
Të enjten, Kuvendi i Shqipërisë prodhoi një lajm të mirë. Artan Zeneli, kryetar i Gjykatës së Tiranës u emërua antar i Gjykatës së Lartë. Një shumicë dërmuese deputetësh votoi dekretin e hershëm të ish-presidentit Bamir Topi. Katër vjet më parë, e njëjta shumicë qeverisëse në Kuvend, e kishte rrëzuar kandidaturën e Zenelit, thjesht dhe vetëm sepse ai u ndodh në vendin e gabuar, në momentin e gabuar dhe i dekretuar për të njëjtin pozicion, po nga politikani që PD e Berisha e konsideronin në vendin e gabuar, Bamir Topi.
Po të enjten, gjykata e Tiranës prodhoi një lajm të keq. Ish-specialisti i IT-së në kryeministri, i akuzuar për fshirjen e serverit me filmimet e 21 Janarit, fitoi pafajësinë. Fakti - fshirja e serverit me filmime - mbeti sepse është e vështirë edhe për akrobacinë e gjyqtarit që të hidhte poshtë ekspertizën e FBI-së. Me një truk juridik të llojit: “I pandehuri dhe celulari i tij kanë qenë gjithmonë bashkë, në mesnatën e 21 Janarit celulari provohet se nuk ndodhej në kryeministri, që do të thotë se edhe i zoti i tij nuk ishte në vendin e krimit, ndaj ai nuk ka faj. Ky mëkat mbetet kështu pa fajtor. Edhe pse vetë specialisti i IT-së kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë se ai kishte pranuar fajësinë e tij. Më shumë se me fatin e një individi, bëhet fjalë për drejtësinë që parathuhet se do të jetë e munguar për gjithë të tjerët për 21 Janarin. Një proces që me të gjitha gjasat, do të pësojë fatin e hetimit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit.
Një tjetër gjykatë shpalli tre mjekë të pafajshëm nga akuza për mitmarrje meqënëse në gjykatë u provua se paratë ishin marrë mbasi kishin kryer shërbimin dhe jo përpara. Të kishte ndodhur e kundërta, mjekët do të dënoheshin.
Kjo verë e nxehtë po prodhon lajme të çuditshme me subjekt gjykatat shqiptare. Diku refuzohet një ekstradim, diku gjetkë jepet pafajësi, edhe kur provat janë ulëritëse, edhe kur vetë të pandehurit befasohen kur kuptojnë se mund të vazhdojnë në liri jetën e tyre.
Një listë e tillë me vendime të pabesueshme të drejtësisë mund të zgjatet pafund. Do ta kryesonin vendime gjykatash që kanë pasur për subjekt politikanë nga më të njohurit e vendit duke nisur që me kryeministrin Sali Berisha, që është mbrojtur me imunitet dhe është shfajësuar nga gjykata për akuzën e shpifjes me “teknologjinë” evropiane që në fakt mbron gazetarët dhe jo politikanët përballë një akuze të tillë.
Dhe këtu nis problemi, tek politikanët. Të përfshirë në temperaturën e lartë të debatit për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të tyre, ata do të vendosin sidomos për imunitetin e gjykatësve. Do të vendosin për rreth 360 gra e burra në të gjitha shkallët e sistemit, pasi kanë vendosur më parë sesa do të paguhen ata, si do të emërohen, ndëshkohen apo do të bëjnë karrierë, duke ditur që vetë politika, është lënda e parë dhe klient në perspektivë i gjyqësorit. Kjo është simbioza e pashmangshme mes këtyre dy pushteteve, që tashmë ngjan se kanë firmosur paktin e mossulmimit dhe të bashkëjetesës në krimet reciproke pa ndëshkime reciproke. Në të vërtetë, gjyqësori i shërben rrallë politikës, edhe pse proceset ku përzihet politika dhe politikanë janë të rrallë. Përzihet në punët e politikës edhe njëherë në katër vjet kur i duhet të vendosë për sherret që kanë të bëjnë me kutitë e votimit duke zgjedhur rregullisht për t’i dhënë të drejtë, të pushtetshmit të rradhës me devotshmëri shërbyesi. Dhe që si cilido shërbyes, pështyn fshehtas në filxhanin me kafe që servir.
Në këmbim të kësaj shërbese, politika lejon me vetëdije që gjyqësori, në shumicë dërmuese, që paguan për karrierë dhe paguhet në të zezë nën dorë, të shndërrohet në një degë biznesi që nuk paguan taksa, por vjel taksë nga qytetari që i troket në derë. Mjafton të shihet stili i jetesës së cilitdo gjyqtar, për të kuptuar nëse ai merr para të tjera nga ato që firmos në bordero. Ndaj heqja e imunitetit të tyre është vetëm një hap që me gjasa nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe në atë çfarë ndodh në gjyqësor. Kërkohet shumë më shumë se kaq. Nevojitet vullnet i fortë politik i të gjitha palëve në politikë për ta diagnostikuar përfundimisht sëmundjen dhe për ta kuruar atë. Por një gjë e tillë është e pamundur. Nuk mund të ekzistojë ky vullnet, sa kohë vetë politika, kryesisht pushteti, mund dhe duhet të jetë klient për në bankën e të akuzuarve për pothuaj çdo firmë që hedh. Eshtë një qark i mbyllur. Këto dy pushtete, edhe për shumë kohë do t’i ngjajnë në simbiozën e tyre qenit që tenton të kafshojë bishtin e tij. Edhe kur ndodh që e bën, i hap menjëherë nofullat se ndjen dhembje. Një nga premtimet kryesore të Presidentit të sapozgjedhur Nishani është dhe shëndoshja e sistemit të drejtësisë, në të cilin ai është aktor i dorës së parë. Shpejt ai do të vihet në provë, me dekretet e para që do të bëjë për Gjykatën Kushtetuese. Më pas dhe në vijimësi, me rolin e tij në krye të KLD-së dhe me mënyrën sesi do të tentojë të bëjë promovimin e karrierës së gjyqtarëve. Një premtim që meriton të dyshohet sepse është gjithë ambienti që tenton të ruajë status quo-në. Ndodh si me aromat e rënda në banjo publike: në fillim të lebetit era e keqe, pastaj ambinetohesh dhe nuk të bën më përshtypje.