Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Gjithë njerëzit e Presidentit

Nga 
Lorenc Vangjeli

Një ditë në zyrën e Presidentit të zgjedhur Bujar Nishani, pak ditë para se të marrë zyrtarisht detyrën. Drejtësia, një nga prioritetet e tij dhe parandjenja e “çuditshme” për zgjedhjet e vitit 2013

I parë nga lart, Pallati i Kongreseve ngjan me një anije të bardhë të ankoruar në skaj të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Në dy hyrjet e tij, anash nga krahu i Hotel Rognerit dhe mbrapa, nga hyrja për në KQZ, qëndrojnë dy roje të Gardës së Republikës. Këmisha të bardha dhe jelekë blu, të nevojshëm për të fshehur armatimin e brezit. Që prej diçka më shumë se një muaji, rojet janë shtuar për të mbrojtur rezidencën e përkohshme të Presidentit të zgjedhur të Republikës zotit Bujar Nishani. Një gjë të tillë e kërkon protokolli. 

Të mërkurën paradite, Presidenti ende në detyrë i Republikës, Bamir Topi kishte mbetur në mes të detit në një anije të vërtetë. Trageti i linjës Bari-Durrës me të cilin ai po udhëtonte pësoi defekt në ujëra ndërkombëtare, por një gjë e tillë kaloi vetëm si një lajm “kurioz” për median, madje diku edhe me ngjyra ironie dhe pothuaj gjithkund pa u vënë re absurdi ulëritës i shtetit shqiptar. Përveç një rimorkiatori që ju përgjigj thirrjes SOS, asnjë anije e Rojes Bregdetare nuk ju afrua tragetit për ndihmë; marinarët thonë se një anijeje me motorë të shuar në det, mund t’i ndodhë gjithçka. Edhe më e keqja rrezikonte rreth 250 pasagjerët e tragetit dhe vetë Presidentin e Republikës, siguria e të cilit, është e lidhur domosdoshmërisht edhe me sigurinë kombëtare. Garancinë për sigurinë e jetës së Presidentit e kërkon edhe protokolli. Por tani Topi është në ikje dhe në armiqësi të hapur me këtë maxhorancë. Shto këtu edhe zakonin e ngulitur në politikën shqiptare në këto 20 vjet: poshtë ai që ikën, rroftë ai që vjen!  
Por kjo nuk është tema e bisedës me Presidentin e zgjedhur Nishani. Ishte ende e mërkurë herët dhe lajmi se çfarë po ndodhte me zotin Topi sapo kishte mbërritur në Tiranë. Vetë Nishani është mjaft i kujdesshëm, nuk e përmend pothuaj fare emrin e njeriut që mbajti për pesë vjet zyrën në të cilën ai është destinuar të qëndrojë po pesë vjet së paku. 
 
