Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Aleksandër Meksi tregon Pavarësinë

Nga 
Skender Minxhozi

Arkeologu dhe historiani i njohur Aleksandër Meksi po punon në hartimin e një albumi historik rreth Pavarësisë. Në këtë 100 vjetor të Kuvendit të Vlorës, ai tregon për “Java” detaje, hollësi dhe fakte që lidhen me atë ngjarje. “Jam krenar për ata burra që shpallën Pavarësinë”, thotë Meksi

 

 

Z. Meksi, së fundmi keni botuar në shtyp një material në lidhje me Kuvendin e Vlorës, si dhe deklaratën origjinale që doli nga ky kuvend që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Ç’mund të na thoni më shumë rreth kësaj?

Interesimi im për Kuvendin e Vlorës mund të quhet një interesim normal, si për çdo njeri, meqenëse është 100 vjetori, i cili nuk përsëritet më për ata që janë gjallë sot, sepse akush nuk arrin te 200-ta, le të themi. Por ky interesim kishte dhe një arsye të thjeshtë, praktike, meqenëse unë jam duke punuar me një grup njerëzish për botimin e një albumi që lidhet me 100-vjetorin e Pavarësisë, një album historik. Dhe unë u mora në atë grup me pamjen reale të deklaratës së Pavarësisë, me pjesëmarrësit dhe firmëtarët e atij Kuvendi. Përgjithësisht, njihet ajo deklaratë nga një fotomontazh i bere nga patrioti Lef Nosi, i cili, e pat shpërndarë atë dikur. Ishte kjo deklaratë që qarkullonte më pas. Edhe ne kohë të komunizmit, kjo deklaratë qarkullonte me një vulë që fshihte disa emra patriotësh që nuk duhej të përmendeshin, sepse ishin antikomunistë. Ajo u “rizbulua” pasi e gjeti dikush dhe e nxorri më pas.

Deklarata e Pavarësisë u firmos më datën 28 Nëntor nga ata që qenë të pranishëm në hapjen e Kuvendit të Vlorës. Kjo del nga shqyrtimi i procesverbaleve të Kuvendit, të cilët ruhen dhe janë botuar, së pari në revistën “Përlindja e Shipërisë”, në vitin 1914 – atë e drejtonte Dhimitër Berati, pjesëmarrës dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, - dhe ribotuar në 1924 nga Lef Nosi, në revistën e tij “Dokumente Historike”. Pra, ishte një fakt i njohur për këdo që nëpër biblioteka merrej me historinë e Shqipërisë. Përgjithësisht shumica i kanë rënë shkurt këtij problemi. Nuk kanë qenë të vëmendshëm në regjistrimin e emrave dhe evidentimin e tyre, në kërkimin e biografisë dhe faktit të tyre. Sepse ka shumë prej tyre që përfunduan në vitin ’44 në burgje, megjithëse qenë patriotë të shquar dhe që sot i nderojnë të gjithë, të tjerë u pushkatuan, të tjerë emigruan ose vdiqën në burgje.  

I vetmi që atë listë e jep të plotë, - rreth 77 veta, që quhen delegatë e që iu dihen emrat, - është Bardhosh Gaçe. Me ndonjë pasaktësi të vogël, por që e jep të plotë në botimin e tij të dytë të librit “Ata që shpallen Pavaresine”. Të tjerët, duke përfshirë edhe Historinë e Shqipërisë, edhe persona të tjerë, japin shifra të gabuara, deri edhe emra të gabuar personash pjesëmarrës. Nga ky kërkim që kam bërë unë në këtë punë, rezulton që, së paku 43 emra kanë qenë të pranishëm, dhe emrat e tyre dihen, në datë 28 Nëntor. Prej tyre, rastësisht, 3 vetë nuk kanë firmosur, - nuk kanë ndenjur deri në fund, ose kanë lëvizur kur janë hedhur firmat. Por, Luigj Gurakuqi, të nesërmen, kur lexon procesverbalin për ta miratuar, thotë që: Kush do të vijë, sot e tutje, - ngaqë filluan të vinin delegatët, - do të firmosë deri ditën e fundit këtë dokument. Në fakt, nuk firmosi njeri tjetër, përveç atyre 40 vetëve ditën e parë. Në vitin 1937, në ekspozitën e 25-vjetorit të Pavarësisë, u ekspozua kjo fletë, që ruhej nga Lef Nosi, me një shënim poshtë, në një kornizë të futur, që 6 firmat e Mustafa Krujës, Ferid Vokopolës, Nehbi Sefës, YmerDeliallisi, Xhemal  Deliallisi dhe Zydi Ohrit, janë në anën e prapme. Në montazhin që ka bërë Lef Nosi, këto të 6 firma, ashtu siç kanë qenë në faqen e prapme, janë fotografuar dhe janë vënë bashkëngjitur firmave të tjera, për të krijuar një imazh të plotë. Unë mendova se, për të qenë realë, për ta përdorur këtë dokument në mënyrë dinjitoze, duhet që ky të ketë pamjen që ka pasur dikur. Pra, ktheva anën e prapme të fletës, që ruhet në fotografi, - dhe do falënderuar fototeka kombëtare “Marubi” që na e vuri në dispozicion këtë fotografi, - morëm nga fotografia që ka bërë Lef Nosi të 6 firmat dhe i vendosëm në pjesën e sipërme të faqes së prapme. Pra, të dyja këto bashkë bëjnë Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk është korrekte, për mendimin tim, që kjo të paraqitet siç është paraqitur deri më sot. 

