Edhe pse diskutimet për varfërinë kanë qënë konstante e vazhdueshme e ligjërimit politik të Sali Berishës, madje, në mënyrë të përsëritur, Sali Berisha ka deklaruar se sa shumë është ulur varfëria, përfshirë edhe ajo ekstreme, javët e fundit nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale (MPÇS) ka dalë një shkresë zyrtare që më ka befasuar dhe ligështuar shumë.
Në përgjigje të inrteresit të deputetëve të komsionit kuvendor të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në datën 18 janar 2012 me shkresën nr. 118 prot., ministria jonë e punës deklaron siç po citoj se “Në vendin tonë, në emërtesën e treguesve të përcaktuar me akte ligjore e nënligjore nuk kemi tregues me emërtimin minimum jetik”. Pra, duke qënë se në Shqipëri nuk paska emërtim ligjor për minimumin jetik, MPÇS nuk ndjen asnjë detyrim t’u japë shpjegim ligjvënësve të vendit për këtë cështje. Më keq akoma, MPÇS deklaron se nuk ka kapacitete për të matur e vlerësuar minimumin jetik. Kapitullim total e qeverisjes në Shqipëri. Nëse nuk kemi emërtim për minimum jetik, nëse nuk kemi kapacitete për vlerësuar këtë minimum, athere ky është lajm i keq për të varfërit në rradhë të parë, por edhe për shoqërinë tonë, pasi kjo e fundit nuk është në gjendje të identifikojë pjesën e saj të dobët e në nevojë.
Për të vlerësuar varfërinë, pra për të caktuar se kush është nën një nivel që pranohet si minimal shërbejnë instrumenta të ndryshëm. Kryesisht bazohen në vrajtime që realizohen nga agjencitë shtetërore të statistikave. Një prej tyre është Anketa e Buxheteve Familjare (Household Budget Survey) - më e fundit në Shqipëri është e vitit 2007. Një tjetër është Anketa e Matjes së Standarteve të Jetesës (Living Standard Measurement Survey) – më e fundit është e vitit 2008. Pra, ka rreth 4 vjet që nuk është bërë asnjë përpjekje për të vlerësuar se kush është nën, në apo mbi një minimum. Dhe që prej atëherë ka ndodhur edhe shtrenjtimi i të gjitha ushqimeve bazë në të gjithë botën; ka ndodhur edhe shtrenjtimi e çmimeve të rregulluara administrativisht përfshi energjinë elektrike për familjarë, ujin e pijshëm për familjarë, barnat; ka ndodhur disa fishim i taksës mbi pagën prej efektit të taksës së sheshtë; ka ndodhur rritje e akcizave; ka ndodhur rënie e përvitshme e dërgesave të emigrantëve.
Varfëria absolute
Prej kohësh është thënë se i varfër është kushdo që jetem me dy dollarë a më pak në ditë. Ka vite që tentohet të përdoret kjo njësi matjeje. Por, pothuajse harrohet të mbahet parasysh se nëse në vitin 2002 i varfër ishte ai që kishte dy dollarë sepse ato që blinte me dy dollarë ishin të pamjaftueshme për të jetuar, pas 10 vjetësh me dy dollarë blihet shumë më pak. Thënë ndryshe, askush nuk ëhstë në gjendje të thotë se sa dollarë duhen për të blerë sot ato që para 10 vitesh bliheshin me dy dollarë. Por le të rrijmë tek dy dollarët në ditë. Në datën 1 mars 2012, INSTAT raporton se një familje merr ndihmë ekonomike 4,195 lekë në muaj. Në Shqipëri janë 105 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe mesatarja e përbërjes së një familje është 4,2 persona. Pra, në Shqipërinë fundit të vitit 2011, janë 440 mijë vetë që jetojnë me 33,3 lekë në ditë ose me 0.32 USD. Duke konsideruar popullsinë e shpallur nga Census i tetor 2011, rezulton se 15,6 % e popullsisë që jeton në Shqipëri jeton me të ardhura 6,3 herë më të ulëta se niveli i varfërisë absolute.
Varfëria relative
Një tjetër tregues është ai i varfërisë relative. Relativisht i varfër është kushdo që ka të ardhura sa apo më pak se gjysma e të ardhurave mesatare të familjes. Sa janë të ardhurat mesatare apo mediana e të ardhurave nuk e di kurkush, nuk shtë matur e deklaruar kurrë. Por ABF e vitit 2007 na mëson se një familje mesatare me katër vetë konsumon mesatarisht 68 mijë lekë në muaj. Lë të supozojmë se shtrenjtimi i jetesës është ngrirë për 5 vjet. Pra, po arsyetojmë se çdo familje që ka të ardhura mesatare mujore 34 mijë lekë apo më pak, është e varfër relativisht.
Që familja të ketë të ardhura 34 mijë lekë, do të thotë që dy mbajtësit e familjes të jenë në punë e të kenë pagë neto mujore 17 mijë lekë. Kësaj page neto i korrespondon një pagë bruto 20 mijë lekë në muaj, aq sa ç’është aktualisht paga minimale në shkallë vendi. Pra, qeveria me vetdije, i jep kujtdo një pagë minimale që e len personin në varfëri. Më të ulëta i kanë të ardhurat pensionistët, invalidët, ish – ushtarakët, përsonat me aftësi të kufiuar, ata që përfitojnë pagesë papunësie, ish punonjësit e nëntokës. Dhe këta janë shumë më tepër se familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Prandaj, sot gjysma e popullsisë jeton në varfëri relative.