Në zyrën e përkohshme
të Nishanit
Ndodhet në katin e parë të Pallatit të Kongreseve, vetëm disa dhjetra metra nga zyra në të cilën do të hyjë të martën mbasdite mbas orës 20.00. zyra e tij e përkohshme është një sallë në përdorim të KQZ dhe që përdoret për takime zyrtare. Mobiljet janë të vjetra, janë ato çfarë hynë në ndërtesë që 25 vjet më parë kur ajo sapo kishte përfunduar së ndërtuari. Kolltukë të rëndë me mbulesa ngjyrë bezhë, tavolina të rënda druri të verdhë, madje edhe telefoni është i modelit të vjetër. Një kompiuter i ri dhe një tufë e stërmadhe me gazetat e ditës mbi tryezë, janë dëshmia e vetme e kohës që ka rrjedhur prej atëherë. Edhe kondicioneri në fund të murit, është po aq i hershëm sa dhe godina. 
Nishani është i sjellshëm. Madje me një mënyrë dhe stil sjelljeje  që e bën të duket gati-gati i panatyrshëm në ambientin përgjithësisht arrogant të politikës dhe pushtetit. Eshtë pothuaj i vetmi politikan në Shqipëri që ka pësuar një metamorfozë pozitive nga pushteti. I ardhur në politikë aktive në vitin 2005, mbas fitores së bujshme të mandatit të deputetit në zonën e Kombinatit në Tiranë duke u shpallur triumfues përballë ish-ministrit socialist të rendit dhe Monika Kryemadhit, Nishani u shfaq atëherë ashpër si një nga skifterët e rinj të maxhorancës blu. Në vetëm pak vite, me hyrjen e tij në ekzekutiv, atëherë kur pritej më pak, ai lëmoi tonet dhe sjelljen dhe nga kostumi i politikanit radikal, qepi linjat e politikanit të kontrolluar dhe të urtë edhe atëherë kur ndodhej nën sulm nga kundërshtarët. Vetëm shtatë vjet më pas, ai mundi të zgjidhet në postin e Presidentit të Republikës, vetëm me votat e maxhorancës triumfuese dhe me një kundërshti “të sjellshme” e të kuptueshme të opozitës që sërish kishte humbur një lojë për të cilën nuk kishte shifra që ta luante ndryshe. Ndoshta natyra e qetë e tij ishte një nga shkaqet e reagimit të përmbajtur të opozitës, por ndoshta edhe këtu ka diçka më shumë. Ndodh shpesh që në politikë, edhe parandjenjat të kenë një rol të rëndësishëm. 
“Çfarë do të bëhet ndryshe nga presidenca paraardhëse?”, kësaj pyetjeje Nishani i përgjigjet gjatë, por duke ju shmangur në çdo rast krahasimit të drejtpërdrejtë dhe pa përmendur ish-nënkryetarin e partisë së tij. Po gjatë ai tenton të shpjegojë diferencën mes mirënjohjes së natyrshme që provon ndaj shumicës blu dhe Doktor Berishës që i dha votat, me ushtrimin e detyrës. “Nuk mund ta fsheh mirënjohjen, por detyra është tjetër gjë”, thotë ai duke shtuar se në të paktën një pikë do të jetë insistues. “Drejtësia, drejtësia dhe sërish drejtësia. Roli i Presidentit në sistemin e drejtësisë është i veçantë dhe mjaft i rëndësishëm. Sidomos në emërimet, promovimin e karrierës së gjykatësve dhe ndëshkimin e tyre. Po punojmë edhe me ekspertë të huaj për të krijuar një sistem që shmang subjektivitetin në emërime, një sistem i cili do të bëjë të qartë se kur, kush dhe si e meriton ngritjen në detyrë”, thotë ai, “posaçërisht në emërimet për në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Meqë sistemi i drejtësisë është një piramidë që ndërtohet apo shkatërrohet nga maja, këto dy institucione marrin një rëndësi të posaçme në të gjithë sistemin. Duke vazhduar me nxitjen e Gjykatës së Lartë për firmosjen e vendimeve unifikuese, të cilat mund të marrin dhe vulën e Gjykatës Kushtetuese aty ku është e mundur, çka do të shmangte abuzivizmin dhe standartizonte të drejtën”. Flet gjatë për drejtësinë dhe është i bindur, që nëse do të mundë të lejë një shenjë pozitive në këtë sistem dhe pushtet të sëmurë, do të ketë arsye ta gjykojë të mbarë presidencën e tij. Në fakt, kjo është dhe sfida që ai parashpall. Një sfidë e cila, duke pasur një armë më shumë në dorë – kufizimin e imunitetit të gjykatësve – do t’i bëjë ata realisht më përgjegjës përballë ligjit. 
Viti i ardhëm me zgjedhjet e përgjithshme dhe mundësinë e përmbysjes së ngjyrave në qeverisje, i duket larg dhe afër. E në këtë temë, ai zgjedh të befasojë. “Kam një bindje të brendshme, më shumë ma thotë instikti se kësaj here do të mundim të realizojmë zgjedhje të ndershme dhe të lira, pavarësisht rezultatit, kam një bindje se do të jenë zgjedhje që do të pranohen nga të gjitha palët”, thotë ai duke e rreshtuar veten në atë minorancë të trishtuar njerëzish optimistë në Tiranë që e besojnë dhe mendojnë një gjë të tillë. Edhe pse roli i Presidentit në zgjedhje është i përmbledhur vetëm në dekretimin e ditës së votimit dhe në hedhjen e votës së tij individuale. 
 
