
Mu desh të zgjidhja midis dy ceremonive këtë javë dhe për arsye sa emocionale aq edhe racionale zgjodha të isha te hapja e lojërave olimpike në Londër. Emocionale sepse nuk qëllon shpesh të kesh një vend në hapjen zyrtare të lojërave më të famshme dhe të shtrenjta të kohërave moderne. Racionale sepse e dija që edhe po të mungoja te ceremonia qeveritare e betimit të Presidentit të ri nuk do humbisja ndonjë gjë të madhe, në kuptimin e kuriozitetit gazetaresk e kam fjalën.
Si për fatin tim të keq ata pak miq që pyeta se si shkoi ceremonia m'u përgjigjën në kor- hipokrizia e radhës. Që aty shpalosen buzëqeshje hipokrite dhe shtrëngohen duar njerëzish që konsiderohen armiq jashtë protokollit ky nuk është ndonjë sekret. Madje edhe personazhe që përtojnë të ngrenë telefonin apo tu kthejnë përgjigje mesazheve të gazetarëve aty janë më të dashur se kurrë. Shpesh e kam gjetur veten të habitur nga sjellja e disa hipokritëve që nuk kanë asnjë detyrim dhe asnjë shtrëngim moral të më japin dorën për kortezi. Dhe sa më shumë habitem unë aq më të sjellshëm janë ata, personazhet që kanë detyrime ndaj publikut për të qenë transparent dhe të përgjegjshëm dhe asesi ndaj meje apo kolegëve që mbijetojmë edhe pa ngërdheshjet hipokrite.
Por, ajo cka mu duk më hipokrite nga të gjitha ishte sjellja e opozitës në ceremoninë e betimit të Nishanit, ministrit të zgjedhur me dhunën e kartonave të shumicës së thjeshtë të maxhorancës. Në mirëkuptim të plotë të angazhimeve shtetërore të një opozite të përgjegjshme dhe bashkëpunuese nuk e paragjykoj praninë e saj në betimin e Presidentit për të respektuar Kushtetutën e Shqipërisë. Problemi qëndron të mungesa e koherencës së opozitës edhe pse në këtë rast sjella e saj është pasojë e sjelljes arrogante të shumicës qeverisëse. Nëse ditën kur Ministri i Brendshëm votohej në Kuvend, opozita shprehej se i sapozgjedhuri ishte noteri i Berishës në presidencë, atëherë ç'vlerë ka të respektosh e zyrtarizosh futjen e këmbës së noterit në kullën më të lartë të shtetit?
Për më tepër, kur maxhoranca që e votoi Presidentin e akuzoi ashpër opozitën si pengesë të integrimit të vendit në mungesë të konsensusit të kërkuar fuqimsht nga Brukseli dhe aleatët e tierë. Nuk po them nga shqiptarët, se ata ka disa dekada që nuk i dëgjon kush. C'kuptim ka të luash teatër në ceremoninë e betimit kur pritshmëria e një Nishani nën kontroll të plotë të Berishës është tashmë një fakt që pritet të ndodhë. Si shpjegohet që sa hërë kreu i maxhorancës hedh ndonjë kockë lëshimi ndaj opozitës, kjo e fundit rend me vrap të bëj detyrën si aktore e përgjegjshme e nje komedie që vet e ka denoncuar që në ditën e parë të ngjizjes?
Personalisht, nuk zhgënjehem nga vajtjet a mos vajtjet në takime të tilla bajate të mbushura me personazhe po aq qesharakë sa hija e tyre e zmadhuar nga mirazhi i vapës. Madje as me qeshjen vesh më vesh të Topallit që aktronte personazhin e lumtur kur vetë e kishte ëndërr të ishte ajo Presidentja. Keqardhem për mungesën e sinqeritetit dhe koherencës në teatrin e politikës shqiptare. Sepse duke u sjellë sikur s'ka ndodhur asgjë me zgjedhjen e nje presidenti partiak, politikanët dhe hipokritët duhet të bëjë mirë llogaritë tme partnerët ndërkombëtarë të cilëve iu është thënë se Shqipëria do të merrte tatëpjetën në rast të një skenari të tillë. Pyetja është, kush do ta marrë tatëpjetën pas hiprokrizisë së radhës?