Për sa kohë Lulzim Basha ishte Ministër i Transporteve, pastaj i Brendshëm dhe i Jashtëm, ishte i pranishëm nëpër studio televizive, pothuajse po aq sa një pjesë e gazetarëve që jetojnë e shëtisin nga njëra studio në tjetrën. Dhe, për shkak të shpeshtësisë së kontaktit vizual me të, krijohej një ndjenjë mirëqenieje në ballafaqim, pasi të duket gati gati si koleg, pasi të jepte një ndjesi solidariteti, të dukej mik, a thua se pushteti i dytë dhe i katërt ishin përqafuar aq fort sa s’kishte ku të shkonte më.
Për çudi, me të vajtur në Bashki, z. Basha u bë për studio televizive një mall po aq i rrallë sa edhe serioziteti në Tiranë. U zhduk. Humbi. U tret. Edhe në rastet kur del në ekran është kronikë mbulim. Ai dhe stafi i ngushtë që u morën me montimin e kronikave të fushatës e dinë se çdo të thotë kronikë mbulim.
Tavolina të mirinformuara në Tiranë thonë se fajin për këtë zhdukje nga ekranet e ka Ed Rama. Ky i fundit, me gjasë i lig, egoist, i gjatë, ish basketbollist, nuk ka pasur vetëm dy breshka në zyrë, betohen nëpër tavolina. (Shshshshttt.. ule zërin!) “Mos e bëj muhabet, por e di të sigurt se ka pasur edhe një hardhucë të tejdukshme, nga ato që rrinë nëpër mure”, thonë gojët e mirinformuara. Para se të ikte, i këputi bishtin hardhucës dhe e ka groposur te skarpatet e Lanës. Hardhuca e mbetur në zyrë, e tmerruar, është fshehur, por bishti po i rritet. Kështu që ajo është në të njëjtën kohë edhe në zyrën e Lul Bashës edhe te skarpati i Lanës.
Ndaj, thonë këto tavolina, po i merr Lana punët e Tiranës sepse Rama i ka bërë magji. Të Premten e tretë të çdo muaji shkon e i këndon bishtit të hardhucës që t’i sjellë gjithë tersin e botës Bashës. Do ti qe i ka ecur!
Si qytetare e Tiranës, por edhe si gazetare, ndjehem shumë e shqetësuar për këtë. Pavarësisht të gjithave, unë dua që Tirana të jetë një qytet normal, ku të jetoj normalisht. S’më jepet për magji, se po të dija, do isha përpjekur ta prishja këtë të Ed Ramës. Por di të bëj pyetje, që, në qoftë se marrin përgjigje, së paku do na tregojnë se ku po shkojmë dhe ç’po ndodh. Jo se nuk e shohim me sy, por duam ta dëgjojmë nga goja e kryebashkiakut.
Dhe meqenëse ai nuk vjen nëpër studio edhe kur premton, nëpërmjet Javës po i shkruaj:
Çfarë është bërë për kthimin e hapësirave të gjelbra në Kryeqytet?
Si shpjegohet që vinçat mbi pallate janë shtuar, kur nuk ka ndonjë informacion publik se keni filluar të jepni leje ndërtimi?
Ç’po ndodh me ndërtimet pa leje që lulëzuan gjatë fushatës suaj për Kryebashkiak dhe vazhdojnë ende?
Si po shkon premtimi juaj për të krijuar një marrëdhënie me qytetarët?
A ka filluar plani për rigjallërimin e lagjeve?
E dini se me heqjen e traut tek Parku Kombëtar (hyrja për tek Gjeologji-Miniera) është pluhuri dhe trafiku, pasi i është mundësuar aktiviteti dy tre lokaleve dhe një lavazhi, në kurriz të disa metrave kub pemë që kushtojnë më tepër se të gjithë baret e Tiranës?
Ç’po ndodh me kontrollin mbi territorin që premtuat?
Për sheshin Skënderbej s’po ju pyes, se besoj e shikoni nga dritarja si është katranosur.
Mund të më kthejë përgjigje edhe këtu në revistë, ose në adresën time Tonight Ilva Tare, në studio, të Martë ose të Premte, nga ora 21:00 deri në 22:50. Nuk do ta ndërpresë askush, përpos dy tre ndërprerjeve publicitare gjatë emisionit. Ashtu si zakonisht, janë edhe punët e qeveritarëve të këtij vendi përpara të qeverisurve, pak publicitet...