Në mbledhjen e zakonshme qeveritare të së mërkurës, kryeministri Sali Berisha “lëshoi” një garanci që nuk e kishte lëshuar ndonjëherë. Ai prezantoi vendimin e ri të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës minimale në shkallë kombëtare, një vendim rutinë në këto vitet e fundit që respekton planifikimin buxhetor të fillim vitit për rritjen e pagës.
Por jashtë kësaj rutine ishte deklarimi kryeministror, sipas të cilit: “ky është një vendim që në një mënyrë për disa sipërmarrje mund të mos jetë shumë i përshtatshëm, por këtyre sipërmarrjeve, duke i shprehur respektin tim, i garantoj se ne jemi të gatshëm të ulemi me ta, për të krijuar lehtësirat më të mëdha të mundshme që mund t’u krijojmë”.
Doemos që kryeministri i vendit e kishte të përcaktuar saktë grupin e sipërmarrjeve për të cilin fliste. Fjala ishte për sektorin e rregjimit të përpunimit aktiv, që rëndim i cilësojmë “fasonistët”, të cilët edhe kishin bërë “qëndresë” të ashpër në dy mbledhje të Ministrisë së Punës, në atë të Komisionit të Pagave dhe Pensioneve dhe në Këshillin Kombëtar të Punës, duke e “detyruar” ministrin përkatës ta përcillte këtë qëndresë edhe në relacionin përkatës të VKM.
Sigurisht që z. Berisha bënte një gabim, kur deklaronte (së bashku me pohimin e mësipërm) se “…para një viti, ne hoqëm tarifën doganore 10 përqind për materialet që ata importojnë”. Kjo padituri kryeministrore, nëse nuk është thjesht një “lapsus”, duhet të jetë më së paku një gafë e këshilltarëve që e kanë informuar kryeministrin për “heqje të tarifës doganore”. Në fakt, vendimi i marrë vitin e kaluar nga Qeveria nuk kishte asnjë lidhje me sektorin e rregjimit të përpunimit aktiv, me fasonin, i cili nuk paguante asnjë taksë doganore për materialet që importonte, të paktën që nga viti 1992! Kjo sepse produkti i këtij sektori është një produkt që rieksportohet dhe pra, të gjitha lëndët e para dhe materialet ndihmëse nuk paguajnë asnjë lloj tarife, përveç taksës së TVSH, edhe këtë të rimbursueshme në momentin e rieksportit.
Eshtë e vërtetë që është zeruar një tarifë doganore që ndryshonte nga 10-15 %, por kjo lehtësi iu është ofruar kompanive (kompanisë) që importon produkte të gatshme veshjesh nga 28 vendet e BE-së, një lehtësi që i sillte disa milionë euro të humbura arkës së Shërbimit Doganor Shqiptar, që ishte e është mjaft e dyshimtë po të hysh në emra konkretë e kompani konkrete dhe që do t’i japë ndikimet kur kompanitë fasoniste të fillojnë të mendojnë për të prodhuar me cikël të mbyllur dhe për vendin…
Por kjo është një tjetër gjë!
Paga minimale dhe kriza
Ka një raport të vitit 2011 të titulluar “Bota e Punës 2011” të Institutit Ndërkombëtar të Studimeve të Punës të ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) që thekson rolin që ka politika e pagave në nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, sikundër ka edhe një studim interesant të përgatitur në Shqipëri (Qershor 2012) që flet për ndikimin e krizës mbi pagat në Shqipëri. Të dy studimet flasin për trendin e pagave dhe politikën e pagave. Eshtë rasti të përmendim këtu se në Shqipëri paga minimale është rritur rregullisht që nga viti 1995 (Shih grafikun “Ndryshimi vjetor i pagave…).
Por ndërsa paga minimale është rritur, raporti pagë minimale/pagë mesatare ka ardhur duke u zvogëluar. Përcaktimi i pagës minimale në fakt përveç se shërben si bazë për kontributet minimale të sigurimeve shoqërore, më shumë duhet të synojë uljen e varfërisë dhe të pabarazisë. Konventa 131 e ILO-s, që e ka nënshkruar edhe Shqipëria, kërkon që politika e pagave të lidhet sa më shumë të jetë e mundur me nevojat e të punësuarëve, me nivelin e përgjithshëm të pagave në vend, me koston e jetesës dhe standartin relativ të saj, nivelin e produktivitetit e deri me mbajtjen e një niveli të lartë të punësimit. Pa dashur të teorizojmë lidhur me korrelacionin mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit duam të kujtojmë se një sërë studiuesish të njohur në fushën e tregut ndërkombëtar të punës kanë argumentuar tashmë se ka një lidhje të zhdrejtë mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit. Dhe jo vetëm!
(Shih Grafikun 2: Paga mesatare mujore për një të punësuar (1997-2009)
Pavarësisht këtyre rekomandimeve teorike e shkencore, në Shqipëri paga minimale zyrtare në shkallë vendi është rritur në mënyrë anormale. Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë studim të tregut të punës dhe të karakteristikave sektoriale të tij, sa herë është propozuar dhe është rritur paga minimale në shakllë vendi. Nuk ka ndodhur askund si në Shqipëri që paga minimale të ndryshojë tri herë brenda të njëjtit vit kalendarik, sikundër ka ndodhur.
Të dhënat e tilla mund të japin informacione potencialisht të vlefshëm për mënyrën se si efektet e pagave minimale mund të bashkëveprojnë me politikat e tjera të tregut të punës që mund ose jo të jenë të lidhura direkt me pagën minimale.
Për të argumentuar këtë fakt, po marrim një shëmbull hipotetik: Në një situatë hipotetike të një biznesi fasonist me 50 punëtorë, në momentin aktual të taksës së tatim fitimit prej 10 %, pagesa e tatim fitimit mesatarisht, sipas studimit të bërë nga DHKPVK, është rreth 300 000 lekë në vit, në nivelin e pagës minimale prej 20 000 lekë, që presupozon se fitimi vjetor është 3 000 000 lekë. Në rast se shkohet në nivelin e pagës minimale prej 21 000 lekë (VKM e re), atëhere do të kishim një rritje të shpenzimeve për shëmbullin hipotetik si më poshtë:
- Diferenca e pagës minimale {(21 000 – 20 000) x 50} x 12 muaj = 600 000 lekë
- Diferenca e taksave të punës {[(21 000 x 16.7 %) – (20 000 x 16.7 %)] x 50} x 12 muaj = 100 200 lekë
Total rritja e shpenzimeve për 1 vit është 600 000 + 100 200 = 700 200 lekë
Shtoji kësaj dhe pjesën e taksave të punës që duhet ta paguajë punëmarrësi, por që për shkak të motiveve të ruajtjes të gjëndjes së fuqisë punëtorë ekzistuese dhe tërheqjes së fuqisë punëtore shtesë, e paguan punëdhënësi dhe që është:
- Diferenca e taksave të punës të punëmarrësit {[(21 000 x 11.2 %) – (20 000 x 11.2 %)] x 50} x 12 muaj = 67 200 lekë
Realisht shpenzimet shtesë, për një vit, për efekt të rritjes së pagës minimale nga 20 000 lekë në 21 000 lekë, janë 1.467.600 lekë.
Për shkak se kontrata është me të huaj, negociimi i vlerës së punës është pothuajse i pamundur dhe në shembullin tonë, ashtu siç ndodh dhe realisht, këto shpenzime do të prekin fitimin e ndërmarrjes. Për pasojë, fitimi i ndërmarrjes do të shkojë: 3 000 000 - 1.467.600 = 1.532.400 lekë.
Në këtë nivel fitimi, jo vetëm bisnesi nuk ka interes me që të punojë, por dhe shteti nuk ka interes, sepse pjesa e tatim fitimit që i paguhet shtetit, do të jetë me pak për :
300000 – (1.532.400 x 10 %) = 2.846.760 lekë
Kjo sa argumentuam më sipër, është pjesa ekonomike e fenomenit, që pa diskutim çon në falimentim të ndërmarrjeve që punojnë me fason, por ekziston dhe ana morale e tij, e cila ka të bëjë me tregun rajonal të punës. Ndryshimet e herëpasherëshme të pagës minimale, bile dhe brënda të njëjtit vit kalendarik dhe ndryshimi që u bë tani, të gjitha me imponim dhe jashtë formatit të ekonomisë së tregut, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e nxjerrin vendin tonë jashtë loje, duke humbur konkurueshmërinë në treg. Për pasojë ne nuk mund të jemi kompetitiv në tregun rajonal të punës dhe investimet e huaja do të drejtohen në tregje më të lira. Bullgaria, psh e ka pagën minimale vetëm 122 Euro!
Keqardhja e kryeministrit
dhe gatishmëria e tij…
Biznesi i rregjimit të përpunimit aktiv i kujtonte kryeministrit se si rezultat i faktorë të krizës globale që ka përfshirë edhe Shqipërisë, gjendjes mjaft të rëndë në sektorin e rregjimit të përpunimit aktiv, mungesës së tejzgjatur të kontratave permanente me shtetet kontraktore, mungesës shqetësuese të kapitaleve likuide për shkak të mosrespektimit të afateve kontraktuale të pagesës për punë e kryer nga kontraktorët e huaj; faktit, që më shumë se 50 % e të punësuarëvë në këtë sektor është aktualisht ose pa punë, ose i punësuar me kohë të pjesshme; faktit të mbylljes së më shumë se 50 ndërmarrjeve sidomos në Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Devoll, Pogradec, por edhe në qytete të tjera; faktit të pagesës së detyrimeve të taksës së punës nga subjektet për të gjithë numrin e punëtorëve të kontraktuar pavarësisht pjesëmarrjes së tyre në punë, etj i shtohej edhe rritja e pastudiuar e pagës minimale, në këto kushte, është indirekt rritje e tatimit mbi të ardhurat dhe e përqindjes së detyrimeve për kontributet. (Nuk rritën përqindjet por është i njëjti efekt, rezultat, sepse rritet baza me të cilat shumëzohen këto koeficentë). Gjithashtu rritja e pagës minimale do sjellë rritjen e kostos së prodhimit dhe për rrjedhojë do ulë fitimet e ndërmarrjeve. Ulja e fitimeve do sjellë uljen e investimeve dhe vëmendjen e interesin për zgjerimin e prodhimit dhe të kapaciteteve prodhuese në makineri e pajisje,etj, në përmirësimin e teknollogjisë dhe të kushteve të punës. Indirekt do sjellë uljen e kërkesës për të thithur fuqinë e re aktive për punë.
Kryeministri i ka mëshuar ditët e fundit rritjes së punësimit? Si ? Ja deklarimi: “ky është një vendim që në një mënyrë për disa sipërmarrje mund të mos jetë shumë i përshtatshëm, por këtyre sipërmarrjeve, duke i shprehur respektin tim, i garantoj se ne jemi të gatshëm të ulemi me ta, për të krijuar lehtësirat më të mëdha të mundshme që mund t’u krijojmë”.
Një deklaratë e mirë, gjithsesi…