Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

Hileja politike e granteve, ja skema

Nga 
Ervin Qafmolla

Programi “Fonde për Vota” mund të mos jetë një skemë formale e alokimit të buxheteve përkatëse në këmbim të mbështetjes elektorale, por në Shqipëri ka kohë që përflitet për një skemë të tillë. Ky është rasti kur një raport i Lëvizjes Mjaft! mbi monitorimin e buxhetit i materializon dyshimet në fakte

 

Shpërndarja e të ashtuquajturit grant për pushtetin vendor ka qenë gjithmonë e debatuar. Shumë herë është përfolur se qeveria i diskriminon bashkitë dhe komunat e qeverisura nga opozita për të favorizuar të vetët. Një diskriminim është një gjë, por pasojat që ka ky diskriminim në rezultatet zgjedhore dhe në funksionimin e demokracisë në përgjithësi, është diçka tjetër. 

Gjatë viteve 2010 e 2011 (duke kujtuar që në maj 2011 u bënë zgjedhje për pushtetin vendor ku qeveria fitoi shumicën e votave nëpër fshatra dhe humbi qytetet kryesore), qeveria ndau fonde për pushtetin vendor. Parimi teorik i shpërndarjes së fondeve është i lartë. Bashkitë dhe komunat konkurrojnë me projekte, pra me ide se çfarë duhet të bëjnë dhe qeveria u jep fonde për të mbështetur idetë më të mira. Realiteti është ca më ndryshe. Veçanërisht për komunat, të cilat nuk kanë të ardhura të tjera përveç parave të buxhetit, çdo lek nga grantet konkurruese shkon për paga për punonjës administrate. Dhe çdo pagë, që në fshatin shqiptar të lodhur e pa kurrfarë burimi tjetër të ardhurash kesh, është një mrekulli që këmbehet në vota. Jo thjesht në vota, por me raste edhe në dhunë ndaj fshatarëve të tjerë, sepse kuptohet, të punësuarit nëpër komuna janë ekskluzivisht militantë partiakë.

Kështu ndodhi kur qeveria ndau grante për pushtetin vendor në vitin 2010. Gjithsej 14 miliardë lekë, ose 100 milionë euro u shpërndanë. Në total, u ndanë 3.200 lekë (të rinj) për qytetar a katundar. Por kur erdhi puna për t’i mes të vetëve e të të tjerëve, qeveria i dha të vetëve ca më shumë. Në 2011, kur u bënë zgjedhjet, situata u përsërit. Ky është rezultati që nxjerr raporti i Lëvizjes Mjaft! për Monitorimin e Buxhetit të vitit 2011. 

Llogaritë e nxjerra nga buxheti i shtetit, publikuar nga Ministria e Financave, tregojnë se qeveria i dha të vetëve rreth 10 për qind fonde për frymë më shumë se sa komunarëve të opozitës. 

Pushteti i kryekomunarëve nuk është i ndarë me thikë. Ka kryekomunarë majtas që pëlqehen e kanë lidhje, ashtu siç ka kryekomunarë djathtas që nuk pëlqehen hiç. Por ata që kanë dalë më të fituar me historinë e granteve për pushtetin vendor, janë kryekomunarët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Si më 2010 edhe më 2011, ato morën më shumë se të tjerët. Edhe zgjedhjet, në fshat janë ca si ndryshe nga qyteti. Komuna Ruzhdije, që u fitua me shumicë absolute nga PD më 2009, është një shembull i mirë.

 

Granti për pushtetin vendor

Qeveria qendrore shpërndau me anë të buxhetit 2011 13.3 miliardë lekë në formën e “transfertave të pakushtëzuara” për njësitë e qeverisjes vendore si dhe për Qarqet. Këto transferta teorikisht duhet të kenë për destinacion investimet publike të ndërmarra nga pushteti vendor, ndërkohë që shpenzimet operative të bashkive dhe komunave, duhet të mbulohen nga të ardhurat e veta. Në realitet, shumica e komunave dhe bashkive të vogla kanë pak ose aspak të ardhura nga taksat e veta dhe rrjedhimisht përdorin transfertën e pakushtëzuar për të mbuluar shpenzimet e veta për paga. Nga ana tjetër, shumat e transfertave për komunat e vogla janë tepër të ulëta për të nisur ndonjë projekt serioz investimi. Ndarja e tranfertës së pakushtëzuar gjendet zakonisht në tabelën 3 të buxhetit të miratuar. 

Ndarja e grantit për 373 bashkitë dhe komunat rezulton se është bërë në favor të bashkive të qeverisura nga Partia Demokratike, në rast se merret parasysh granti për frymë. Granti ndahet mes bashkive dhe komunave bazuar në disa kritere, ku numri i popullsisë sipas Censusit 2001 është kriteri kryesor. Nga ballafaqimi i të dhënave të buxheteve 2010 dhe 2011 me të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor 2007 si dhe të dhënat mbi popullsinë nga censusi 2001, rezulton se: Partia Socialiste qeveriste mbi 1.46 milionë shqiptarë dhe njësitë qeverisëse të administruara prej saj morën 3200 lekë transfertë të pakushtëzuar për frymë. Partia Demokratike qeveris mbi 1.41 milionë shqiptarë dhe njësitë e saj morën 3600 lekë grant konkurrues për frymë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në atë kohë në koalicion qeverisës me PD) qeveris mbi 78 mijë shqiptarë dhe përfitoi grant konkurrues për vitin 2011 në masën 4.400 lekë për frymë. Në total, njësitë e qeverisura nga PD përfituan gjatë vitit 2011, 5 miliardë lekë grant ndërsa ato të qeverisura nga socialistët përfituan 4.7 miliardë. Llogaritur për frymë, njësitë e qeverisura nga PD përfituan 9.7 për qind më shumë fonde se sa ato të qeverisura nga PS. Një analizë më e thellë është e nevojshme për të parë efektet e mundshme në rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor Maj 2011 nga avantazhi i të pasurit në dorë administrimin e buxhetit të shtetit. 

Përveç faktit që pushteti vendor i kontrolluar nga qeveria ka përfituar më shumë se sa ai i kontrolluar nga opozita, statistikat tregojnë gjithashtu se transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisura nga maxhoranca kanë pësuar rritje në vitin 2011 në krahasim me vitin 2009 ndërsa ato të kontrolluara nga opozita, jo. 

Të ardhurat e pushtetit vendor nga taksat e veta në periudhat parazgjedhore pësojnë një rënie të konsiderueshme, gjë që në një nivel paragjykues, mund t’i atribuohet angazhimit të administratave të njësive të qeverisjes vendore në fushatat elektorale të kryetarëve. Të ardhurat nga Biznesi i Vogël në periudhën janar-maj 2011 ranë me 27 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga taksa për pasurinë ranë me 3.1 për qind. Të ardhurat nga taksat për biznesin e vogël në katërmujorin 2011 qenë më të ulëtat e regjistruara në një dekadë.

 Argumente për t’u shtuar: Qeveria humbi gjatë zgjedhjeve të vitit 2011 shumicën e bashkive kryesore në vend, por fitoi shumicën e komunave në bashkëpunim me aleatët e vet. Duke qenë se ky fakt është racional, por jo domosdoshmërisht shkencor, sërish nuk mund të thuhet me plot gojën se harta e ndarjes së votave provon tërësisht lidhjen mes ndarjes së fondeve dhe timonit elektoral në këtë rast konkret (duke diskutuar në nivel akademik ama). Por rrugës ka argumente të tjera.

Sipas Censusit të fundit, në zonat rurale të Shqipërisë banojnë 1.3 milionë vetë. Bazuar në raportet e INSTAT-it, 35% e popullsisë rurale është nën moshën 18 vjeç. Pra, nën moshën që ka të drejtë të votojë. Thënë ndryshe, në 8 maj të këtij viti, numri i personave me të drejtë votimi në zonat rurale, sipas INSTAT-it, ka qënë rreth 850 mijë. Ndërkohë, sipas KQZ-së, në zonat rurale kanë votuar gjithsej rreth 857 mijë vetë. Pra, i bie që të kenë marrë pjesë në votim 100% e votuesve ruralë, si dhe të kenë ardhur edhe 7 mijë të tjerë nga emigracioni (duhen të paktën 140 autobusë për të transportuar 7 mijë vetë). Edhe ky i fundit, mund të mos kualifikohet tërësisht si argument shkencor, por vlen të shënohet si një nga rastet më domethënëse të pjesëmarrjes publike në votime, për të forcuar të drejtën e përfaqësimit demokratik, në një nivel që të gjithë ndërkombëtarët në Shqipëri, përfshi ata që frekuentojnë tallavanë, të shpreheshin të lumtur.

 

Pak shkencë mbi votat e fshatit

Për ata që mund t’u ketë mbetur hatri për mungesën e një substance të pastër shkencore në gjetjet e mësipërme, këtu trajtohen disa këndvështrime dhe zbulime autorësh të njohur, të patrajtuara në raportin e Mjaft. Nga ata që i citojnë të gjithë.

Teoritë e decentralizimit fiskal thonë se kriteri i barazisë dhe eficiencës janë baza për përcaktimin e transfertave ndërqeveritare mbi pabarazitë rajonale. (Musgrave, 1983; Kessler and Lessmann, 2009; Dafflon, 2007), duke injoruar prirjet politike dhe duke u fokusuar kështu, në arsyet ekonomike mbi përdorimin e transfertave (Sato, 2007).

Një këqyrje pozitive e ekonomisë politike të transfertave ndërajonale (Inman dhe Rubinfeld, 1996; Sato, 2007) përshkruan se si transfertat në fjalë, paraqiten si pasojë e vendimeve dhe ndërveprimeve politike ndërmjet aktorëve me peshë, të përfshirë në ngjarje.

Studiuesit në lëmin e Ekonomisë Politike e skemës së rishpërndarjes së fondeve (Political Economy of equalization) thotë se politikanët janë më të prirur të shërbejnë interesat lokale dhe si rrjedhojë të angazhohen në një skemë dhënieje fondesh në këmbim të mbështetjes elektorale, duke kërkuar transferta për zona të përqendruara gjeografikisht (Inman dhe Rubinfeld, 1996),. Në këtë mënyrë, ata krijojnë transfertat ë tepërta në një rajon duke vendosur barra fiskale në të tjera (Sorensen 2003; Sato, 2007).

Ekzistojnë dy mënyra të ndryshme sjelljeje nëse ndikimi politik vijon. Së pari, një qeveri që nuk dëshiron të rrezikojë, priret t’u japë më shumë fonde komunave dhe bashkive me “mbështetës kryesorë”, siç ishte rasti i Argjentinës (Porto dhe Sanguinetti (2001) dhe India (Cox and Mçubbins, 1986; Khemani, 2004).

Së dyti, një qeveri që pranon më shumë risk do t’u shpërndajë më shumë fonde rajoneve që kanë më shumë votues të pavendosur me qëllimin për krijuar një diversion votash në anën e duhur (Dixit and Londregan,1998).

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura