
Që nga krijimi i shtetit më 28 nëntor të vitit 1912 dhe deri më sot, shqiptarët kanë njohur modele të ndryshme të qeverisjes. Në Shqipëri ka pasur regjencë, mbretëri, kryetar presidiumi, kryetar senati dhe presidentë, të cilët kanë ushtruar funksionet e tyre në krye të shtetit shqiptar. Aq sa disa kanë pasur tagër, po aq nuk kanë pasur as edhe një lloj tagri, përveç atij ceremonial. Po mundohemi të bëjmë një paraqitje të shkurtër të këtyre personazheve...
Ismail Qemali
(4 dhjetor 1912 - janar 1914)
Ismail Qemali është ideatori kryesor i shtetit shqiptar dhe finalizuesi i ëndrrës shumëshekullore të shqiptarëve. Pas një odiseje të gjatë përpjekjesh, ai mundi të shpallë pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës dhe pak ditë më vonë arriti të krijojë edhe qeverinë e parë shqiptare. Po vetë ai, kryente dhe detyrat funksionale të kreut të shtetit. Duhet thënë se, në atë kohë, kufijtë e autoritetit të tij, ishin shumë e shumë të ngushta dhe të barazvlefshme me kufijtë e një prefekture të sotme. Ismail Qemali vendosi firmën në disa marrëveshje, që do t’ia kujtonin hidhur më vonë.
Princ Wilhelm Wied (Maj 1914 -
nëntor 1914) (Monarkia e parë)
Ndërkohë që qeveria e Vlorës mbijetonte, një autoritet tjetër kish lindur në Durrës. Esat Pasha do krijojë një strukturë të tijën në Durrës dhe madje do përpiqet t’i bëjë karshillëk Vlorës. Megjithatë, për t’u vlerësuar është se në vitin 1913 sovraniteti i Shqipërisë ka njohje ndërkombëtare. Problem mbetej se kush do të drejtonte. Një incident, që lidhet me një personazh të panjohur, e bën Ismail Qemalin të japë dorëheqjen. Në vend të tij vjen pinjolli i një familjeje të vërtetë mbretërore. Pretendimi për konsolidimin e shtetit shqiptar është i madh, por fuqia e tij e vogël. Më 6 shkurt të vitit 1914, Konferenca e Ambasadorëve e emëron Princin Wilhelm Wied si kreun e shtetit shqiptar. Ardhja e Princit shënon monarkinë e parë shqiptare. Princi do të njihet si Wilhelm I, mbret i shqiptarëve. Ai qëndron nga maji i vitit 1914 deri më nëntor 1914, por koha më e madhe i duhet të ruhet nga përçarjet e mëdha dhe t’u bëjë ballë rebelëve që duan princ turk. Në një shfrim do të thotë se Shqipëria shpëton nëse do të zhduken Ismail Qemali dhe Esat Pasha. Largohet i lemerisur nga Shqipëria dhe askush se ka më mendjen tek ai, sepse në Botë ka filluar Lufta e Parë Botërore. Formalisht Shqipëria mbetet monarki deri më 1925.
Kaosi i periudhës 1914-1920
Detyrat e kryetarit të shtetit, për aq sa mund të kryhen në këtë kohë, janë inekzistente. Shqipëria vetë është në një mish-mash të paparë. Nëse do të kuptosh këtë kohë ke ndihmën vetëm të letërsisë. Ismail Kadare e ka përshkruar në një nga tregimet e tij më të mira Shqipërinë e këtyre viteve. Në këtë kohë, shqiptarët nxjerrin anën e tyre natyrale: Kaotikë dhe shkatërrues të pafre. Për fat, një grup patriotësh, me një sakrificë të paparë, mblidhen në Lushnje dhe marrin vendime jetike. Ruhet forma monarkike e shtetit, deri në rikthimin e Princ Vidit ose të një mbreti tjetër. Dhe, deri në ardhjen e tij, shërben një katërshe regjence, që përfaqëson katër besimet fetare në vend. Kongresi i Lushnjës miraton një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Kongresi rikthen parlamentarizmin. Me disa dorëheqje, struktura e kreut të shtetit me regjencë, funksionon deri në janar të vitit 1925.
Zogu President (1925-1928)
(Republika e Parë)
Ylli i Ahmet Zogut është rritur me një akt mbrojtjeje që ka bërë për njerëzit e Kongresit të Lushnjës, duke e bërë shpejt një nga ministrat më të rinj të historisë së qeverive shqiptare. Përfundimisht, e zhdukin disa muaj, por, në ditët e fund të vitit 1924, kur e mbledh të gjithë pushtetin, është njeriu i parë. Vjen me ndihmën e Serbisë në Tiranë, asistuar nga një trupë e tërë bjellorusësh dhe kosovarësh dhe hedh nga pushteti Fan Nolin dhe mbështetësit e tij. Një muaj më vonë, më 25 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Ai do të jetë kreu i ri i shtetit shqiptar, që e merr postin pas mbledhjes së një Asambleje që e voton me një frymë. Nga 62 vota, plot 60 vota në favor të tij dhe vetëm një abstenim. Shqipëria shpallet Republikë dhe Zogu gjen mundësinë dhe të shkurtojë mbiemrin nga Zogolli në Zogu. Asgjë nuk pipëtin më. Zogu gjatë kësaj kohe, bën stabilitet në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë. Bën marrëveshje të shumta me Italinë, që do e fusin në varësi ndaj saj dhe më qershor 1925 lëshon edhe Shën Naumin, në këmbim të tokave të Vermoshit. Vendi akoma drejtohet në periferi nga krerë lokalë, por, si i tërë, për herë të parë funksionon si shtet.
1928-1939 (Monarkia e Dytë)
Kjo se ngop Ahmet Zogun. Duke parë se kontrollon gjithçka, bën dhe një hap më shumë. Me propozim të një fshati të humbur nga jugu i vendit, aty nga Skrapari, në gusht të vitit 1928, sërish një Asamble Kushtetuese, voton unanimisht për të shpallur vendin "Mbretnia Shqiptare" me Ahmet Zogun, që tani kthehet Mbret i Shqiptarëve. Ai adopton për vete emrin Zog I dhe me termin "Mbret i Shqiptarëve" tregon se do jetë kreu i të gjithë shqiptarëve.
1939-1943 (Monarkia e tretë)
Një pjesë e atyre që votuan me unanimitet Zogun mbret, gati një javë më vonë i zgjatën kurorën Mbretit të Italisë Viktor Emanueli III, i cili u bë kështu "Mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë" dhe bashkëshortja e Tij, me origjinë malazese Helena, u bë Mbretëreshë e Shqipërisë. Në vizitën e tij të vetme në Shqipëri, aty ku thoshte se nuk e dua “këtë pirg gurësh” desh la kokën pas një atentati, që iu bë nga Vasil Laçi, një djalë nga jugu, që komunistët shpejt do ta përcillnin si ithtarin e tyre, kurse propaganda fashiste do ta bënte grek, rus e me radhë...
Regjenca e Dytë
Asambleja e tetorit u mblodh sërish, një muaj pas kapitullimit të Italisë më 1943. Asambleja rikrijoi Këshillin e Naltë të Regjencës, i cili do të luante rolin e kryetarit të shtetit, deri kur të zgjidhej forma e regjimit pas Lufte, sipas idesë së Këshillit të Naltë të viteve’20. Regjentët ishin Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Fuat Dibra dhe patër Anton Harapi. Ajo ishte me rotacion drejtimi, por për shkak se Fuad Dibra qëlloi i sëmurë dhe Patër Anton Harapi ish i tërhequr, drejtoi vetëm Mehdi Frashëri. Me ikjen e gjermanëve, mbaroi dhe ky institucion dhe të gjithë ata ikën në Shkodër. Fati i tyre ishte si mos më keq. Lef Nosi dhe patër Anton Harapi u pushkatuan, Fuad Dibra vdiq që në janar të 1944, kurse Mehdi Frashëri përfundoi në eksil.
Omer Nishani (Republika e Dytë)
Figura e tij është jo shumë e njohur, por edhe shumë e debatueshme. Për shkak të deklaratave profashiste të Dr. Nishanit, Shqipëria gati do e pësonte në Konferencën e Paqes më 1946, si vend i koalicionit fashist. Në kohën e Italisë fashiste, doktori që kish mbaruar në Vjenë, kish pranuar të ishte anëtar i Këshillit të Shtetit fashist, por ndërroi menjëherë drejtim. Në disa kujtime të veta, Enver Hoxha e justifikon, teksa ai ankohet se i duhet të jetojë ndaj e ka bërë këtë punë. Një vit më vonë, i zgjedhur që në Kongresin e Përmetit, ai e sanksionon veten si Kryetar i Kryesisë së Këshillit të KANÇ-it. Një vit më vonë Asambleja Kushtetuese, në ditët e para të janarit 1946, legalizon qeverinë e komunistëve. Shqipëria është "Republikë Popullore" dhe si kryetar shteti ka Presidentin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPPSH-së, post në të cilin u rizgjodh Omer Nishani. Ky i fundit do e mbajë postin deri më 1953, kur thuhet se bën vetëvrasje.
Haxhi Lleshi (Kryetar i Presideumit të Kuvendit Popullor) (1953-1982)
Pas tij vjen një emër i njohur për veriun. Ai do “të drejtojë” Shqipërinë deri më 1982, kur Enver Hoxha, do t’i lirojë vendin për një beniamin e tij, që do të jetë një nga figurat më interesante të dy periudhave të Shqipërisë. Haxhi Lleshi do të jetë thjesht përfaqësuesi kryesor shqiptar në telegramet e shumta, por, sipas modelit komunist, vendi drejtohet nga Partia Komuniste dhe Sekretari i Parë, Enver Hoxha, është de facto zot i vendit. Haxhi Lleshi thjesht do firmosë ndonjë amnisti dhe do presë letërkredencialet. Do përfundojë në burg pas viteve ’90. Mbeti shumë i heshtur deri në fund të jetës, dhe madje jetoi jashtë Bllokut.
Ramiz Alia (1982-1991)
Ramiz Alia, pas keqësimit shëndetësor të Enver Hoxhës, nuk do jetë thjesht kryetari i Presidencës, por, pas vdekjes së Hoxhës, më 1985, edhe Sekretari i parë. Do ketë gjithçka në dorë dhe do përpiqet të orientojë Shqipërinë në fundin e njërës prej periudhave të saj më tragjike... Pas viteve ’90 dhe ai do të përfundojë në burg.
Ramiz Alia President (1991-1992)
Duket sikur ka kaluar një shekull nga ajo kohë. E megjithatë në serialin e historisë me presidentë të Shqipërisë, zgjedhja e Ramiz Alisë më 30 prill të vitit 1991, shënon të parin votim të kreut të shtetit nga një parlament pluralist, pas Luftës së Dytë Botërore. Alia do të qëndronte president i vendit vetëm 12 muaj. Sepse më 3 prill 1992, vetëm 11 ditë pasi Partia Demokratike e Sali Berishës fitoi në mënyrë plebishitare zgjedhjet, Ramiz Alia do të jepte dorëheqjen. Duke i dhënë fund njëherësh edhe rotacionit të sistemit, i nisur që në dhjetor 1990 me lejimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Periudha e drejtimit të Ramiz Alisë përkon më së shumti me Qeverinë e Stabilitetit, e cila u formua pas kolapsit kombëtar që pasoi zgjedhjet e vitit 1991, ku PPSH fitoi shumicën në parlament. Përtej implikim it të tij në të shkuarën diktatoriale të vendit, nga pozita e lartë ë numrit dy të regjimit, Alia pati meritën gjatë rotacionit të sistemit, që të mos ushtronte dhunë mbi opozitën e re politike të sapolindur. Për këtë arsye, ai shpesh është konsideruar si komunisti i fundit demokrat. Ashtu siç do të konsiderohej pas tij, për simetri, Sali Berisha, si demokrati i parë komunist...
Sali Berisha President (1992-1997)
Kjo periudhë kohore ngërthen në fakt dy mandate presidencialer për Sali Berishën, politikanin dominant të Shqipërisë postkomuniste. I ngjitur në postin e kreut të shtetit më 9 prill, vetëm një javë pasi Ramiz Alia kishte dhënë dorëheqjen, Berisha u kthye shpejt në liderin absolut të Shqipërisë. Autoritar dhe imponues, ai drejtoi një shtet ku shefi i opozitës Fatos Nano, u fut në burg pak pasi presidenca e tij kishte mbushur vitin e parë të saj. Mandati i parë i Sali Berishës në krye të shtetit ka qenë një periudhë e cila kishte brenda saj të gjitha tiparet e një tranzicioni të komplikuar. Reformat ekonomike që u ndërmorën nuk dhanë menjëherë frytet e tyre, duke sjellë varfërim, papunësi dhe emigracion masiv të popullatës. Në fushën e lirive, Shqipëria nisi të skedohet si një vend ku shkeleshin të drejtat themelore. Por gjatë këtij mandati në skenën shqiptare u shfaq edhe një fenomen i cili fatkeqësisht vijon të mos jetë i zgjidhur as sot: zgjedhjet e viteve 91-92, përgjithësisht pa probleme e të pranuara nga palët, ja lanë vendin votimeve të vitit 1996, të vetmet zgjedhje në 20 vjet që janë konsideruar zyrtarisht si të pavlefshme nga komuniteti ndërkombëtar.
Rizgjedhja e Berishës për një mandat të dytë në klimën surreale të manipulimit të zgjedhjeve dhe rënies së afërt të piramidave financiare, në 3 shkurt 1997, ishte më shumë një këngë e fundit e mjelmës, sesa një rinovim i vërtetë kontrate në krye të shtetit. Berisha u dorëhoq nga posti pas humbjes së zgjedhjeve tyë parakohshme të 29 qershorit. Koha e “Berishës së Parë” ishte mbyllur.
Rexhep Meidani President (24 korrik 1997-24 korrik 2001)
Ngjitja e Meidanit në krye të shtetit mund të quhet ndryshe edhe triumfi i normalitetit, pas një periudhe epileptike. Cilido që do të vinte në atë post pas Berishës, do të ngjante si delja përballë skifterit. Ashtu ngjau edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PS, akademiku i qetë që ulej në postin e kreut të shtetit, si rrjedhojë e një rikthimi të bujshëm të së majtës në pushtet. Meidani ka drejtuar shtetin në një konjukturë politike mëse të favorshme. Socialistët qeverisnin të qetë në këtë periudhë, ndërsa opozita dominohej ende nga konvulsionet e vitit ’97, duke mbajtur qëndrime ekstreme dhe mohuese. Ndërkombëtarët morën në këtë moment një qëndrim të hapur kundër Berishës. Presidenca e Meidanit u karakterizua nga pastërtia personale e kreut të shtetit, qëndrimi i tij pasiv ndaj grupimeve brenda PS dhe përgjithësisht jashtë kulisave politike. Në vjeshtën e vitit 1998 Meidani kaloi ndoshta momentin më të vështirë të mandatit të tij, kur vrasja e Azem Hajdarit risolli kaosin në Tiranë për disa orë dhe ai u ndodh nën presione të forta nga opozita e djathtë, për pranimin e një qeverie teknike.
Alfred Moisiu President (24 korrik 2002-24 korrik 2007)
Viti 1997 dhe agresiviteti që ai la pas dukej sikur ishte arshivuara totalisht, kur Nano dhe Berisha u ulën, në verën e vitit 2002, për të gjetur një emër për kreun e ri të shtetit. Alfred Moisiu, një ushtarak i vjetër dhe ish zv.ministër i mbrojtjes në vitet ’90, ishte kandidatura që Berisha hodhi në tryezë dhe që u pranua nga Nano. Në fakt po ngjitej në Presidencë kryetari i shtetit ndoshta më i mirë i dy dekadave të pluralizmit politik shqiptar. Moisiu ishte president edhe kur e djathta fitoi zgjedhjet në 2005, çka e vuri atë shpejt në pozita përplasjeje me qeverinë e re Berisha. Vitet e tij të fundit mbahen mend pikërisht për rezistencën që Moisiu bëri ndaj oreksit të shtuar të kryeministrit, për vënien nën kontroll të institucioneve të shtetit. Duke nisur nga prokurori i përgjithshëm Sollaku, të cilin ai refuzoi ta shkarkojë deri në ditën e fundit të mandatit të tij.
Bamir Topi President (24 korrik 2007-24 korrik 2012)
Presidenti që sapo ka lënë detyrën, është i dyti kryetar shteti i propozuar nga e djathta dhe njëkohësisht i konfliktuar haptazi me të djathtën. Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD u ngjit në Presidencë në një votim që pa të kalonin nga ana e maxhorancës gjashtë vota opozitare. Shija e keqe që la pas ai moment, do të fashitej shpejt nga ftohja e më pas armiqësia që Berisha, Topalli e të tjerë në PD, kultivuan ndaj kryetarit të shtetit. Topi ka qenë presidenti më i luftuar nga shumica e tij politike e tij në historinë e pluralizmit pas vitit 1990. presidenca e Topit u karakterizua nga amortizimi që ai u përpoq t’i bëjë goditjeve të përsëritura të maxhorancës dhe nga problemet që shkaktoi kjo krizë në jetën institucionale të vendit. Shumë kandidatura në sistemin e drejtësisë, diplomaci e institucione të tjera, të inicuara nga presidenti Topi, u refuzuan hapur nga shumica e djathtë në parlament. Epilogu i daljes së tij nga skena, me moslejimin e mbajtjes së fjalës së lamtumirës, përbën metaforën e një presidence të vështirë e të rrethuar politikisht.