Pas 17 shkurtit të vitit 2008, kohë kur kosovarët shpallën pavarësinë e tyre, bashkë me rekomandimet e pakos së Ahtisarit, kanë rrjedhur jo pak ujëra. Plot 88 shtete e kanë njohur si realitet të ri Kosovën, ndërsa së fundi dhe Serbia u detyrua ta njohë përfaqësimin e saj në rajon. Deri këtu duket gjithçka sipas parashikimit dhe që tingëllon si fryt i natyrshëm i një sakrifice shekullore të shqiptarëve nën sundimin serb. Megjithatë, artikulimi gjithmonë e më shumë i një realiteti të ri, rreth atij që konsiderohet në mënyrë abuzive si “identitet kosovar”, duket se po i turbullon sërish ndjenjat e shqiptarëve të këtej dhe andej kufirit.
Dy kontradikta reale, sot rëndojnë mbi Kosovën, e para që lidhet me kushtëzimet e ndryshme të ndërkombëtarëve dhe e dyta që ka të bëjë me realitetin e brendshëm në vetë Kosovën e mbarsur me kontradikta të palëve të ndryshme mesvete, për një gjoja identitet të ri. Ky element i fundit bëhet akoma më kompleks, kur kujton se ditët e fundit një grup deputetësh kosovarë po përgatiten që të përcjellin në Parlament, një propozim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Një nismë e cila çuditërisht, në hapat e para, nuk kish brenda pikërisht “Vetvendosjen”, formacionin politik që e konsideron bashkimin kombëtar si një shtyllë të saj programore.
Në këtë mjedis kaq të koklavitur të Prishtinës duket se prej kohësh qarkullon një përpjekje tjetër, diametralisht e kundërt e cila ushqen një debat për krijimin e një identiteti të ri, atë të Kosovës. Kjo do të thotë një largim gjithnjë e më të shumë nga indi historik që lidhet Shqipërinë Amë, me të cilën e lidh tradicionalisht thuajse gjithçka. Situata merr edhe trajta absurde, kur kjo temë delikate përthyhet në qëndrimet kamaleonike të politikës. Politikanët kosovarë përdorin në artikulimet e tyre dy regjistra, ashtu si edhe politikanët e Tiranës. Atë që duan ndërkombëtarët të dëgjojnë dhe nga ana tjetër gjuhën nacionaliste për shqiptarët e thjeshtë, që u kërkojnë votat. Gjithsesi, flamuri verdhë e blu që u tund ditën e pavarësisë shoqëruar dhe me fjalimin e Ahtisarit, kuptojnë që ky trend politik do të vijojë nga do Perëndimi. Kuptohet se që nga formimi i shtetit shqiptar më 1912 dhe lënia e Kosovës jashtë tij (pasojë e faktorit ndërkombëtar) elementi i huaj ka qenë bazik për ekzistencën. E sërish nga ata, Kosova është trajtuar me një status të veçantë në gjeopolitikën e re.
Ky identitet i ri duket se veç largimit nga Shqipëria, kërkon të plotësojë dhe atë angazhim moral që Kosova ka ndaj Perëndimit. Për hir të së vërtetës, në realitetet e sotme, ka një kontradiktë mes popujve që aspirojnë pavarësinë dhe shpjegimi i parimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, e cila ishte edhe karta e pretenduar e serbëve në Gjykatën Ndërkombëtare për legjitimitetin e Kosovës. Vetëm se Kosova edhe pas gjykimit në Gjykatën Ndërkombëtare ka fituar atë që se kanë fituar dot palestinezët, kurdët, tibetianët e kështu me radhë. Ndaj, në Kosovë jemi përballë një situate, ku duket se ky identitet i ri po sajohet ose krijohet nga zori. Sa do të jetojë...? Duket si një lloj eksperimenti që të gjithë duan ta shohin me kujdes, pa e tepruar. Artikulimi për këtë identitet është i vështirë dhe duket kinse i fshehtë, ndërsa tre personalitete shumë aktive të Tiranës dhe Prishtinës, nuk ngurojnë të japin mendimin e tyre haptazi për “JAVA”-n, në lidhje me të.
Si e shikoni kërkimin e një identiteti të ri në Kosovë? Ka më shumë gjëra të përbashkëta apo që na ndajnë tash sipas jush?
“Çashtja e identiteteve partikulare shqiptare, me fokus në identitetin partikular kulturor të Kosovës, asht lansue më 1 Dhetor 2001, si suplement i veçantë i Gazetës ‘JAVA’ (periodik kosovar), tue e konstruktue nji pyetje - KUSH ASHT KOSOVARI? - dhe janë hapë faqet e gazetës për debat. Debati ka zgjatë katër vjet, dhe ato diku 50 kontribute të cilat ishin botue në gazetë, janë përmbledhë në librin me të njajtin titull - KUSH ASHT KOSOVARI ? - i cili me ndihmën e ambasadës zvicrane në Prishtinë, edhe u përkthye në anglisht.
Debati, besonim në redaksi, kishte me ndihmue ndjesinë dhe vetëdijen për partikularitetet kulturore shqiptare, të cilat janë formue e plazmue në procese, relacione e kontekste historike të ndryshme nëpër të cilat kaluen shqiptarët, partikularitete të cilat na ne redaksi gjithmonë i kemi pa vetëm si ‘shtresa’, ‘aspekte’ dhe pasuni të asaj qe mund t’i referohemi si - Identitet Shqiptar.
Debati, n’anën tjetër, zbuloi edhe prezencën e nji mediokriteti shqiptar, edhe në Tiranë edhe në Prishtinë, i cili ishte i korracuem e çimentuem njat mase sa çfarëdo pyetje, çfarëdo debati për Identitetin, sidomos për Identitetin Shqiptar, e përjetonte si provokim, sulm, përpjekje me përça ‘diçka që me aq zor u formësue e bashkue”.
Debati i Gazetës JAVA demaskoi mendimin dhe perceptimin e elitave shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, të cilat ‘Identitetin Shqiptar’ e kishin përmbrendësue vetëm si njidimensional, monolit, të pandryshueshëm. Elitat edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, me kaq sa sjell libri “Kush asht Kosovari”, Identitetin Shqiptar e përjetojnë jo si të ndertuem dhe konstruktuem në procese historike-kulturore, në relacione e interakcione, po si të lindun e gati si biologjik. ‘Identiteti Shqiptar’, me kaq sa sjell libri, kuptohet vetëm në dimensionet dhe aspektet etnike të tij, artikulohet vetëm në shumës, Na Shqiptarët, tue i eklipsue të gjitha dimensionet tjera si ai kulturor, shtetnor, gjuhësor, gjinor, seksual, gjeografik...që shum ma mirë artikulohen në njajës se sa në shumës.
Personalisht mendoj se ky përjetim i Identitetit Shqiptar si “i lindun” dhe si “biologjik” asht pasojë e keqkuptimit fatal të sociologjisë shqiptare, e cila Kombin e përjeton si “të lindun” dhe “biologjik” e jo si relacional e kultural. Me gjasë, para se të flasim për Identitetin shqiptar, duhet dekonstruktue botëkuptimin për Kombin, për Shtetin, për Gjuhën e për Kulturën.
Po mundohem shum shpejtë me i identifikue disa tipare, relacione kulturore e ngjarje historike që e bajnë me u emanue nji identitet partikular kulturor i shqiptarëve në Kosovë:
1) Gjuha, idioma natyrore e shqiptarëve në Kosovë – Gegnishtja – asht tipari i parë që përbashkon kulturalisht këtë komunitet;
2) përpjekjet dhe sakrificat kolektive të shqiptarëve në Kosovë për 50 vjet, me realizue mvetësinë e vet shtetnore (demonstratat e vitit 1968, 1981, protestat dhe rebelimi ndaj përpjekjeve me e shembë autonominë në fund të ‘80tave, aparthejdi serb gjatë të ‘90tave, egzodi biblik i 1 milion shqiptarëve nga Kosova, LUFTA 1997-‘99);
3) interaktimi dhe relacioni kulturor i shqiptarëve të Kosovës me kulturat tjera si serbe, kroate, boshnjake, sllovene në ish Jugosllavi;
4) lindja e Shtetit të Kosovës i cili i shton këtij identiteti partikular aspekte/shtresa të reja të identitetit shtetnor (flamuri, himni, shtetësia, pasaporta…).
Tana këto ndihmojnë me e kuptue se sa e përbame dhe komplekse asht përpjekja me e thjeshtue çashtjen e Identitetit. Por, nëse janë këto kontekste që na dallojne, ajo që na përbashkon asht gjithmone etnia, mitet, ndjesia abstrakte e përbashkësisë, dhe nji aspekt i identitetit kulturor i konstruktuem nga elitat e fillimit te shekullit XX (Fishta, Samiu, Naimi, Çajupi…), dhe konstruksionet kulturore të fabrikave kulturore të komunizmit enverian, që këtë Identitet e kanë damtue aq shum sa duhet punë e punë me e riparue. Këto dilema, shqetësime e paragjykime që dalin sa herë hapen çashtjet e identiteteve, unë i shoh vetëm si recidive të nji shkatërrimi monumental që ju ba Kulturës dhe Identitetit Shqiptar nga komunizmi”.
A ka sipas jush një prirje institucionale për ta larguar imazhin e Shqipërisë nga njerëzit dhe institucionet në Kosovë?
“Jo, përkundrazi! Në Kosovë ka përpjekje institucionale me e luftue identitetin shtetnor të Kosovës, shtetin e Kosovës. Në parlamentin e Kosovës përfaqesohet nji parti, “Vetevendosje”, e cila në program e ka – ndërrimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërrimin e flamurit dhe himnit të Kosovës dhe zavendësimin e tyne me – Shqipni(sic!). Ministria e Arsimit e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Partia e Thaçit, PDK, merr akcion me ba abetare të përbashket me Shqipninë (sic!). Ka iniciativa publike që Kosova mos me krijue reprezentacionin e vet në futboll, por me e pranue reprezentacionin e Shqipnisë si të vetin (sic!).
Mendon se të dy vendet e kanë të pamundur të jenë një i vetëm në të ardhmen?
“Ta themi kështu: pse s’po e shohim këtë realitet si – DY TE VETME QË PERBAJNË NJI MA TË MADHE? Unë kisha me thanë se shqiptarët historikish kurrë ma shum s’kanë qenë bashkë dhe të bashkuem se sot, kur Kosova finalizoi përpjekjet e saj për shtet. Shteti i Kosovës asht nji realitet global, të cilin e kam shum zor me e pa se po zhduket dhe po shkrihet në diçka tjetër, si Shqipnia(sic!). Për me e kuptue se sa e zorshme asht nji imagjinate e tillë, duhet me kujtue se sa zor e me çfarë sterzimesh lindi shteti i Kosovës. Dhe, Kosova nuk asht sot nji shtet etnik, po shtet qytetar, multietnik, ashtu si e determinon Kushtetuta e saj. Bashkimin e nesërm mes Kosovës dhe Shqipnisë nuk e shoh të pamundun, por ai s’ka me lind mbi emocione e kangë si ‘xhamadani vija-vija’, po mbi interesa konkrete që i bajnë shtetet me i ekspandue e multiplikue mundësitë e pasunitë e veta. Europa nuk ka nisë mbi emocione e mbi kangë si ajo e Toto Cutugno’s, “Unite Europe”, po mbi marrëveshjen gjermano-franceze mbi shfrytezimin e pasunive të krahinave Rur dhe Sar.
Le ta fillojmë bashkimin e shteteve tona tue u marrë vesh ma s’pari për ‘krompira’: A doni me na i ble a jo!
Albin Kurti - politikan (Prishtinë)
Si e shikoni kërkimin e një identiteti të ri në Kosovë? Ka më shumë gjëra të përbashkëta apo që na ndajnë tash sipas jush?
“Nuk ekziston një dilemë e tillë midis shqiptarëve. Populli shqiptar në Kosovë, shtetin e Kosovës (me gjithë problemet e tij) e shohin si sukses të çështjes shqiptare. Dilemat lidhur me identitetin janë më shumë kompleks i një pjese të vogël të njerëzve në Kosovë që mbahet si elitë kulturore e intelektuale. Ata i mundon i ashtuquajturi problem i “metropolit”. Të njëjtit që flasin për kinse imponimet nga Tirana, nuk preferojnë ta thonë asnjë fjalë mbi pushtetin antidemokratik të EULEX – it, cënimit të sovranitetit nga strukturat e Serbisë etj.
Është veçanërisht e nevojshme që të diskutohen me qëllim përfshirjeje e bashkëpunimi të gjitha çështjet që janë me interes e që janë debatuar shumë, duke filluar nga gjuha, kultura, librat e historisë etj. Kjo duhet bërë qoftë në nivel institucional, qoftë në nivel të kërkuesve shkencorë”.
A ka sipas jush një prirje institucionale për ta larguar imazhin e Shqipërisë nga njerëzit dhe institucionet në Kosovë? Pse gjithnjë po ka njerëz që artikulojnë një ndarje mes nesh...
“Që nga shpallja e pavarësisë, ndryshe nga qytetarët që po e njohin dhe po e ndjejnë gjithnjë e më të afërt Shqipërinë, tek institucionet shtetërore ka një largim të elementit shqiptar, element ky përmes të cilit e kemi arritur edhe shtetin e Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte shpallje e pavarësisë, jo aq nga Serbia që na mbante të pushtuar, por pavarësi nga Shqipëria me të cilin nuk duhet të bashkohemi. E kam fjalën për Kushtetutën e Kosovës, gjegjësisht nenin 1.3 të saj, ku Kosovës i ndalohet bashkimi me Shqipërinë. E njëjta gjë vlen edhe për flamurin e “Kosovës”, apo flamurin e Ahtisaarit, siç i themi ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, flamur ky i imponuar dhe që nuk përmban asnjë element të kombit shqiptar. E njëjta gjë vlen edhe për Ligjin mbi Festat Zyrtare, ku dita e flamurit kombëtar, 28 Nëntori, nuk është në listën e festave zyrtare të shtetit”.
Mendoni se të dy vendet e kanë të pamundur të jenë një i vetëm në të ardhmen e afërme?
“Më parë sesa të fillojmë nga mundësia për ta kufizuar veten kësisoj, duhet nisur nga vullneti që i zgjeron mundësitë. Varet pastaj se çfarë quajmë mundësi. Mundësi nuk është llogaritja e të dhënave dhe kombinimi i tyre. Mundësitë e reja lindin nga mohimi i mundësive aktuale. Në angazhim e në lëvizje ne zbulojmë mundësitë tona, njohim potencialitetin tonë që nuk do të arrinim ta llogarisnim dot në një vlerësim objektiv.
Bashkimin e duan shqiptarët andej e këndej kufirit. Elitat që i qeverisin ata nuk e duan. Elitat mbesin të tilla duke shtypur popullin e varfër, secila në pjesën e vet. Kjo gjendje është mundësi potenciale emancipimi, por asgjë nuk është e dhënë derisa nuk kemi angazhim e organizim të vet popullit për ta ndryshuar gjendjen e tij. Këtu qëndron rëndësia e pazëvendësueshme e aktivizimit”.
Piro Misha - publicist (Tiranë)
Si e shikoni kërkimin e një identiteti të ri në Kosovë? Ka më shumë gjëra të përbashkëta apo që na ndajnë tash sipas jush?
“Di që në Kosovë ky është një debat që ka kohë që zhvillohet. Janë një sërë intelektualësh e gazetarësh që tashmë prej vitesh përpiqen të shpjegojnë se në fakt tashmë është krijuar një identitet i veçantë kosovar i cili, në thelb, ndryshon nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë. Ç’është e vërteta, elementë të një qasje të tillë, i gjejmë dhe te disa prej ligjërimeve dhe veprimeve të viteve të fundit të presidentit Rugova. Tek ne në Shqipëri një debati i tillë ka qenë deri më sot përgjithësisht mjaft periferik, i pasqyruar kryesisht përmes ribotimit të shkrimeve të botuara në Kosovë, por shpejt a vonë besoj se ky debat ka për të zënë më shumë vend dhe në faqet e shtypit të Tiranës. Sidoqoftë, pyetja që duhet shtruar është: A ka vërtet në vetëidentifikimin kolektiv të kosovarëve diçka që i bën ata ta ndjejnë veten në thelb të ndryshëm nga shqiptarët e Shqipërisë? A ka vërtet ndryshime të tilla mes elementëve përbërës, kujtesave, simboleve, miteve, vlerave të reja dhe të vjetra që përbëjnë boshtin e vetëidentifikimit kolektiv të kosovarëve dhe të shqiptarëve të Shqipërisë, sa të na bëjnë të flasim për dy identitete kolektive, deri diku të ndryshëm, siç besojnë disa nga autorët kosovarë?
Mendimi im është se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës i lidhin një sërë elementësh të rëndësishëm të përbashkët, duke nisur sigurisht nga gjuha, që i bëjnë ata të jenë një komb. Sigurisht që ekzistojnë dhe një sërë dallimesh, që lidhen me historinë, më ndikimet e ndryshme, e kështu me radhë, por që, për mendimin tim, s’përbëjnë ende sot për sot një masë të tillë kritike sa të çojnë në krijimin e dy identiteteve qenësisht të dallueshëm. Por, nga ana tjetër, ashtu siç dihet se identiteti i çdo populli i ka rrënjët thellë në histori, në përvoja që përçohen nga brezi në brez përmes traditave, dihet edhe se vetëidentifikimi i çdo populli s’është diçka e ngrirë, muzeale. Përkundrazi, ai i nënshtrohet një procesi ndryshimesh të vazhdueshme, që lidhen sa me kontekstet sociale, ndërveprimin e ndikimeve nga kultura të tjera, pa përjashtuar, sigurisht, dhe projektet politike të një elite mbizotëruse e cila, për arsye nga më të ndryshmet, kërkon të theksojë dallimet për të ngjizur gradualisht një vetëidentifikim e vetëpërfytyrim thelbësisht të ndryshëm. Shembulli më i afërt për këtë në kohë, më duket ajo që ka ndodhur dekadat e fundit mes Rumanisë dhe Moldavisë, dy popuj që deri dje e konsideronin veten një popull e një komb, që fliste të njëjtën gjuhë, por që tani duket se janë gjithnjë e më të ndarë, duke e vënë gjithnjë e më shumë theksin te dallimet reale apo të përfytyruara që ekzistojnë mes tyre”.
A ka sipas jush një prirje institucionale për ta larguar imazhin e Shqipërisë nga njerëzit dhe institucionet në Kosovë?
“Kjo është një pyetje që sinqerisht s’jam në gjendje t’i përgjigjem. Por me aq sa di unë një prirje e tillë, së paku e institucionalizuar, s’ekziston”.
Mendon se të dy vendet e kanë të pamundur të jenë një i vetëm në të ardhmen e afërme?
“Teorikisht, ideja e bashkimit s’është dhe s’ka pse të jetë e pamundur. Por pyetja që duhet shtruar është, a është sot ajo realiste?
Në fund të fundit, duhet kuptuar se çështja e një bashkimi të mundshëm politik mes Kosovës dhe Shqipërisë s’është dhe s’mund të reduktohet në një çështje retorike, apo aq më pak folklorike, sado tërheqëse mund të jetë mediatikisht valëvitja masive e flamujve kuq e zi, apo mbushja e tribunave e mitingjeve me djem, vajza apo pleq me qeleshe e të mbështjellë me flamurin kombëtar. Çdo projekt politik bashkimi në një të ardhme është realist nëse ai shpreh interesat e pjesës më të madhe të shtetasve që banojnë në të dy anët e kufirit, duke i dhënë njëkohësisht përgjigje një sërë pyetjesh me rëndësi: A do sillte një bashkim i tillë një jetë më të mirë, më të begatë, më të sigurtë, më dinjitoze për shqiptarët? Një shtet më të fortë, më funksional, më të drejtë, apo dhe më të zhvilluar?
A do ishte kjo një mënyrë për t’i dhënë fund, apo qoftë dhe për të minimizuar problemet e shumta me të cilat përballen shqiptarët në të dyja anët e kufirit?
A do na çonte kjo më afër integrimit në Evropë?
Apo, në fund të fundit, a do sillte kjo një qeverisje më të mirë, më pak korrupsion, më pak abuzim, më shumë përgjegjshmëri?
Apo më shumë probleme e tensione të reja, krahas atyre ekzistuese?
Sinqerisht, s’e besoj se sot për sot bashkimi Shqipëri Kosovë do sillte zgjidhjen e ndonjë prej problemeve madhore me të cilën përballen qytetarët. Nesër, sigurisht, s’i dihet...”.