Ka një poezi të hershme të fillimit të shekullit të kaluar poeti komunist sovjetik Majakovski, në të cilën flitet për një mbledhje që do t’i jepte fund të gjitha mbledhjeve. Duke e perifrazuar atë poezi, në Shqipërinë e sotme, ja vlen të flitet për një reformë përfundimtare që do t’u jepte “fund” të gjitha reformave. Kësaj vere të nxehtë është në modë të flitet për reformën në institucionin e imuniteteve. Për njerëzit e politikës dhe ata të drejtësisë. Dy llojet e pushtetit që normalisht e kanë marrë në qafë këtë vend, dy pushtete të cilat kanë shkallën më të ulët të besimit të publikut. Prej disa ditësh, politika po e tregton idenë e kufizimit deri dhe shuarjes së imunitetit të politikanëve dhe gjyqtarëve, si mjetin e parë dhe të vetëm në luftë kundër korrupsionit, i cili në këto nivele, siç tashmë janë të bindur të gjithë, lulëzojnë në kulturën e mosndëshkimit. Po a e ka seriozisht politika në përgjithësi një nismë të tillë? Dhe kryesisht, e ka seriozisht flamurtari i zakonshëm i inisiativave të tilla, doktor Berisha këtë ngjyrë flamuri në modë që po e tund me forcë? Për përgjigjen ndaj një pyetjeje të tillë ndihmon tradita. Ajo çfarë ka ndodhur të paktën në këto shtatë vjet të qeverisjes së tij. Reforma në drejtësi dhe nevoja për ndryshime kushtetuese, janë hedhur në treg disa herë gjatë këtyre dy mandateve të qeverisjes së demokratëve, por ato kanë ndodhur vetëm një herë, në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese. Ndryshime të cilave jua pa “hajrin” vetëm një palë, ndërsa pala tjetër është shprehur e penduar. Sepse atëherë parimi ishte i thjeshtë: fituesi në zgjedhje i merr të gjitha! Duke i dhënë madje atij edhe të “drejtën” që të ndikonte në parimin bazë kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Pak histori, nis me KLD-në
Pakkush mund të kujtojë se sulmi mbi KLD-në, qeverinë e gjyqësorit, shënoi në të djeshmen tentativën e parë serioze të pushtetit të sotëm për të vënë dorë në sistemin e drejtësisë. Edhe atëherë u fol gjatë për reformën në drejtësi. Në fund të vitit 2005, një projektligj të cilit ende askush nuk i ka dalë për autor, u miratua në Kuvend me votat e shumicës. Në thelb ai synonte shkrirjen e KLD-së ekzistuese dhe rikompozimin e saj me elementë të rinj nga shumica. Zhurma e madhe e krijuar atëherë, protestat zyrtare dhe jo zyrtare të partnerëve të huaj që kanë asistuar prej vitesh reformën në drejtësi, kulmuan me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi atë ligj si të pabazuar në Kushtetutë. Më pas, edhe rikompozimi i KLD-së ndodhi. Në krye të saj, në postin e nënkryetarit, që praktikisht drejton gjithë aktivitetin e institucionit që për kryetar ka Presidentin e Republikës, u vendos Kreshnik Spahiu. Atëherë, një nga njerëzit e besuar të Berishës dhe një veprimtar civil, me orientim të qartë kundër socialistëve. Në vitin 2007, me zgjedhjen e Topit nga e djathta si President, qarku u mbyll. PD kishte në dorë me njerëzit e saj qeverinë e gjyqësorit. Në të, Berisha kishte çuar avokatin e tij Neshat Fana, kurse kryetarja e Kuvendit kishte çuar një nga drejtoreshat e administratës së saj, Lefteri Lleshi. Së fundmi, Elvis Çefa u zgjodh me një votim të dyshimtë në Kuvend si anëtar i këtij institucioni, sërish si konfident i Doktorit dhe shkodran si vetë Topalli.
Viti 2008, Pakti Kombëtar për Drejtësinë
Pati një moment, në fillim të vitit 2008, kur u mendua se palët e kishin seriozisht: kështu nuk shtyhet! Duhet reformë në drejtësi! Perspektiva e antarësimit të vendit në NATO kishte çarmatosur gjuhën politike në Tiranë dhe ngjante se punët e mira që kërkonin bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës, ishin të garantuara. Reforma në drejtësi ishte një prej tyre. Socialistët e Ramës dhe sekretariati për Çështjet Ligjore në PS dorëzuan një draft voluminoz për ligjet që parashihej të kalonin në Kuvend. Madje edhe me kalendar përkatës. Një pjesë e tyre, madje, synonin edhe ndryshime kushtetuese, të cilat mund të miratoheshin vetëm me dy të tretat e votave në Kuvend. Ishin dy kapituj bazë, Pakti Kombëtar për Drejtësinë dhe plani i veprimit afatshkurtër për reformën në drejtësi. Në kalendar parashihej fillimisht miratimi i ligjit për “Organizimin gjyqësor”, hapja e një dialogu intesiv me grupet e interesit dhe shtuar këtu, edhe angazhimin e Këshillit të Ministrave për mbështetje financiare. Në datën 10 mars ishte paraparë të hartohej në mënyrë përfundimtare dhe të nënshkruhej dokumenti i përbashkët politik për Paktin Kombëtar të Planit të Veprimit. Por gjithmonë në Shqipëri, ndodh që fishekzjarret shuhen pa u ndezur ende. U krijua një komision i përbashkët parlamentar. U zgjodh në mbledhjen e parë dhe të vetme të tij kryetari Fatos Beja dhe që atëherë, asgjë. Komisioni u shkri si kripa në ujë dhe humbi si leng pule në rërë. Në 15 mars shpërtheu Gërdeci dhe më shumë se reforma në drejtësi, në mënyrë tërësisht të papritur u vu në diskutim gjithë pushteti i demokratëve të Berishës. Edhe socialistët e harruan reformën në drejtësi dhe ai Pakt që premtonte shumëçka, u tret në harresë pa u firmosur kurrë.
NATO, ndryshimi në Kushtetutë
Vetëm pak javë pas shpërthimit në Gërdec, palët u afruan sërish në mënyrë të papritur. Duke gjykuar për një qasje të re mbi kushtetutën që ishte e vetme, por me dy synime të kundërta. Socialistët që ishin në epërsi morale dhe më pranë se kurrë me pushtetin kërkonin ndryshimin e sistemit zgjedhor, që u jepte mundësi që mbas një viti të qeverisnin të qetë, demokratët që zgjidhnin një hall të ditës duke shpresuar se do të merrnin veten mbas një viti gjatë politik në vend. Pasuan diskutime të gjata në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, por mungoi në thelb procesi në vetvete.
Aktorët e tjerë politikë dhe të grupeve të interesit, kryesisht komuniteti i juristëve, u pyetën pak ose aspak. Historinë e kishte marrë në dorë politika. Në epilogun e fundit të punës në komision, demokratët sollën amendamente të tjera kushtetuese. Kapitullin për zgjedhjen e Presidentit, për shembull. As antarët socialistë të komisionit nuk dinin, që dy kolegë të tyre negocionin fshehtas me palën tjetër. Një nga ta sot është zëvendësministër në qeverinë Berisha, tjetri që mban për emër mbiemrin e Heroit tonë Kombëtar dhe për mbiemër, fenë e pushtuesit që luftoi dikur heroi ynë Kombëtar, nuk është më pjesë e grupit të socialistëve. LSI-ja, një parti e vogël në atë kohë, por e përfaqësuar në Kuvend, ndërmorri një nismë epike – grevë urie në mjediset e Kuvendit – por nuk mundi të bllokojë inisiativën e dy partive të mëdha. Shqipëria kishte marrë ftesën për antarësim në NATO dhe politika ishte pothuaj në delir. Demokratët sepse po mundnin të shmangnin lëkundjet tektonike që vazhdonin të vinin nga Gërdeci, socialistët që llogarisnin pushtetin e tyre të nesërm, gjykonin se do të qeverisnin të qetë. Diskutimi për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve, atëherë edhe pse ishte vendi dhe koha për t’u bërë, nuk u bë kurrë. Thjesht sepse kryesisht Berisha, nuk e ka pasur seriozisht një gjë të tillë. Thjesht sepse nuk i interesonte. Në demokraci, më shumë se kushdo tjetër ka nevojë për imunitet qeveria dhe politikanët e maxhorancës, të cilët kanë në dorë firmat e kushtueshme.
Rusmajli dhe Bufi, drafti i harruar
Në shtator 2008, sërish çështja e imuniteteve të njerëzve të politikës dhe të drejtësisë doli në rendin e ditës. Një grup pune i përbashkët mes demokratëve dhe socialistëve, i drejtuar nga Ilir Rusmajli dhe Ylli Bufi, prodhoi një draft ligjor për një gjë të tillë. Askush sot, ndoshta as vetë firmosësit e tij nuk kanë dijeni se çfarë ndodhi me atë draft. Ai nuk u bë kurrë publik dhe nuk u diskutua kurrë njëlloj sikur të mos ekzistonte. Ishte një nga ato lëvizjet boshe të politikës në vend, e cila i përgjigjej presionit të ndërkombëtarëve dhe në momentin që ky presion zbehej ose harrohej, siç dhe ndodhi, edhe vetë politika harronte detyrimet e saj. Në distancë, palët ngjante se i jepnin kompromis njëra-tjetrës: të mos e prekim imunitetin tonë! Megjithatë, duke qenë në opozitë, socialistët ishin një hap më përpara. Edhe pse kështu besonin, edhe pse kështu ju interesonte sepse vinin kundërshtarin nën presionin e humbjes së imunitetit. Në një inisiativë politike, por pa vlerë ligjore të vërtetë, grupi socialist firmosi në bllok një deklaratë të përbashkët dhe individuale të deputetëve të tij, me atë të të cilës ata hiqnin dorë nga imuniteti. Demokratët e ironizuan këtë veprim, por nuk ndërmorrën asnjë veprim ligjbërës në këtë drejtim.
Sot, të heqim imunitetin
Eshtë një antar qeverie që e ndjek me shumë ankth gjithë këtë diskutim që shpërtheu në prag të mbylljes së sesionit të Kuvendit. Ai është ministri i mjedisit Fatmir Mediu. Si një nga të akuzuarit kryesorë nga Prokuroria për rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit, Mediu nuk i është nënshtruar asnjë hetimi gjyqësor. Me rifitimin prej tij të mandatit të deputetit në zgjedhjet e 2009-ës, Mediu rimorri – sipas vendimit të Gjykatës së Lartë – edhe imunitetin e tij si deputet që e mbron nga ndjekja penale. Nëse Kuvendi vendos të ndërhyjë në Kushtetutë, sipas platformës së paraqitur nga demokratët së fundmi, procesi i “ngrirë” në gjykatë në dëm të tij, i ka të gjitha gjasat të vihet automatikisht në lëvizje. Me kusht që Shqipëria të jetë sado pak vend normal dhe drejtësia të funksionojë sado pak normalisht.
Pa hyrë në thelbin e ndryshimeve të mundshme kushtetuese, forma e premtuar sesi do të bëhen ato, të paktën deri tani, i ngjajnë më shumë një procesi arnimi se ndërhyrjeje logjike në Kushtetutë. Ende nuk thuhet asnjë fjalë për procesin, për diskutimet me aktorë dhe faktorë të interesuar. Vetë qeveria ngjan tërësisht dorëjashtë prej këtij procesi. Ajo vetë nuk ka shkruar asnjë gërmë e rresht në këtë draft, por vetëm ka paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë që asistojnë reformën në drejtësi. Propozimet për kufizimin e imunitetit të deputetëve janë bërë nga misioni PACA i KiE-së dhe shkojnë paralelisht me rekomandime dhe amendamente të bërë nga EURALIUS-s. Ato janë gjithashtu në harmoni me ndryshime kushtetuese të kryera edhe në disa vende të BE-së, Francë dhe Itali, në harmoni me kushtetuta të reja të miratuara nën asistencë ndërkombëtare vitet e fundit, Kosovë, dhe me rekomandimet e prezantuara në një prej opinioneve të Komisionit të Venecias.
Propozimet kryesore për kufizimin apo heqjen e imunitetit të gjyqtarëve janë bërë në projektin e paraqitur nga ana e misionit EURALIUS – Misionit të BE që asiston çështjet e drejtësisë në Shqipëri. Thelbi i tyre qëndron në idenë se për gjyqtarët duhet hequr imuniteti i përgjithshëm dhe ata duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor. Madje, nëse tregohet qëllimi ose keqdashja në një vendim gjyqësor, gjyqtari mund të ndiqet penalisht dhe të jetë gjithashtu civilisht përgjegjës për rezultatin e këtyre veprimeve.
Do të kufizohet apo do të hiqet imuniteti i deputetëve dhe gjyqtarëve? Eshtë ende herët për t’u thënë. Përgjigjen e kësaj pyetjeje e ka për momentin vetëm njeriu që mban në dorë çelësat e qeverisjes së vendit, zoti Berisha. Dhe gjykuar se çfarë ka ndodhur në këto vite kur ai ka qenë me çelësa në xhep, vështirë të besohet se ky është momenti kur mund të thuhet: le të shpërthejnë fishekzjarret e festës! Dhe siç mund të perifrazohet poeti i dikurshëm sovjetik që e vranë duke u vetëvrarë, ende në Shqipëri nuk ka gjasa të bëhet një reformë që u jep fund të gjitha reformave.