 

Kur do t’i shohim rezultatet e këtij projekti për të cilin ju po punoni?

Besoj brenda fillimit të vjeshtës, në mënyrë që mund të përdoret nga të gjithë të interesuarit dhe të huajt, që të dinë se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe të mund ta njohin. Është interesante, kur lexon këto procesverbale, korrektesa me të cilën këta njerëz, shumica të shkolluar në universitete, veprojnë, sesi i japin rëndësi anës procedurale të zgjedhjes së qeverisë, të zgjedhjes së Pleqësisë në formë senati, të përsëritjes së votave, të këmbënguljes për të votuar në një mënyrë apo një tjetër. Pra ka një seriozitet në çdo procesverbal, thuhet sa veta mungojnë dhe kush janë ata që mungojnë. Sigurisht, në një mbledhje të tillë, me një organizim të përshpejtuar, mund të ketë dhe pasaktësira. Unë do të përmendja një që, kur jepen delegatët që kanë ardhur, mungojnë të jepen dy emra, por që jepen si mungues ose për ta votohet, që janë Riza Bej Gjakova dhe Zenel Bej Begolli, të cilët jepen në vota, por nuk jepen si të ardhur. Është për të ardhur keq që studiuesit e derisotshëm nuk kanë bërë studim të plotë të të gjithë emrave që ndodhen në këto procesverbale. Për shembull, neve na mungojnë dhe themi se kemi gjetur të dhëna për dy prej tyre, janë dy delegatë, të cilët, së bashku me Ahmet Zogun, erdhën nga Tepelena dhe zbritën në Vlorë, sepse rruga Berat-Lushnje ishte bllokuar nga ushtritë serbe, që janë Kurt Ag Kadiu dhe Riza Beg Çela. Po kështu, nuk kemi mundur të gjejmë gjë për Dervish Bej Ipeku( Peja), i cili vjen bashkë me Isa Boletinin dhe Mehmet Dëhallën ditën e dytë të Kuvendit. 

Në shumë dokumente e kujtime thuhet që kanë qenë në sallë 47 delegatë. Ka shumë të ngjarë që të kenë qenë ata delegatë të cilët akoma nuk kishin marrë mandat. Sepse, në momentin që ti s’kishe mandat, dhe mandati merrej nga Parësia e territorit që të dërgonte, qoftë me telegram a me të shkruara, nuk pranoheshe si delegat. Ka një incident të vogël, le të themi, kur Jahja Ballhysa thotë që të më zëvendësojë filani, dhe i përgjigjen që ne nuk e pranojmë këtë kërkesë tënden, sepse nuk je ti ai që cakton zëvendësuesin, por janë ata që të kanë caktuar ty, që e bëjnë këtë. Dhe, dëshmi të kësaj natyre janë një numër i jashtëzakonshëm telegramesh që këmbehen nga Ismail Qemali nga Bukureshti e Vjena e Durrësi, por edhe nga të tërë rrethet e territoreve shqiptare të pa pushtuara, deri në Janinë e poshtë, në të cilat thuhet që, meqenëse nuk vijnë dot këta të dy, ne dërgojmë këta dy të tjerët. 

Pra, delegatët e Kuvendit të Vlorës kanë qenë realisht përfaqësues të zonave nga vinin. Sigurisht që janë të zgjedhur nga Parësia, por, kur flasim për Parësi, jemi në një parësi pak a shumë të emancipuar, sepse kur lexojmë, për shembull, 20 – 30 veta që firmosin telegramet e Elbasanit, gjejmë priftërinj, hoxhallarë, të krishterë dhe myslimanë. Pra nuk ka një atmosferë dallimi fetar, edhe këtu, që jemi në Shqipëri të Mesme. Po kështu dhe në qytete të tjera. 

Fatkeqësisht, ka pasur sherre ndërmjet historianëve, - sherre të politizuara, që nuk duhet të ndodhin në një histori, - për dy nga emrat, së paku. Për Ahmet Myftarin, që është delegat me këtë emër dhe për Hysen Efendi Gjirokastrën. Në qoftë se do kontrollohen telegramet që këmbehen gjatë kësaj periudhe, qoftë edhe në luftrat kur janë pranë Durrësit trupat e vullnetarëve vetëdashës të Matit, siç i thonë ata, këto telegrame firmosen nga Ahmet Myftari një herë dhe nga Ahmet Myftar Zogolli herën tjetër. Por, Eqerem Vlora, kur kthehet, - ai ishte delegat i Vlorës, por nuk mori dot pjesë, sepse ishte në Kuç dhe Himarë duke luftuar me vullnetarët kundër invazorëve grekë, - thotë që, kur u ktheva në shtëpi, gjeta që atë natë kishin fjetur te unë Ahmet Myftar Zogolli dhe Dervish Bej Biçaku, - që qenë kushërinj midis tyre (mesa di, djem tezesh). Pra, dëshmia që Ahmet Zogu ka qenë delegat, bashkë me Riza Beun dhe Kurt Again të Matit, nuk vihet në diskutim. Ka edhe telegrame të tjera që thotë “jam zgjedhur” dhe se ku do nisem. 

Përsa i përket Hysen Hoxhës, (të parin thamë e kundërshtojnë komunistët, të dytin e kundërshtojnë antikomunistët), ai ka qenë në atë kohë, - dhe kjo është e vërtetuar edhe nga studiuesit, - kryetar i Bashkisë dhe është ndër ata që bëjnë telegrame, ku thotë që do vijnë ky e ky, dhe thuhet pastaj që ka ardhur Hysen Efendi Gjirokastra. Pra, nuk ka studime të plota për ta, por janë të padiskutueshme pranitë e këtyre të dyve. Duhet të mësohemi që të mos bëjmë gabimin e 50 vjetëve të shkuara, ku Lef Nosi dhe Mustafa Kruja s’na pëlqenin dhe nuk ua përmendnim emrin. Duhet të heqim dorë nga kjo.

Përveç këtyre detajeve, që janë mjaft interesante, a ka diçka që ju ka surprizuar në këtë proces hulumtimi?

Më ka surprizuar dhe më ka bërë gjithashtu krenar - me të drejtë, do të thoja unë, - vetë akti i atyre delegatëve që bënë Pavarësinë. Dhe cikli i fillimit të Pavarësisë u përshpejtua nga luftrat ballkanike, ku filluan ndërhyrjet për të copëtuar Shqipërinë, këtu e 100 vjet përpara. Copëtimi nuk bëhej me koncesione dhe me falje territoresh, por bëhej me pushtime territoresh. Dhe Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi nisen dhe shkojnë në koloninë e Bukureshtit, sepse në Bukuresht nuk kishte pushtet otoman, ishte shtet i lirë, - dhe drejtuesit e tij ishin nga familja Gjika. Dhe aty vendosën që për të shpëtuar Shqipërinë, të shpallet Pavarësia. Delegatët e Bukureshtit dhe të tjerë u nisën për në Trieste, ku edhe do të grumbulloheshin me të tjerët, kurse Ismail Qemali shkoi në Vjenë dhe Budapest, ku prej andej dërgon edhe telegramin e famshëm që “e ardhmja e Shqipërisë u sigurua”. Pra iu dha garancia nga Austria, e cila ishte një mbrojtëse reale e Shqipërisë. Dhe në qoftë se shohim hartat e Shqipërisë, të propozimeve të vitit 1913, territorin më të madh Shqipërisë ia jep pikërisht Austria, ndërkohë që Rusia, në favor të Serbisë, jep Shqipërinë e gjysmuar që kemi ne sot. Pra, kjo është rruga e shpalljes së Pavarësisë, dhe nga telegramet bëhet e qartë që, mblidhuni në Durrës e në Vlorë, për të shpallur Pavarësinë. Dhe, në qoftë se në 28 nëntor u bë kjo deklaratë për Pavarësinë, Tirana, Elbasani, Kruja, Durrësi, Lushnja etj, e shpallën më përpara, ngritën flamurin, sepse qe një çështje e mbyllur. Dhe, vetë këta delegatë, - unë e thashë, tre veta nuk firmosën, dhe ata të tjerët që erdhën më mbrapa nuk firmosën, - nuk i dhanë atë rëndësi që, me të drejtë, i japim ne sot. Ata e quajtën një detyrim dhe nuk mendonin që kjo letër do të kishte më vonë kaq shumë vlera. Ata nuk firmosën dhe nuk i dhanë rëndësi. Megjithëse Luigj Gurakuqi thotë se ky dokument mbetet, është me vlerë si kujtim. Lef Nosi pastaj e ruajti, siç ruajti edhe telegramet. Si ministër i posteve ai e dinte vlerën e tyre. 

Pra, kjo modesti e tyre, mosdhënia e rëndësisë, mosrrahja e gjoksit për të kërkuar poste, me qenë se kishin qenë në Vlorë, kishin marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës, është e jashtëzakonshme. Ata e quanin thjesht si një detyrim patriotik. Bashkë me delegatët ka pasur edhe shumë të tjerë që i shoqëronin. 

Si e konsideroni mënyrën se si po i afrohemi festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë? Si i shihni përgatitjet që po bëhen për kremtimet e tij?

Nuk kam asnjë ide, se unë nuk po shoh që të bëhet ndonjë gjë.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura