Skip to main content
RSS / Kontakt

Search form

  • politike
  • ekskluzive
  • Intervista
  • Ekonomi
  • Sociale
  • Reportazh
  • Speciale
  • Dossier
  • Bote
  • Kulturë
  • EX-LIBRIS
  • SHQIPNI E HARRUME

“Përfitimet” e krizës? Fjalë, jo përfitim

Nga 
Ervin Qafmolla

Në një kohë që edhe një deputet kuptoi se “Gjërat pozitive janë më të mira se ato negative”, së fundmi ka mbirë një teori e re, antagoniste më këtë të fundit, e cila po tërheq në gjirin e saj jo vetëm politikanë, por edhe ekspertë, analistë dhe persona të tjerë, parimisht të respektueshëm. Teoria më e re fokusohet në diskutime abstrakte mbi dobitë e krizës

 

Kriza shqiptare ndërkaq është legalizuar. Me gjysmë zëri, por qartë, e pranuan edhe krerët e qeverisë. Në maj të vitit 2010, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kriza ekonomike kaloi. Një vit më vonë, në mars të 2011-ës ai tha se leku përballoi me dinjitet dollarin dhe euron. Ndonjë muaj më vonë ai theksoi se kriza ekzistonte në psikikën e atyre që e besonin. Një tjetër vit më pasë, tashmë në 2012-ën deklaratat ndryshuan disi. Pak ditë më parë, ndërsa Kryeministri justifikoi nivelin e borxhit publik duke thënë se paratë duheshin për investime të rëndësishme, ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se Shqipëria ka humbur ritmin e rritjes ekonomike.
Por, prej ca kohësh kanë filluar e po shtohen zërat që flasin për “oportunitetet” (shqip: volitshmëritë) e krizës; një farë maskerade kjo për të nënkuptuar “dobitë”. Që prosperiteti ekonomik është i mirë dhe krizat jo, kjo ishte diçka e dëgjuar, por mantra e re e ekspertëve të sponsorizuar, është mbresëlënëse. Ky parim i ri për të parë të mirën e vogël te një e keqe e madhe i përngjan disi shembullit të personit që rrezikon të mbytet, për të cilin mund të vlerësohet se ka gjasa të tërheqë spektatorë, të cilët mund edhe të pinë kafe te lokali aty pranë. Një plan biznesi që kërkon vëmendje të specializuar mjekësore. Diskutimet sesi kriza sjell përfitime, nuk janë njëqind për qind të çmendura. Diku ekziston një farë numëratori ekonomik që vlerëson shkak-pasojat e ndodhive që lidhen me krizën. Por kur dikush është i sëmurë seriozisht, lëvdimi i simptomave mund të mos jetë tërësisht i shëndetshëm.
 
Emigrantët e papunë sjellin prosperitet?
Kthimi i emigrantëve shqiptarë nga Greqi, dhe më pak nga ndonjë vend tjetër i Europës, nuk ka shpëtuar pa marrë komente pozitive nga politika dhe ekspertët e sponsorizuar. Koncepti është që të kthyerit po sjellin me vete pasurinë e akumuluar atje të cilën do ta investojnë në vendlindje. Investimet në kohë krize janë kurdoherë të mirëpritura. Problemi është se emigrantët e kthyer nuk janë të gjithë bash pasunarë apo domosdoshmërisht të kualifikuar në veprimtari që i shërbejnë zhvillimit të vendit. Por para se të mbërrihet në këtë pikë, duhet theksuar se nuk ekzistojnë prova që dëshmojnë një kthim masiv të emigrantëve. Në vend që të kthehen, në një masë të madhe shumë syresh kanë ndërprerë dërgesat drejt shtëpisë. Ky informacion dhe të tjera të ngjashme, u njoftuan këto ditë në një konferencë të titulluar “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane”. Në këtë organizim, profesor Kosta Barjaba solli shembuj paralelë duke theksuar se kur emigrantët janë kthyer në atdhe kanë zënë vendet e vendasve të pakualifikuar, duke theksuar se ata shtohen si barrë për sistemin e mirëqenies. “Hyrja në treg e emigrantëve sjell ulje të pagave të vendasve të pakualifikuar”, theksoi Barjaba. Gjithashtu, një pikë që ai diskutoi lidhej me faktin se hyrja e emigrantëve në tregun e punës sjell ulje pagash të punonjësve më pak të kualifikuar. Kjo e fundit është një dukuri botërore, çka shpjegon edhe një pjesë të urrejtjes dhe ksenofobisë ndaj emigrantëve në vendet pritëse.
 
Emigrantët do punojnë në atdhe?
Problemi tjetër lidhet me faktin se shumica e emigrantëve shqiptarë në Greqi e vende të tjera, nuk janë masivisht të angazhuar në profesione me potencial zhvillues dhe strategjik. Punëtorët e ndërtimit në vende si Greqia e Italia, ku jetojnë pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë, janë ndër të parët që mbesin të papunë, duke qenë se kjo industri ka frenuar plotësisht në këto vende. Ata nuk pritet që ta angazhohen në të njëjtin aktivitet në Shqipëri, duke qenë se ndërtimit shqiptar i ka mbaruar benzina prej disa vitesh, si dhe për vetë faktin se hallexhiu shqiptar që punon në ndërtim në vendin e tij, paguhet shumë më keq se i njëjti hallexhi në tokë të huaj. Në çdo rast, një hallexhi do t’i zërë vendin e punës, hallexhiut tjetër. 
Sipas Institutit të Statistikës, në vitin 2009, sektori i ndërtimit ka patur një rritje me vetëm 0.4 për qind, ndërsa një vit më parë, i njëjti tregues rezultonte në nivelin 10.9 për qind. Por, sipas INSTAT, kjo e dhënë duket se nuk e ka prekur shumë peshën që zë ndërtimi në përqindje të PBB-së. Nga viti 2008, kur sektori i ndërtimit zinte 16 për qind të PBB-së së vendit, krahas të gjithë sektorëve të tjerë, në vitin 2009, kjo e dhënë ka zbritur me vetëm 1 për qind, në masën 15.1 për qind, ndërsa nga një vlerësim paraprak i vitit 2010, ndërtimi ka rënë në 11 për qind të PBB-së. Shifrat e vitit 2011 nuk janë bërë ende publike.
 
Me sytë nga Greqia
Kur kriza greke shpërtheu furishëm në gjysmën e parë të vitit 2010 dhe FMN aprovoi një kamardare fillestare shpëtimi prej 110 miliard eurosh, pati një lloj gëzimi të shprehuar haptazi ndër popullatën shqiptare, a thua se bëhej fjalë për një ndeshje futbolli që u mbyll në favor të kombëtares kuqezi. Komente të pakëndshme u lëshuan jo vetëm në mediat sociale, por ndonjë “e lehtë” shpëtoi edhe në gazeta, ku elementi patriotik shqiptar nuk mungoi të çartiste mbi ndryshime hartash, modifikime gjeopolitike e lajthitje të tjera të këtij lloji.
Problemi i parë është ai me karakter njerëzor, çka do të thotë se të gëzohesh për vakinë e tjetrit është e shëmtuar pavarësisht problemeve mes palëve. Së dyti, duket sikur, të paktën në fillim, pakkush u shqetësua për emigrantët shqiptarë që ndodheshin atje dhe pasojat që mynxyra financiare në shtetin fqinj do të sillte në këtë anë të kufirit.
Por, disa efekte që u vunë re nuk ishin tërësisht të këqija. Kriza greke dhe pasiguria e perceptuar mbi sistemin bankar të këtij vendi, shaktuan një hemorragji depozitash të emigrantëve drejt Shqipërisë. Gjatë tremujorit të parë të 2012, rreth 510 milionë euro kursime u transferuan drejt bankave që operojnë në Shqipëri, duke qenë se këto të fundfit perceptohen më të sigurta nga emigrantët. Këta të fundit llogaritet se kanë rreth 5 miliardë euro kursime në Greqi. Edhe vitin e kaluar, pati një rritje të deozitave me mbi 717 milionë euro, çka i atribuohet në një masë të madhe edhe transferimit të depozitave nga vendi fqinj.
Megjithatë, ky “fenomen” nuk ka gjasa të sjellë ndonjë efekt të jashtëzakonshëm në ekonominë reale, nëse këto para nuk investohen, por qëndrojnë të fjetura në bankat e nivelit të dytë. Rritja e depozitave nuk është shoqëruar me rritje të kreditimit apo me lehtësim të kushteve tashmë të shtrënguara, dhe nuk duket sikur këto para do të kenë ndonjë përdorim më kativ se fjetja në bankë. Dhe gjasat që ato të investohen janë të vogla, duke marrë parasysh se tashmë ekziston një farë perceptim se Shqipëria po ndjek me sukses modelin grek drejt një krize të ashpër, edhe pse në terma më minimalistë. Lidhur me pasurinë që emigrantët sjellin në vend dhe bindjen se do ta investojnë në atdhme, ky është një spekulim i pastër. E para sepse parashikon që të tillët kanë akumuluar kapitale të konsiderueshme, dhe së dyti, sepse paragjykon në inteligjencën bazike njerëzore se ata do të investojnë dhe do të marrin përsipër rrezik në kohë krize. Në fakt, inteligjenca që vihet në diskutim, është e atyre që hedhin në tregun mediatik ide të tilla.
 
Një parashikim jo i mirë
Në një raport të mëparshëm, Banka Botërore duket se ka parashikuar se punët me Shqipërinë dhe përfshirjen e saj në krizë nuk do të shkojnë mirë për disa vite rresht. Sipas Strategjisë së Partneritetit të Bankës Botërore për katër vitet e ardhshme, nivelet e konsumit në vend shfaqin një përkeqësim të dukshëm për vitet 2009-2010. Në terma të përgjithshëm, duke u vlerësuar nga viti 2005 deri në vitin 2013, konsumi në vend ka pësuar një rënie gati progresive dhe do të vazhdojë ta përjetojë një rënie të tillë, deri në fund të ‘13-s. Treguesi i konsumit është tepër i rëndësishëm për të kuptuar zhvillimin e një ekonomie, duke qenë se në terma vulgarë (dhe në varësi të shkollave të ndryshme të ekonomisë apo të përllogaritjeve specifike) mat blerjen finale të mallrave dhe shërbimeve.
Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, konsumi i brendshëm njohu rritje të pandërprerë deri në kohën e krizës. Në një fjalë të tijën ndonjë vit më parë, ai shpjegoi se mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese të brendshme çoi në thellimin e vazhdueshëm të llogarisë korente nga njëri vit në tjetrin. Ky ishte pak a shumë modeli që mbizotëroi zhvillimin ekonomik të vendit këto 20 vjetët e fundit, një model që u përhap në të gjithë vendet e Evropës ish-komuniste dhe që u njoh me emrin “procesi i përafrimit të shpejtë” (catching – up process). Sipas Fullanit, kriza e fundit e ndërpreu këtë mekanizëm të financimit të konsumit me borxhe dhe i dha fund bollëkut financiar dhe dëshirës së investuesve për të pranuar rrezikun.
Kriza shkaktoi që konsumi për person, i llogaritur në përqindje të PBB-së, të shfaqë vlera në minus. Kështu, totali i konsumit sipas kësaj përllogaritjeje, vlerësohet në rënie në nivelin -3.5 për qind për vitin 2009 dhe -3.1 për qind për vitin 2010. Kurse vetëm konsumi privat, pra, duke përjashtuar sektorin publik, sipas dy viteve vlerësohet në -3.6 për qind dhe -4.2 për qind në raport me PBB-në, që flet për një përkeqësim të dukshëm në vitin 2010. Sipas raportit të BB, të ardhurat nga taksat deri në 2013-n, flasin për një dinamikë “në vendnumëro”, që do të thotë se në vitet që vijnë nuk do të ketë ndonjë përmirësim të qenësishëm të këtij zëri në buxhetin e shtetit. Diçka e tillë konfirmon marrëdhënien e fortë ndërmjet treguesit të konsumit dhe të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Konsumi privat në vitin 2005 ka qenë në 8.5 për qind të GDP-së, ndërsa deri në vitin 2013 parashikohet të arrijë në 5.4 për qind. Kjo do të thotë se edhe për tre vitet që vijnë, nuk do të jetë e mundur që ky tregues të rehabilitohet në nivelet e vitit 2005 dhe për më tepër, nuk dihet kur dhe nëse do të jetë e mundur që të kthehet ndonjëherë në të njëjtat nivele. Në këtë pikë, “përfitimet nga kriza” mund të trajtohen si anekdoda e radhës në qarqet e programeve televizive ku rrihet debat elitar, ndërsa ekonomia reale duket se ka plane të tjera që nuk paraqiten fort të këndshme.
 

          








© 2012 Java. Të gjithë të drejtat e ruajtura