Nëpër tallazet e diskutimeve publike në Shqipëri për ekonominë e vendit ekziston një hendek i prerë dykampësh: njëra anë (qeveria) që flet për prosperitet ekonomik, dhe ana tjetër (opozita) që flasin për kolaps. Gjasat janë që asnjëra palë të mos ketë të drejtë. Në fakt, të dhënat e këtij viti kanë qenë problematike që nga muajt e parë, e deri më sot, kur për muajin maj, të ardhurat nga taksat shënuan një rënie drastike, me rreth 27 milionë dollarë nën plan. Nga janari në maj, mbledhja e të ardhurave në buxhet rezultoi afro 88 milionë dollarë më pak se plani.
Problemi në këtë pikë është se mbi planin, parashikohen jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet, dhe ajo që vlen për çdo buxhet, vlen edhe për xhepin e madh të qeverisë: të shpenzosh është më kollaj se të arkëtosh. Si rrjedhojë, financimi i shpenzimeve për muajt që vijnë vihet në pikëpyetje serioze,dhe duke qenë se një sërë zërash nuk janë të negociueshme (shpenzime operative, investime të kontraktuara, detyrime etj.), vihet në pikëpyetje edhe mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor, i cili është përcaktuar në kufirin e rreth 41 miliardë lekë (3 për qind e PBB-së).
Duke qenë se për 5 muajt e parë të vitti, deficiti ka arritur në 20 miliardë lekë, garancitë deri në fund të vitit për t'iu përmbajtur kufirit, janë disi të ulëta.
Çështja është se qeveria është ndodhur përballë situatave të tilla edhe më parë, dhe në një farë mënyre, ia ka dalë të mos shkaktojë kolapsin e pritshëm, të cilin disa për arsye çnjerëzore e presin me padurim. Por megjithatë, prirja ka qenë problematike dhe rënëse nga viti në vit, pavarësisht nismave të njëkahshme të nstitucioneve në varësi të ekzekutivit për të rishikuar në rënie rritjen ekonomike të viteve të mëparëshme, duke përmirësuar në këtë mënyrë, shifrat aktuale.
Dhe punët po shtojnë vërtet keq, pavarësisht makiazhit të të dhënave zyrtare. “Shqipëria vazhdoi të rritej më shpejt se vende të tjera në rajon në 2011-ën, por përjetoi një ngadalësim në aktivitetin ekonomik gjatë pjesës së dytë të vitit dhe në fillim të vitit 2012, më së shumti si pasojë e performancës së dobët të tregjeve të saj kyç në BE, Greqi dhe Itali. Lidhjet e forta të Shqipërisë me këto vende në aspektin tregtar, të investimeve dhe të remitancave, ka gjasa të pengojë rritjen ekonomike në vitin që vjen, ndërsa borxhi publik i vendit është pranë kufirit maksimal prej 60 për qind të PBB-së, duke kufizuar hapësirën për manovrime fiskale”, thuhet në një vlerësim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbi zhvillimet e afërta të eknomisë në Shqipëri.
Punët (nuk) shkojnë mirë
Në këto kushte, parashikimi i qeverisë për rritjen ekonomike të vendit mbetet i ankoruar në nibvelin prej 4.3 për qind. ndërkaq, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaron se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2012 do të jetë 1.2 për qind. Në raportin e publikuar nga BERZH-i theksohet se sfidë për Shqipërinë për këtë vit mbetet borxhi publik i cili sipas tij ndikon në rritjen ekonomike.
Entuziazmi i qeverisë për rritje ekonomike mbi 4 për qind të PBB-së nuk u ligjërua as nga vlerësimi i bërë nga Standard % Poor’s, sipas të cilit rritja ekonomike e vendit për vitin 2012 nuk do të jetë më e lartë se niveli 1.5 për qind. Për të tretën herë radhazi, agjencia e vlerëson Shqipërinë me notën B+, e cila klasifikohet si “nivel i qëndrueshëm”.
Megjithatë, sipas të njëjtit vlerësim, ekonomia shqiptare jep prova të një farë qëndrueshmërie duke merituar kështu notën B+, madje duke treguar nivele më të larta stabiliteti se vendet e tjera në rajon. Por, ndërkaq, një presion i madh i kolapsit ekonomik vjen nga përtej kufijve, duke qenë se Shqipëria është shumë varur nga ekonomitë e vendeve fqinje dhe nga e ardhmja e Eurozonës, një tronditje e fortë e së cilës do të kishte efektin e një cunami indonezian mbi ekonominë shqiptare.
Sipas BERZH, kriza e euros do të vazhdojë të impaktojë negativisht ato ekonomi në rajon, të cilat janë më shumë të gërshetuara me ato të Eurozonës. BERZH vëren se recesioni në Eurozonë do të vazhdojë të dëmtojë eksportet e vendeve në tranzicion. Rëniet në prodhim në shumë vende të Eurozonës, përfshi Gjermaninë, të cilat nisën në tremujorin e fundit të vitit 2011 do të godasë eksportet e rajonit. Rritja e eksporteve parashikohet të mbetet negative në 6 muajt e parë të këtij viti, madje dhe më tej.
Prodhimi në rajon do të vuajë edhe nga kontraktimi i vazhdueshëm i kreditimit. Në shumë prej këtyre vendeve, degët e bankave të Eurozonës kanë një pozitë domuese në sistemet bankare lokale. Ndërsa bankat mëmë në Eurozonë do të vazhdojnë të përballen me vështirësi, edhe degët e tyre në këto vende do të kenë më pak financim ndërkufitar dhe si rrjedhojë, do të japin më pak kredi.
Se në ç'mënyrë do të mundet qeveria të ruajë rritjen ekonomike në nivelin 4.3 për qind, kjo çështje përbën mister. Banka e Shqipërisë nga ana tjetër tashmë në një formë më të drejtpërdrejtë, po jep mesazhe pesimiste nëse krahasohen me optimizmin e qeverisë.
"Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rikthimi i tensioneve në tregjet financiare botërore në muajin e fundit ka rritur ndjeshëm pasiguritë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke u përkthyer në kushte më të vështira financimi për sektorin publik e privat. Rënia e kërkesës së huaj dhe shtimi i rrezikut të perceptuar për të gjithë zonën kanë filluar të ndikojnë ecurinë e aktivitetit ekonomik në vendet e rajonit”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, duke folur për tremujorin e parë të vitit.
“Informacioni i disponueshëm statistikor për tremujorin e parë të vitit 2012 tregon për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Ndër të tjera, kjo ecuri është ndikuar edhe nga faktorë të përkohshëm, si pasojë e kushteve të vështira klimaterike. Megjithatë, analiza e treguesve të disponuar konkludon se kërkesa e brendshme dhe e huaj mbeten të dobëta", vijoi guvernatori.
Nga an tjetër BSH vlerëson se pas gjallërimit në tremujorin e fundit të vitit, konsumi privat vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit 2012. Ecuria e importit të mallrave për konsum dhe rritja e ulët vjetore e të ardhurave të grumbulluara nga TVSh-ja, sugjerojnë një kërkesë të dobët konsumatore në këtë tremujor. Ky vlerësim mbështetet edhe nga të dhënat cilësore të filtruara nga vrojtimet e konsumatorëve, të biznesit dhe të sektorit bankar. Dinamika e treguesve sasiorë dhe cilësorë sugjeron gjithashtu për një ecuri të ngadaltë të investimeve.
Sytë nga Greqia
Problemi i madh mbetet te importimi i efekteve të krizës nga vendet fqinje, duke nisur nga Greqia, e cila tashmë vërtitet në skaj të kolapsit, nëse i referohemi deklaratave zyrtare nga institucionet qeveriare greke, institucionet europiane dhe takimit të fundit të G20. Rasti i Greqisë paraqet probleme serioze për ekonominë shqiptare, duke marrë parasysh se një pjesë shumë e madhe emigrantëve shqiptarë (ende) punojnë dhe jetojnë atje. Ndonëse nuk ekzistojnë shifra të sakta për numrin e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, një numër i përfaërt rrotullohet rreth shifrës 700 mijë (burime të tjera thonë edhe 800 mijë).
Kriza greke dhe pasiguria e perceptuar mbi sistemin bankar të këtij vendi, shaktuan një hemorragji depozitash të emigrantëve drejt Shqipërisë. Gjatë tremujorit të parë të 2012, rreth 510 milionë euro kursime u transferuan drejt bankave që operojnë në Shqipëri, duke qenë se këto të fundfit perceptohen më të sigurta nga emigrantët. Këta të fundit llogaritet se kanë rreth 5 miliardë euro kursime në Greqi. Edhe vitin e kaluar, pati një rritje të deozitave me mbi 717 milionë euro, çka i atribuohet në një masë të madhe edhe transferimit të depozitave nga vendi fqinj.
Megjithatë, efektet në ekonominë reale janë të pandjeshme, duke qenë se këto para nuk po investohen, por qëndrojnë të fjetura në bankat e nivelit të dytë. Rritja e depozitave nuk është shoqëruar me rritje të kreditimit apo me lehtësim të kushteve tashmë të shtrënguara.
Nga ana tjetër, një kthim i mundshëm i emigrantëve në atdhe ngre një sërë problemesh, por ndërkohë jo shumë syresh po kthehen vërtet. Në vend që të kthehen, në një masë të madhe shumë syresh kanë ndërprerë dërgesat drejt shtëpisë. Ky informacion dhe të tjera të ngjashme, u njoftuan rreth dy muaj më parë në një konferencë të titulluar “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane”. Në këtë organizim u sollën shembuj paralelë duke theksuar se kur emigrantët janë kthyer në atdhe kanë zënë vendet e vendasve të pakualifikuar, duke theksuar se ata shtohen si barrë për sistemin e mirëqenies. “Hyrja në treg e emigrantëve sjell ulje të pagave të vendasve të pakualifikuar”, theksoi eksperti Kosta Barjaba. Gjithashtu, hyrja e emigrantëve në tregun e punës sjell ulje pagash të punonjësve më pak të kualifikuar. Për të mos harruar faktin se një pjesë shumë e rëndësishme e kompanive të huaja që operojnë në Shiqpëri, duke siguruar të ardhura në buxhetin e shtetit, duke sjell punësim dhe qarkullim mallrash e shërbimesh, janë greke.