Më thuaj me kë rri, të të them se cili je
Kjo aksiomë e hershme e urtësisë popullore, ngjan edhe më e vërtetë kur bëhet fjalë për njerëzit e Presidentit. Për krijimin e stafit me të cilin do të punojë nesër Nishani. Edhe pse shpesh është ironizuar në shtyp për pamundësinë e tij relative politike për të bërë zgjedhje vetjake, Nishani, siç mund të hamendësohet lehtë, e hedh poshtë këtë mundësi. “Janë zgjedhje të miat, por ky është një proces ende i papërfunduar. Për momentin, janë vetëm tre emra pothuaj të konfirmuar, sekretari i përgjithshëm, zëdhënësi i shtypit dhe këshilltari diplomatik”, thotë Nishani. 
Emrat e njerëzve të rinj të presidentin janë relativisht të njohur. I pari, Bardh Spahia, ish-zëvendësministër i shëndetësisë, i diplomuar për mjekësi dhe i specializuar në Itali, në La Sapienza, ka nisur ndërkohë detyrën. Bashkë me paraardhësin e tij, të zgjedhurin e Presidentit Topi, Aleksandër Flloko, ai po punon për transferimin e dosjeve të punës. I dyti, Fatmir Konja, ka mbajtur të njëjtën detyrë edhe në ministrinë e brendshme me vetë Nishanin ministër. I diplomuar për mësuesi, Konja ka kryer të njëjtin funksion në këto shtatë vjetët e fundit. Dhe i treti, Besnik Konçi, me profesion fizikant, ka qenë në vitet e fundit konsull dhe ambasador në Kanada dhe së fundmi, drejtor në drejtorinë e integrimit në ministrinë e arsimit, do të mbajë detyrën e këshilltarit diplomatik. “Emrat e tjerë janë në proces”, thotë Nishani, ndërkohë që përmendet si pjesë e kabinetit të tij edhe sekretari i përgjithshëm aktual i ministrisë së brendshme, Florian Nuri.  
Për kabinetin politik ekzistues të Presidentit Topi ka menduar ligji. Ata janë funksionarë politikë dhe sipas rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës”, ditën që Nishani merr zyrtarisht presidencën, do t’i paraqisin atij dorëheqjen. Dhe pastaj është vetë Nishani që vendos për të ardhmen e tyre. Ata janë, Aleksandër Flloko, sekretar i përgjithshëm, Dashamir Xhaxhiu, drejtor kabineti, Spiro Peçi, këshilltar ligjor, Çlirim Çepani, këshilltar diplomatik, Afrim Krasniqi, këshilltar për marrëdhëniet institucionale, Artur Metani, këshilltar ligjor, Maksim Cikuli, shëndetësi, arsim dhe shkencë, Arben Shehi, zhvillim urban, mjedis dhe turizëm, Manushaqe Shehu, kolonele, këshilltare ushtarake, Kasem Seferi, për ekonominë dhe zëdhënësja Mimoza Koçiu.
Pjesa tjetër e punonjësve të presidencës, e ndarë në katër drejtori, juridike, ekonomike e burimet njerëzore, informimi publik e marrëdhëniet me jashtë dhe shërbimet mbështetëse, janë të përbëra kryesisht me nëpunës të shërbimit civil, që mund të largohen nga vendi i punës vetëm në raste specifike që i njeh ligji për shërbimin civil i 1999-ës. 
Një pjesë e kabinetit dhe e punonjësve të administratës e kanë vizituar ditë mbas dite, me kërkesën e tyre vetjake Nishanin. Ndokush prej tyre edhe i kërkuar në takim nga vetë Nishani. 
 
Ceremonia, kësaj here ndryshe
Ka një vendim të Këshillit të Ministrave për ceremonialin që do të mbahet të martën për marrjen e detyrës nga Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani. E veçanta e këtij viti, ndryshe në rastin e tranzicionit Moisiu-Topi, është që ceremonia do të mbahet në selinë e presidencës. Janë përgatitur dhe shpërndarë ftesat për rreth 600 të ftuar, deputetë të Kuvendit, anëtarë të qeverisë, diplomatë të huaj, përfaqësues të komuniteteve fetare, të institucioneve të pavarura, përfaqësues të medias e të tjerë. Ajo është parashikuar të mbahet në sallën Skenderbeu të presidencës dhe ambientet e tjera të jashtme të saj dhe do të zgjasë rreth 35 minuta. Do të ketë vetëm një fjalim të shkurtër të Nishanit, i cili paraprakisht do të ketë lexuar formulën e betimit në Kuvend. Topi, ndryshe nga pesë vjet më parë, nuk ëhstë parashikuar të mbajë një fjalë të fundit, por do t’i dorëzojë në mënyrë simbolike pasardhësit një kopje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Më pas, një parakalim i truprojes së nderit, shoqëruar nga banda ceremoniale dhe në interval prej tre sekondash, do të dëgjohen 21 të shtëna topi, që do të shënojnë dhe fundin e presidencës Topi e fillimin e presidencës Nishani. 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura