
Kur pak ditë më parë emri i Xhaver Devës doli sërish në pah prej botimit të një libri të historianit Arben Puto, një grup njerëzish, që e gjejnë lehtësisht botimin kur merren me scoop-in, ju derdhën pa mëshirë historianit të vjetër në mbrojtje të figurës së tij. Gjithçka mbase mbyllej me kaq, nëse sikur në të njëjtën kohë 29 këshilltarë bashkiakë, kuptohet të krahut të djathtë, me një vendim tinëzar do t’i hiqnin emrin rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” dhe do t’ia zëvendësonin atë me emrin e Dr. Rugovës. Kuptohet ata që e mbrojtën vendimin ishin si zakonisht njerëzit që nuk shikojnë asgjë pozitive në Luftën Antifashiste të Shqiptarëve, atë që edhe sot qeveria e sotme, ajo e djeshmja dhe deri te e Enver Hoxhës, u mbajtën fort: Qenësia në kampin e duhur antifashist. Si për ironi, megjithëse edhe kjo është disi e ngatërruar sot nga autorët kosovarë, mëtohet se Dr. Ibrahim Rugova ka qenë një i afërm i Devës.
Rezistenca e institucioneve
Ironia është e thellë nëse vërtetë lidhja familjare është e tillë. Jo sepse Dr. Rugova nuk e meriton një emër rruge në Tiranë, por e vendosur në mënyrë të tillë, kjo lë shteg për keqkuptime. E megjithatë, emri i Xhafer Devës, ka sjellë gjithnjë jo vetëm keqkuptime por edhe urrejtje. Gjithsesi, rruga me emrin e Rugovës ishte në Tiranë dhe për ta vlerësuar s’ishte e nevojshme që të ndërrohej në këtë mënyrë. Ndërkaq, reagimi i qytetarëve në Prishtinë, firmuar nga historianë, intelektualë dhe qytetarë për heqjen e emrit të rrugës me emrin e Xhafer Devës dhe Rexhep Mitrovicës ishte përballja e parë dhe më e hapur e bashkëvendësve të tij, por edhe një mësim për heshtjen e qytetarëve shqiptarë ndaj këtij akti. Argumentimi s’ishte vetëm qytetar por edhe me ngarkesë të lartë patriotike, pikërisht atij elementi që mban sot kinse më së shumti përkrahësit për glorifikimin e Xhafer Devës. Ininciuesit e këtij peticioni u shprehën se Komuna e Prishtinës asnjëherë nuk ishte përgjigjur pozitivisht në adresimin e tyre. Historiani Petrit Blakçori do shprehej: “Dikush mund të aludojë që institucionet tona i japin mbështetje nazizmit, kjo në asnjë mënyrë nuk qëndron, ngase institucionet tona nuk kanë pasur shumë informacion për figurat e cekura”.
Kthim pas
Emri i Xhafer Devës me veprimtarinë e tij për Kosovën dhe fryrja pa sens e përpjekjes së tij për Kosovën, që është bërë me mjetet e gabuara, duket se mbulon bashkëpunimin e tij me forcat kobzeza nacionaliste sllave dhe më shumë akoma masakrën e tij të Tiranës në kohën e okupacionit nazist. Edhe këtu ironia është se historianët shqiptarë, kryesisht tabori që plotëson menjëherë argumentet e të djathtëve, shtojnë në mënyrë cinike se nuk ishin 84 të vrarë por shumë më pak!!! Nëse do të shkëputeshim dhe të ktheheshim kohë më parë, atëherë gjërat që lidhen me 4 shkurtin, nuk janë aq fare rastësisht. Ndryshe nga çfarë thuhet: kryeartikulli i “Bashkimit të Kombit” ditën e masakrës, e lajmëron katrahurën. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Deva i bën apologji terrorit në masë, pa dallim. “Vetëm terrori është shpëtim dhe gjaku duhet të rrjedhë rrëke në rrugët e Tiranës nëse kërkojmë me e rivendosë qetësinë”.. “të veprojmë e të mendojmë se një ditë terrori siguron dhjetë vjet qetësi”...Për ta banalizuar këtë ngjarje të rëndë për tiranasit, mendohet se hakmarrja lidhej thjesht me vrasjen e nipit të Xhafer Devës në Tiranë. Të shohim sesi e kujton ngjarjen sekretari i Xhafer Devës, Isuf Deva. Jemi në kohën kur në Prizren u themelua Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe në krye janë Bedri Pejani (kryetar), Xhafer Deva, Profesor Mark Gjini etj. Lidhja synonte në organizimin administrativ të Kosmetit, bashkimin e forcave të armatosura dhe së bashku me gjermanët me mbrojt vendin. Armiku kryesor i Kosovës në ketë kohë ishin çetnikët serbë dhe komunistët, sipas tyre. “Unë Isuf Deva kamë qenë Sekretar i Lidhjes së Dytë me kuptimin e Administratorit. Në këtë kohë në Tiranë formohet Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku Xhafer Deva merr funksionin e Ministrit të Brendshëm. Xhafer Deva vjen në Tiranë së bashku me Masar Sopotin, Beqir Malokun, dhe Bedri Pejanin i shoqëruar nga njerëzit e tij besnik si Tefik Bekteshi , Gani Ibrahimi, Nexhip Musa (të tre nga Mitrovica), Rram Tutica nga Pazari i Ri, Riza Korashi nga Gjakova, Rexhep Budakova nga Prizreni. Këta kanë qenë antarë të Regjimentit “Kosova” dhe na informonin për qëndrimet politike të popullsisë të Tiranës. Gjithashtu na jepnin listat emërore të familjeve dhe personave të lidhur me Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Mua Xhafer Deva me thërret nga Kosova dhe me cakton sekretarin e tij privat. Në datën 3 Shkurt 1944 komunistët i bëjnë atentat dhe vrasin nipin e Xhafer Devës, Fahri Ibrahimin (ky do vdesë në spital), i cili kishte ardhur në Tiranë për punë dhe nuk merrej me politikë. (Në Hotel Dajti mblidhen disa prej emrave, që do gatisin katrahurën dhe i shkojnë në shtëpi Xhafer Devës nga ora 19 për ngushëllim). Ishte disa orë para mesnatës së 4 Shkurtit të vitit 1944 kur u përpiluan listat e familjeve e personave te Nacional Çlirimtares mbi të cilin do të binte hakmarrja e terrori. Si u vendos përfundimisht lista në shtëpinë e Xhafer Devës këta u ngritën dhe shkuan në Ministrinë e Mbrëndëshme, unë shkova në shtëpi. Lista e njerëzve ka dalë nga Arkivat e Xhafer Devës. Në orën 22, 30 të kësaj nate me thërret Xhafer Deva në Ministri ku dhe shkova. Në zyrën e Xhafer Devës erdhi dhe Kadri Cakrani, Qazim Mulleti dhe Hysni Dema. Xhafer Deva me urdhëroi që të shkoja te Qazim Mulleti i cili me caktoi sektorët e veprimit për hakmarje, mbaj mend se për këtë natë kishim në dispozicjon për të vepruar 200 deri 300 vetë të armatosur të cilët bëheshin nga Regjimenti “Kosova”, të Xhandarmërisë dhe elementa besnikë të Kadri Cakranit, Qazim Mulletit etj.të cilët u ndanë në vende të ndryshme. Drejtimet që duhej të merrnin i dhanë Xhafer Deva dhe Qazim Mulleti, me vete, grupet e armatosura kishin të gatshëm listat e njerzëve që do arrestoheshin. Në këtë terror u arestuan 320 vetë të cilët qëndronin pranë Ministrisë së Mbrëndëshme nëper burgjet e saj. Përgjegjës për kontrollin dhe arrestimet kanë qenë këta persona: Beqir Maloku, Qazim Mulleti, Mato Murati, Xhelal Staravecka, Hysni Gradeci nga Podujeva, Qemal Mujku nga Mitrovica, Ibrahim Murati nga Mitrovica. Pushkatimi i këtyre filloi në orën 1 mbas mes nate dhe nëpër rrugët e lagjeve të ndryeshme për qëllim paniku nëpër elementë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Viktimat e këtij terrori u lanë nëpër rrugët e qytetit deri në mbrëmjen e 4 Shkurtit.Në 4 Shkurt unë kam marë vesh se janë vrarë rreth 80 vetë e mbi 200 të tjerë u arrestuan e u burgosën. Si është bërë terrori neve nuk kemi bërë ndonjë mbledhje për të bërë ndonjë llogari mbi veprimtarinë që ishte bërë“. Ai që ka vrarë më shumë në kujtimet e tij është i tmerrshmi, Xhelal Staravecka, “por sa ka vrarë nuk ma kanë thanë”. Vrasjen se përtyp dot edhe Qeveria Mitrovica dhe zyrtarë të ndryshëm të saj janë të mendimit se është tepruar. Për shkak se problemet në Kosmet po rriten, sipas sekretarit, Xhafer Deva, braktis postin e Ministrit dhe niset në Kosovë për të shuar lëvizjen komuniste dhe bëhet Kryetar i Lidhjes së Prizrenit.
Miku i hershëm i nazistëve
Xhafer Deva ka kohë që është nën afërsinë me gjermanët, dhe bën pjesë në atë klasë intelektualësh kosovarë, të cilët mendojnë se Gjermania do t’i shpëtojë nga zgjedha serbe. Ndërkohë që komunistët kanë një pakt moral fillimisht me homologët e tyre sllavë, që do të jetë vetë populli i Kosovës që do të vendosë për vetëqeverisjen e tij. Koha provon se si nacionalistët dhe komunistët do të gabojnë rëndë, por komunistët të paktën luftojnë dhe kundër italianëve dhe gjermanëve dhe falë luftës së tyre, Shqipëria do renditet në vendet antifashiste. Ndërkohë çfarë bën Deva? Dokumentat kroate do nxjerrin bashkëpunimin e tij me nacionalistët sllavë, por ndërkohë punën e tij në rekrutimin e vazhdueshme të shqiptarëve për njësinë SS, që mban emrin e ‘Skandërbeg’. “Në pranverën e vitit 1944, Deva vazhdon mobilizimin e fuqisë për divizionin e tij. Mobilizon më shumë se 11.000 njerëz për njësitë SS, por mbesin vetëm 6 000 syresh prej tyre. Xhafer Deva dhe rrethi i tij i njerëzve u përpoq të bindë shqiptarët për të nënshkruar në njësitë SS, me një paralajmërim se ka ardhur koha për të luftuar me një armik që do të zbresin në numër të madh. Në fakt, një letër e tyre ka disa vjet që i është drejtuar vetë Hitlerit në Berlin, ku i jepet besimi i tyre që duan “në sajë të heroizmit të ushtrisë gjermane për të siguruar çlirimin e popullit shqiptar në Rajhut gjerman .. “. Më 10 Maj ata bëjnë dhe një përpjekje tjetër për të mbledhur njerëz në një turne në Vushtrri, por nga 6491, sipas dokumenteve kroate, që citojnë kolonelin e SS Schmid “.. në më pak se një muaj, në tetor 1944 nga 6,491 persona do thuhet se 3.425 ishte braktisur,ose pothuajse gjysma”...
Epilogu është i veçantë. DEVA mendonte që të qëndronte në Kosovë pas tërheqjes gjermane, në mënyrë që të luftonte kundër forcave të TITO-s. Ai heq dorë nga kjo ide, pasi autoritetet gjermane nuk furnizojnë dot, kur gjërat po marrin rrokupujën për ta. Mezi i shpëton partizanëve më 17 Nëntor 1944 në Prishtinë dhe për dy javë qëndron në Zagreb, i mbrojtur nga kryeministri kuisling Ante Paveliq, miku dhe themeluesi i forcave ustashe nga ku më pas fluturoi në Vjenë së bashku me Neubaher. Ai merr pjesë në formimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar në Vjenë, nën KITZBUHEL si dhe me pjesëtarët e zyrës së Neubaher. Vite më vonë do botohen shumë lidhje të forcave nacionaliste ustashe dhe shqiptarëve të emigracionit. Shkon më Zvicër në maj të 1945 dhe përpara se të largohet për në Zvicër, Deva dhe Neubaher kanë biseduar mbi mundësinë e futjes së Devës në Shqipëri nëpërmjet Italisë së Jugut apo Greqisë së Veriut! Amerikanët çuditërisht e lenë të qetë. Me sa duket se është kontingjenti i duhur për antikomunizmin. Në të vërtetë shumë prej figurave të kompromentuara me okupacionin nazifashist janë trajtuar si “refugjatë politikë”, do shprehet Puto në librin e tij të fundit. Enigma vazhdon më vonë, kur ai gjen përkrahje nga amerikanët dhe ndërron jetë në Amerikë shumë vite më vonë. Megjithatë shumë vite do të jetë në Evropë. Do shikojë se serbët tashmë marrin revanshin dhe masakrojnë Drenicën, ku 44 katunde zhduken dhe qindra-mijëra njerëz zhduken. Ai lëviz në mes të Italisë dhe Austrisë duke marrë lajme dhe përfundon në Siri ku formon dhe një gazetë me emigrantët politikë shqiptarë atje. Vite më vonë, kronika e antikomunizmit, e lidh me emrat që duan të bëjnë një aksion të përbashkët sovjeto-jugosllav për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri më 1963. Dushan Mugosha dhe Panojat Plaku shkojnë në Moskë dhe janë kumbarët e tij, ndërsa diversanti që parashuton dhe kapet do të kujtojë se ”Grupi që do të parashutonte në Shqipëri, para se të nisej nga Bari u përcoll nga Gjon Marka Gjoni, Xhafer Deva dhe Ernest Koliqi”. Megjithëse mbrojtësit e tij e bëjnë si ideator të antikomunizmit dhe antiserbëve, puna e tij pas Lufte për Kosovën dhe antikomunizmin është e zbehtë. UÇK-ja ngrihet mbi ideale të tjera, ndërsa komunizmi e merr dërrmën nga brenda. Antifashizmi mbetet deri në ditët tona, një vlerë e pamohueshme, ashtu si kolaboracionizmi i tij dhe i një grupi ”idealistësh”, që derdhën shumë gjak të pafajshëm shqiptarësh. Por, kjo s’kishte shumë rëndësi për këshilltarët e bashkisë së Tiranës, që votuan për të hequr emrin e rrugës “4 shkurti” në Tiranë.
*Shkrimi është mbështetur në dokumente kroate të luftës dhe në kujtimet e sekretarit të Xhafer Devës në Tiranë, ditën e 4 shkurtit 1944