Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Greqia jashtë Eurozonës, çfarë e pret Shqipërinë?

Nga 
Ervin Qafmolla

Nuk është e thënë të ndodhë domosdoshmërisht kështu por dalja e Greqisë nga euro mbetet një perspektivë me probabilitet të lartë. Shqipëria mund të humbasë shumë në afatin e shkurtër, por me disa përfitime në afatin e mesëm dhe të gjatë

 

Nëse Greqia lë Eurozonën, Shqipëria nuk do të kalonte pa u ndëshkuar. Të paktën kështu dikton ‘modus operandi’ i ekonomisë shqiptare, duke marrë parasysh varësinë e saj të lartë nga shteti fqinj. Por sa të larta janë gjasat që Greqia të lërë euron? “Greqia është jashtëzakonisht jashtë rruge”, një zyrtar i lartë europian deklaroi për Reuters javën e shkuar, duke kërkuar të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. “Analiza e qëndrueshmërisë së borxhit do të jetë goxha e tmerrshme”, vijoi ai.

Por kjo nuk është e gjitha. Sakaq, një anëtar i bordit të Bankës Qendrore Europiane, Drejtori Ekzekutiv i Fitch Ratings si dhe krerë të tjerë të institucioneve të rendësishme financiare kanë pranuar publikisht daljen e Greqisë nga Eurozona si të mundshme. Ndërsa grupi financiar Citi, sipas Bloomberg, ka rritur probabilitetin që Republika Helene të lërë Eurozonën brenda 2013-ës deri në nivelin 75 për qind. Me ç’duket, topi po rrokulliset që tani.

 

Shqipëria në shënjestër

Disa ekspertë janë të bindur se ekonomia shqiptare do të merrte një goditje të fortë në rastin e daljes së Greqisë nga Eurozona. “Duke e filluar nga problemet më të vogla, tregtia me Greqinë, e cila është një pjesë e konsiderueshme sa i takon importeve, do të bllokohet për disa muaj derisa të stabilizohet dhrahmia. Diçka e tillë mund të sjellë çrregullime të kosniderueshme në tregun shqiptar”, thotë eksperti i Ekonomisë Gjergj Erebara.

Në fakt, duke iu referuar të dhënave të INSTAT për vitin 2011, Greqia përfaqëson 10.6% të importeve dhe 5.1% të eksporteve shqiptare. Ndërkohë, mallrat e eksportuara drejt Greqisë në 3 muajt e parë të 2012-ës arritën vlerën e 2.66 miliardë lekë, ose 16% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, duke arritur që pesha e Greqisë në eksporte të rritet me 2 pikë përqindje për të zënë 6% në totalin e eksporteve shqiptare. Në këtë gamë kryesuan eksportet e çimentos drejt tregut grek, ndërsa ato të tekstileve kanë pësuar rënie. Eksportet greke drejt tregut shqiptar shënuan në 3-mujorin e parë një ulje prej 5.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por çrregullimi tregtar mund të jetë vërtet e keqja më e vogël. Erebara vëren se ka disa të dhëna dytësore që tregojnë se shqiptarët në Greqi kanë rreth 5 miliardë euro depozita, dhe të gjitha këto depozita, sipas gjasave, zhvlerësohen deri në 50 për qind, në çastin që Greqia del nga Eurozona. 

“Ky është një problem shumë serioz, i cili do të ketë një përshkallëzim shumë të fortë në ekonominë shqiptare”, shpjegon ai.

Ndërkohë shqiptarët kanë edhe kredi në sistemin bankar në Greqi për të cilat nuk ekzistojnë shifra të sakta, dhe këto hua, sipas Erebarës, zhvlerësohen sipas të njëjtit skenar. “Të ardhurat nga emigracioni ka shumë gjasa të rrënohen totalisht, të paktën për një periudhë disamujore”, thotë ai. Erebara vijon se gjithashtu, të ardhurat që vijnë nga pesnionet e “homogjenëve”, të cilat përbëjnë një vëllim të konsiderueshëm parash, do të goditen keqazi.

“Të gjitha këto do të sjellin tronditje në eknominë shqiptare. Si rrjedhojë do të kemi një rënie të konsiderueshme të PBB-së së Shqipërisë, e cila mund të luhatet nga 5 deri në 10 për qind” vëren ai.

Shqipëria, sakaq po kalon nëpër telashet e saj ekonomike. Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria përjetoi një ngadalësim në aktivitetin ekonomik gjatë pjesës së dytë të vitit dhe në fillim të vitit 2012, më së shumti si pasojë e performancës së dobët të tregjeve të saj kyç në BE, Greqi dhe Itali. Lidhja e fortë e Shqipërisë me Greqinë në aspektin tregtar, të investimeve dhe të remitancave, ka gjasa të pengojë rritjen ekonomike në vitin që vjen.

Banka e Shqipërisë (BSH), po ashtu ka lëshuar një gjysmë alarmi sa i takon përformancës së dobët ekonomike të vendit gjatë muajve të parë të këtij viti. Sipas BSH, informacioni për tremujorin e parë të vitit tregon për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik, duke theksuar se analiza e treguesve të disponuar konkludon se kërkesa e brendshme dhe e huaj mbeten të dobëta.

Ndërkaq, në mes të muajit korrik, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se masat antikrizë të ndërmarra nga Bashkimi Europian, që detyrojnë banakat të regullojnë bilancet e kredive në raport me kapitalet e tyre, po dëmtojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. “Për këto arsye, përfitoj nga kjo mundësi për t’u bërë një apel të gjithë vendimmarrësve përkatës të BE-së, që të konsiderojnë, me po të njëjtën vëmendje, ndikimin e vendimeve të tyre në ekonomitë që gjenden në proçesin e konvergjencës. Ne gjendemi në të njëjtën varkë dhe besoj se duhet të vozisim në të njëjtin drejtim”, theksoi Fullani.

Shqipëria ndërkohë po përballet me problem të dukshme që lidhen me mbajtjen në fre të borxhit publik, i cili nuk duhet të kalojë masën 60 për qind të PBB-së, si dhe në kontrollimin e deficitit buxhetor, të dhënat për të cilin në 6-mujorin e parë nuk premtojnë për mirë.

Ndërkaq, çështja e depozitave të emigrantëve shqiptarë në Greqi duket çështje aq serioze, sa kriza greke dhe pasiguria e perceptuar mbi sistemin bankar të këtij vendi, shaktuan një hemorragji depozitash të emigrantëve drejt Shqipërisë. Gjatë tremujorit të parë të 2012, rreth 510 milionë euro kursime u transferuan drejt bankave që operojnë në Shqipëri, duke qenë se këto të fundfit perceptohen më të sigurta nga emigrantët. Edhe vitin e kaluar, pati një rritje të deozitave me mbi 717 milionë euro, çka i atribuohet në një masë të madhe edhe transferimit të depozitave nga vendi fqinj.

Jo vetëm ters?

Jo gjithkush është o bindur për një tronditje të ekonomisë shqiptare në rastin e daljes së Greqisë nga Eurozona, duke ngritur pikëpyetje të mëdha edhe mbi mundësinë e një zhvillimit të tillë. Adriatik Kotorri, pedagog i lëndëve bankare në Universitetin e Tiranës thotë se asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë. Sipas tij, Greqia përfaqëson sot ekonominë më të dobët të Eurozonës, por realisht, nuk bëhet fjalë edhe aq për përjashtim sesa për luftën mbi transferimin e fondeve. 

“Kërcënimet për daljen nga Eurozona u bëhen edhe më të forta politikanëve grekë për t’i vënë në përgjëgjësi më të lartë përpara publikut. Ndërsa Shqipërinë nuk e prek vetëm Greqia, sepse po u dëmtua euro, pasojat do gjithëpërfshirësë”, thotë Kotorri. Ai vëren se dëmtimi i euros ndikon tregtinë, por ne nuk importojmë apo eksoportojmë në kushtet e konkurrencës. “Shqipëria nuk e importon një mall për faktin se në vend nuk arrihet të prodhohet. Ne importojmë çfarë na duhet dhe as tentojmë të konkurrojmë”, shpjegon ai.

“I vetmi problem i ndjeshëm që shoh ka të bëjë me ngadalësimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian nga një përkqësim i mëtejshëm i situatës financiare të Greqisë”, thotë Kotorri. Ai shton se nga ana tjetër, bankat që tani kanë shtrënguar kreditimin në euro, duke qenë se kjo monedhë nuk jep garanci stabiliteti si më parë, ndaj druhen se mos humbin nga një zhvlerësim i saj. “Në rastin e një goditje të fortë që mund të përjetojë euro, do të përfitonin huamarrësit shqiptarë, duke goditur fitimet e bankave për kreditë e dhëna në euro”, shpjegon ai.

Nga ana tjetër, sipas filozofisë së Jinit dhe Jangut, thimi i Greqisë në listën e vendeve në zhvillim do të bënte që Shqipëria të ishte më pak e konkurruar për krah pune, duke kthyer në rentabilitet disa burime ekonomike. “Për shembull, kjo vlen edhe për fshatrat e jugut që kanë ullinj me shumicë por nuk i mbledhin sepse mungon krahu i punës, i cili është aktualisht i angazhuar në Greqi, duke qenë se interesi është më i lartë të punosh për 30-40 euro në ditë, sesa të merresh me aktivitet bujësor në Shqipëri për 10 euro në ditë”, vëren Gjergj Erebara. Sipas tij, me daljen e Greqisë nga Eurozona, të gjitha këto burime ekonomike rivihen në punë.

Nga ana tjetër, Erebara thotë se tronditja e valutave nuk do të sillte ndonjë hata në vend: “euro do të zhvlerësohet kundrejt dollarit dhe rrjedhimisht edhe leku kundrejt dollarit, çka mund të sjellë një shtrenjtim të importeve të mallrave të kuotuara në dollarë si nafta, drithi etj., por asgjë më serioze se kaq”.

Ekonomia shqiptare në fakt, po jep prova të një farë qëndrueshmërie duke merituar kështu notën B+ nga vlerësimi i fundit i Standard&Poor's, madje duke treguar nivele më të larta stabiliteti se vendet e tjera në rajon. Por, ndërkaq, një presion i madh i kolapsit ekonomik vjen nga përtej kufijve, duke qenë se Shqipëria është shumë varur nga ekonomitë e vendeve fqinje dhe nga e ardhmja e Eurozonës, një tronditje e fortë e së cilës do të kishte efektin e një cunami mbi ekonominë shqiptare.

 

Jo vetëm Greqia

Kryeministri italian Mario Monti (i etiketuar edhe si Super Mario) deklaroi së afërmi se rajoni i Siçilisë është pranë falimentit për shkak të borxheve, dhe se ai vetë po kërkonte konfirmimin që guvernatori i ishullit ,Raffaele Lombardo, të jepte dorëheqjen. Sesa ky akt simbolik do ta zgjidhë problemin, kjo është një dilemë krejt e panevojshme, por ndërkaq, Monti thotë se ka shqetësime shumë serioze të falimentit për shkak të përshkallëzimit të krizës financiare në Siçili. Një kolaps i ishullit do të shtonte më tej presionin financiar mbi Italinë, e cila deri më sot ka arritur të mbahet por duke u lëkundur në skaj të rrëpirës së krizës.

Spanja ndodhet pak a shumë në të njëjtën varkë, madje diçka më keq. Kryeministrat e të dy vendve u takun këtë javë duke thënë se nuk ka rrezik që vështirësitë ekonomike të të dy vendeve të përshkallëzohen dhe se të dyja vendet do të punon bashkë për ta kapërcyer situatën. Këto deklarata nuk janë tjetër veçse mesazhe të ngrohta shprese dhe nuk përbëjnë asnjë garanci për zhvillimet reale ekonomike.

Ndërsa Italia është përfshirë nga “sëmundja siçiliane”, Spanja përballet me një krizë të vërtetë në sektorin bankar, ndërsa papunësia në këtë vend shënoi së fundmi nivelin 24.6 për qind.

Nëse kriza do të përhapej edhe më në të dyja këto vende, shumë analistë mendojnë se as Franca nuk do të ishte e imunizuar, duke vënë në vështirësi të tmerrshme vetë euron. Lidhur me këtë situatë, gjermania Der Spiegel bën një sqarim lakonik por domethënës. “Fillimisht Greqia, pastaj Irlanda, Italia, Spanja dhe Portuagalia: monedha e përbashkët europiane është vënë nën presion nga borxhe të mëdha kombëtare dhe nga efektet e krizës financiare botërore, duke pasur nevojë për një pakte shpëtimi prej gati një trilion euro”.

Disa analistë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se diçka e tillë do të kërkojë që Banka Qendrore Europiane të prodhojë euro, çka automatikisht do të sjellë një zhvlerësim të mëtejshëm të saj. Sesa ka gjasa që diçka e tillë të ndodhë, duke përfshirë edhe të gjitha sa u thanë këtu, asgjë nuk është e sigurt. Ama, diçka është e sigurt: në këto kohë kaq të trazuara e të mynxyrshme për Eurozonën, e ardhmja Greqisë, Spanjës, Italisë e të tjerëve është në një udhëkryq, e bashkë me të edhe fati i monedhës së përbashkët. E tepër të thuhet se në këtë rast, Shqipëria do të ishte një kasolle e vogël e zënë në një stuhi që dëmton edhe ndërtesat më të mëdha.

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura