku secili vend që bën pjesë në organizatë, nëse nuk reagon brenda një date të caktuar, konsiderohet se është dakort me kandidaturën në fjalë. 
Në atë takim Shqipëria ka marrë pjesë në cilësinë e vendit anëtar. Brenda disa ditëve mësohet se ajo, si edhe vendet e tjera anëtare, ka mundësinë që të reagojë zyrtarisht kundër marrjes së kryesisë nga ana serbe, me anë të një njoftimi për presidencën irlandeze, duke thyer kështu procedurën e heshtjes. Të njëjtat burime thonë se mesa duket Tirana zyrtare nuk do ta hedhë këtë hap, duke lejuar indirekt që Serbisë t’i jepet edhe kjo mundësi, e mohuar deri dje.
Ky hap i munguar i qeverisë shqiptare, përbën një akt të papritur dhe pse jo të nxituar. Ne nuk duhet ta kishim pranuar që në ministerialin e Vilniusit këtë kandidaturë, e kjo për më shumë se një arsye.
Së pari, shteti që kërkon dhe merr kryesinë e OSBE, duhet të jetë i pastër nga absolutisht çdo lloj konflikti me fqinjët. Ai nuk duhet të ketë probleme kufitare dhe pakicash, të jetë “leader by example”, të ketë standartin më të lartë të zbatimit të angazhimeve, të ketë shtet të konsoliduar ligjor, etj. Mbi të gjitha, e rëndësishme për një vend kryetar të OSBE është që të mos ketë KONFLIKT interesi me ndonjë shtet tjetër, veçanërisht fqinj dhe veçanërisht nëse ka konflikt të thellë politik, si dhe kur çështja ndërmjet tij dhe vendit tjetrit është në rendin e ditës të organizatës dhe kur situata atje është nën mbikqyrje dhe ndihmë të vetë OSBE!
Serbia nuk përmbush aktualisht asnjë nga kriteret e rreshtuara më lart. Përkundrazi, ajo vijon t’i fryjë konfliktit në Kosovë, të mbajë sistemin paralel, të mbjellë tension në Veriun e Kosovës, të nxisë tensionet etnike dhe të ketë si objektiv kryesor të deklaruar të politikes së saj të jashtme, sabotimin e një shteti fqinj - Kosovës dhe të njohjeve të tjera ndaj saj.
Qëndrimi yne tregon paqartësi të madhe të njohjes së rëndësisë që ka pesha e “vetos” në këtë organizatë, por gjithashtu edhe mosluajtjen e rolit dhe vetos as për një rast madhor si ky. Me shumë gjasë shteti serb do ta kishte hedhur këtë hap ndaj nesh, në një rrethanë të ngjashme!
Sjellja jonë diplomatike tregon që nuk po priremi nga interesi kombëtar, por thjesht nga retorikat e pavlera patriotike, si dhe shfaq dobësinë dhe mungesën totale të seriozitetit tonë si shtet. Kartvizita që po i japim në dorë Serbisë, është çertifikatë e tepërt “pastërtie” për shtetin serb, sepse me të në dorë, Beogradi do të nisë propogandën se asgjë nga ato që thuhen për të, nuk është e vërtetë. Duke i dhënë Serbisë kredibilitetin e një shteti drejtues të një organizmi ndërkombëtar, po hidhet në hap që do të ketë pasoja jo të vogla në të ardhmen e marrëdhënieve të vështirë të Beogradit me Prishtinën. Qëllimi i lexueshëm i Serbisë është që ta përdorë këtë kartë të re në OKB, me që­llim që të bëjë obstruksion ndaj Kosovës, edhe për vitet e ardhshme. E habitshme është edhe sesi qeveria e Kosovës nuk e ka ngritur deri tani publikisht këtë problem ndaj qeverisë tonë.
Situata bëhet edhe më absurde kur sheh sesi Lituania, për shembull, e ka thyer procedurën e heshtjes, duke kërkuar, për arsyet e saj, shtyrjen e marrjes së këtij vendimi deri në korrik. Ky hap i palës lituaneze do të ishte një precedent që duhej të ishte përdorur edhe nga Shqipëria.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura