Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Ballkanasit kërkojnë postmodernen

Nga 
Ben Andoni

Ka një vështirësi tepër të madhe, që është strukturore, sepse autori punon në vetëm e parë dhe shpesh haset me veten dhe me historitë, që nëse do të shmangesh pak do të gabosh. Por kjo i mbetet lexuesit.

 

Është një fat i keq, që e gjithë struktura e ngritur (mëtuar si e tillë) e librit në Shqipëri, nuk është e aftë ose nuk mund të arrijë që të krijojë një tërheqje nga prurjet e sotme të letërsisë bashkëkohore ballkanike. Në vend të kësaj, amplifikuar nga disa gjysmë-botues, emrat dhe librat komercialë po i zënë frymën gjithçkaje. Kjo hyrje të mëdyshon se a ia vlen apo jo që t’ia kushtosh kohën romanit të autorit bashkëkohor bullgar Georgi Gospodinov. Por, vepra e tij nuk do t’ia dijë. Pasi ka kaluar barrikadën e kritikës së thartë të vendit të tij, që duhet thënë se nuk është shumë larg vendeve të tjera ballkanike, ajo ka arritur të shijojë pak nga pak suksesin ndërkombëtar. Dhe, kur libri shkon e gjen review te New Yorker, por edhe te organe të tjera të këtij kalibri, atëherë vërtetë ia vlen.

Në Shqipëri, ai ka ardhur në kuadër të projektit TRADUKI dhe i është besuar përkthyeses Janka Selimoviç, e cila, duhet thënë se ishte e vetmja që mund të ishte në lartësinë e duhur për të përballur një detyrë të tillë nga bullgarishtja. E ka përballur? Apo thjesht është sfilitur me të? Duhet të jetë e dyta. Georgi bën një përpjekje të madhe ‘mashtruese’, që në fillim, sepse romani i tij të duket sikur është një roman me një pafundësi hyrjesh dhe ai të duket se ka dashur ta fillojë kudo, por ka zgjedhur një hyrje konvencionale gjithsesi. Në lojë ka futur emrin e tij, që e gjen njësoj të gjallë te personazhet, te redaktori i një libri dhe te endacaku, historia e të cilit po tregohet.

Në të gjithë këtë hallakatje, të themi, duket dilema e madhe e letërsisë së sotme bullgare dhe e një individi që ka kapërcyer shumë. Duket si një sfidë e madhe kjo që bën autori, dhe, kur mendon se ajo i rrëshqet disi, ai arrin ta mbledhë, duke treguar se është ai i zgjuar në vend të lexuesit të tij.

“Floberi ëndërronte të shkruante një libër për asgjënë, një libër pa kurrfarë fabule të jashtme, një libër, ‘i cili të qëndrojë vetvetiu, në sajë të forcës së brendshme të stilit, siç qëndron toka në ajër, pa mbështetje’. Prusti e kishte arritur pjesërisht këtë ëndërr, duke u mbështetur në kujtesën e pavetëdijshme. Por, edhe ai nuk i kishte shpëtuar tundimit të fabulës. Dëshira ime, aspak modeste, qëndron në fakt se unë dua të krijoj një roman vetëm me fillime”, shkruan në faqet e para përmes personazhit të tij...

Romani është i ngritur me kapituj të shkurtër, sepse historia avancon pareshtur dhe, ajo që të duket se mund të mërzisë diku, do zëvendësohet shpejt nga ndonjë episod që ti e sheh si të këndshëm, në kapitujt që vijnë në vazhdim.

Duhet të sqarojmë se libri jo vetëm që të grish, por ka shumë raste edhe që dëshiron ‘ta lësh’. E themi këtë në pikëpamjen e një lexuesi, jo aq të interesuar për lojëra shkrimtarësh. Tek e fundit, për çfarë mund t’i duhet një lexuesi shqiptar përçartja e jetës së një autori, që duket sikur tallet?! Në fakt, në këtë masë, t’i kapesh në grackën e jetës tënde dhe kotësisë së saj, dhe prandaj të duhet ky autor që të shoqëron, në një farë mënyre, duke të falur nga zgjidhjet e veta.

Po endacaku i romanit? Historia e tij është e dhimbshme, sepse është shumë personale dhe është në qendër të veprës. Vetë Gospodinovi duket në qendër të romanit të tij. Një ndryshim në jetën e tij do të përbëjë edhe ndryshimin e të gjithë romanit. Gruaja, që ka mbetur shtatzënë me një tjetër dhe pastaj minihistori e histori që rrjedhin ngado dhe që duken sikur mbajnë mendjen e çartur të personazhit tonë, që është tmerrësisht i trandur. Siç ndodh zakonisht në letërsinë moderne, alter-egot e personazhit kryesor e përmbledhin të gjithë tensionin e veprës. Në këtë rast, një redaktor, që e ndjek kudo personazhin tonë endacak, një kopshtar dhe vetë autori që gjendet kudo. Personazhi, vetë, është i shkatërruar, bashkë me historinë e tij, ndaj jeta do t’i ofrojë diçka shumë më tejet.

Duhet të jetë dhe meritë e përkthyeses së njohur (shënojmë është e lindur bullgare), por që jeton prej dekadash në Shqipëri, që ka ruajtur shumë mirë balancat e gjendjeve të autorit, duke mos na lënë të shmangemi. Anipse, njëkohësisht, edhe mund ta kishte ruajtur disi nga thjeshtësimet, që ajo i bën, falë njohjes së mirë të gjuhës së saj kombëtare dhe lodrimit jo të keq në gjuhën shqipe.

Ka një vështirësi tepër të madhe, që është strukturore, sepse autori punon në vetëm e parë dhe shpesh haset me veten dhe me historitë, që nëse do të shmangesh pak do të gabosh. Por kjo i mbetet lexuesit.

Duhet thënë se, deri më tani, libri s’ka pasur ndonjë jehonë, paçka pritjes shumë të mirë nga organet kryesore ndërkombëtare të librit, mes tyre New Yorker, New Jork Times, Book Review, The Guardian, Di Presse etj. Nga pritja e tij të lind mendimi se duket sikur Shqipëria është në qendër të letërsisë ndërkombëtare dhe nuk e çan shumë, pasi letrarët e vendit, aq shumë të dëshiruar për të bërë review kilometrike për miqtë e tyre, me romane ‘300 and +’faqe, s’e kanë pasur kohën dhe qejfin për ta marrë këtë libër, që numëron vetëm 135 faqe. Ose mbase, tek e fundit, është një histori shkrimtari endacak, që shkrimtarëve tanë nuk i bën shumë përshtypje, sepse ata shkruajnë për zotat, dhe për zgafella psikologjike që vetëm (lexo ata) shkrimtarët tanë i kuptojnë. Kurse fare thjeshtë, Gospodinov e ka bërë kritikën ndërkombëtare të flasë për librin e tij...

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura